Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të notojë në ujëra të turbullt për sa i përket dënimit të dhënë ndaj Skënderbeut për përjashtimin nga Liga e Kampioneve. Mishmashit të krijuar në zyrat e institucionit që drejton futbollin shqiptar është munduar t'i japë zgjidhje edhe vetë Drejtori Juridik i FSHF-së, Aldi Topçiu, në një prononcim për faqen e internetit të institucionit.
Por gjëja e parë që ai ka bërë, ka qenë kundërshtimi i asaj që tha një ditë më parë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Ky i fundit deklaroi se FSHF kishte bërë kërkesë në UEFA për të marrë vendimin e dhënë nga ky institucion, ndërsa Drejtori Juridik, bëri të ditur se po pritej vendimi i argumentuar nga KAS-i në Lozanë, edhe pse vendimin bazë e ka dhënë UEFA dhe është kjo e fundit që ka të gjitha provat konkrete rreth çështjes që çuan në dënim.
"Është e rëndësishme që të sqarojmë edhe opinionin sportiv lidhur me komentet e ndryshme që janë bërë edhe këto ditët e fundit, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. Federata Shqiptare e ka ndjekur nga afër këtë çështje dhe është në pritje të marrjes së vendimit të arsyetuar të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv. Deri tani, dimë vetëm dispozitivin e vendimit, pra vetëm atë çfarë është vendosur, por nuk dimë arsyetimin, sesi gjykata ka arritur deri në këtë konkluzion. Me të marrë këtë vendim të arsyetuar edhe Federata do të shohë qëndrimin e saj me këtë vendimmarrje", tha Topçiu, duke anashkaluar kështu plotësisht faktin se një vendim i tillë është marrë që më 1 qershor nga organizata "mëmë" e FSHF-së, UEFA.
Gjithsesi, në një pikë ai ishte plotësisht dakord me Shulkun, që FSHF nuk do të ndëshkonte Skënderbeun për sa kohë që shkeljet e kësaj skuadra ishin bërë në kompeticionet e UEFA-s dhe jo në ato që organizon FSHF.
"Do të doja të sqaroja edhe diçka tjetër, kufizimin e kompetencës së Federatës në lidhje me këtë çështje. Që do të thotë, se federata është përgjegjëse për garat që organizon vetë. Kompeticionet Europiane, siç janë Champions League dhe Europa League, nuk hynë në kompetencat e Federatës. Për këtë arsye është UEFA që ka marrë një vendim për ndeshjet në fjalë dhe jo Federata Shqiptare e Futbollit që organizon aktivitetet e saj, si Superligën, kampionatin e Kategorisë së Parë e kështu me radhë. Në këtë kontekst është e rëndësishme që të ndahen kompetencat e secilit prej këtyre organeve", ishin fjalët e drejtorit juridik të FSHF-së.