FSHF reagon per gjithcka pervec denimit te Skenderbeut

FSHF reagon për gjithçka përveç dënimit të Skënderbeut

Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon të çuditë gjithnjë e më shumë me indiferencën e plotë ndaj dënimit të klubit të Skënderbeut nga UEFA dhe pasojave shumë të rënda që do të ketë ky vendim për futbollin shqiptar. Institucioni që drejton futbollin në vendin tonë, vazhdon të mbajë gojën e qepur përballë çdo pyetjeje rreth kësaj teme, ndërsa nga ana tjetër tregon një zell të pashoq për të reaguar edhe në orët e para të mëngjesit për "çuditë" që shpik bota e internetit.

ekipi kampion skenderbeu 2015-16

Që nga dënimi i Skënderbeut nga UEFA, FSHF ka bërë dy reagime zyrtare me komunikata për shtypin, njëra më absurde se tjetra. E para ishte një ankesë publike ndaj portaleve dhe faqeve në rrjetet sociale të cilat "vidhnin" fotot dhe informacionet që zyra për shtyp e institucionit publikonte rreth kombëtares, duke pretenduar të drejtën e autorit.

E dyta ishte në orët e vona të së të dielës, kur institucioni i futbollit, reagoi në mënyrë zyrtare ndaj shpërndarjes në rrjetet sociale të një deklarate të Xherdan Shaqirit ku ai akuzon FSHF-në se ai i ka kërkuar ryshfet për ta grumbulluar në kombëtare. Ky mesazh nga një profil i rremë në Facebook i Shaqirit në fakt qarkullon në rrjetet sociale që prej ndeshjes me Zvicrën në vitin 2013, detaj që i ka shpëtuar zyrës për shtyp të FSHF-së, e cila ishte shumë e shqetësuar se po dëmtonte imazhin e Shqipërisë.

12074912_1063285047035825_6546270905993422479_n

Reagimi i plotë i FSHF-së ndaj një postimi të rremë në Facebook:

"FSHF shpreh keqardhjen që në këtë moment fantastik të historisë së futbollit tonë që po e jetojmë të gjithë së bashku falë djemve të Kombëtares, trajnerit dhe ekipit drejtues të FSHF-së, një profil fals në Facebook dhe një status i rremë i Xherdan Shaqirit, marrin jehonë përmes portalesh të caktuara duke dëmtuar imazhin e FSHF-së. Ne vlerësojmë çdo pikëpamje kritike mbi punën dhe nuk mund t'i heqim të drejtën askujt që të mendojë se Kombëtarja duhet të fitojë çdo ndeshje dhe uron që falsitetet e profileve të rreme në Facebook të mos përfshihen në debatin e shëndetshëm pasi dëmtojne rëndë Kombëtaren në këtë moment historik.

FSHF u është mirënjohëse të gjithë lojtarëve të Kombëtares për përkushtimin e tyre maksimal dhe pavarësisht fjalëve që i merr era, ka bërë e do të bëjë vetëm një politikë: Dyer të hapura për këdo sipas meritës!"



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama