Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas vendimit që mori sot Gjykata e Arbitrazhti Sportiv ndaj vendimit të UEFA-s, vendim i cili la në fuqi pezullimin e Skënderbeut me 1 vit nga kupat e Europës, por pa specifikuar se cili është qëndrimin e saj në këtë çështje.
Në një njoftim të shkurtër të publikuar pasditen e së mërkurës, FSHF pasqyron vetëm lajmin se si Partizani do të luajë në Champions pas vendimit të KAS-it, ndërsa shton se ndeshja e nesërme mes të kuqve dhe Slovan Bratislavës do të luhet thjesht si një miqësore për tifozët.
Njoftimi i plotë i FSHF-së:
"Vendimi i KAS të Lozanës për pezullimin e Skënderbeut për një vit nga UEFA Champions League, e ka detyruar UEFA-n, që të marrë një vendim për zëvendësimin e korçarëve me ekipin e Partizanit, i cili u rendit i dyti në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë Superiore. Ky vendim është marrë sot. Partizani do të luajë më datë 13 korrik për UEFA Campions League, kundër skuadrës hungareze të Ferencvaroshit.
Takimi i nesërm midis Slovan i Bratislavës dhe Partizanit do të zhvillohet, sipas parashikimit por thjesht për tifozët, pasi rezultati nuk ka asnjë vlerë. Slovan kalon në turin e ardhshëm UEFA Europa League, ndërsa Partizani, do të luajë në kompeticionin më të rëndësishëm eruropian, që është UEFA Champions League",-njofton Federata Shqiptare e Futbollit.