FSHF ultimatum Flamurtarit Paguaj ish-trajnerin Gjoka!

FSHF, ultimatum Flamurtarit: Paguaj ish-trajnerin Gjoka!

Federata Shqiptare e Futbollit ka dër guar një letër në Vlorë në lidhje me ish-trajnerin Ernest Gjoka. Pas zhvillimit të seancës së parë të gjyqit, ku në fakt munguan drejtuesit e Flamurtarit, FSHF ka dërguar në klubin vlonjat një ultimatum.

Ernest Gjoka

Ernest Gjoka

Me anë të tij, institucioni i futbollit detyron drejtuesit e Flamurtarit të paguajnë sa më shpejt ishtrajnerin, pasi në të kundërt do të penalizohen.

Ish-trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, kërkon 45 mijë euro, të cilat klubi ia ka borxh. Duke qenë se nuk ka pasur asnjë përfaqësues të Flamurtarit në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve, në seancën e parë që u zhvillua më 25 maj, gjyqi u shty, ndërsa palët do të njoftohen në vazhdim për datën e zhvillimit të seancës së radhës. Por papritur, FSHFja ka dërguar një letër në klub që palët të takohen sërish në gjyq për likuidimin e Gjokës.

Konfirmimi - Mbërritjen e ultimatumit të FSHF-së e ka konfirmuar edhe administratori Sinan Idrizi. Ai thotë se është i detyruar që t'i paguajë detyrimet ndaj Gjokës, ndërsa "thumbon" sërish ish-kryetarin e bashkisë Shpëtim Gjika, duke thënë se ata që kishin burrëri nuk i paguan.

"Po, është e vërtetë që në klub ka mbërritur një letër nga FSHF-ja. Na kërkohet që të paguajmë detyrimin prej 45 mijë euro ndaj ish-trajnerit Gjoka.

Nuk kemi çfarë të bëjmë, do t'i paguajmë, pasi ne i kemi në kurriz dhe se mund të rrezikojmë. Ata që ishin me burrëri nuk i paguan, tani do t'i paguajmë ne nga xhepi. Natyrisht që Gjoka ka shumë të drejtë dhe kërkon atë që i takon, pavarësisht se ne nuk i kemi borxhe, por janë të të tjerëve", tha Idrizi.

Trajneri - I kontaktuar dje nga "Panorama Sport", ish-trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka, u shpreh se kërkon të likuidohet.

"Kërkoj të marr lekët e mia, ato që më takojnë. Është e thjeshtë, dua likuidimin. Po e mësoj nga ju që administratori Idrizi ka vendosur të më paguajë. Unë them se jemi të gjithë të kënaqur për mbarimin me sukses të kësaj situate që ka zgjatur një vit e gjysmë.

Natyrisht, ai është një borxh që ma ka bashkia, por njëri do t'i paguante", u shpreh Gjoka.

Mesfushori - Gjatë ditës së fundit, drejtuesit e Flamurtarit kanë arritur akordin me mesfushorin Donjet Shkodra.

I lindur në Prishtinë, 27-vjeçari ka zhvilluar karrierën e tij futbollistike në kampionatin belg, ku edhe ka luajtur me disa skuadra dhe e fundit është ajo e Deinzesë. Lojtari pritet të vijë në ditët në vijim në Vlorë dhe të firmosë zyrtarisht kontratën me klubin e tij të ri.

ERMAL SIKA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama