Fabio Volo Rrefej histori per njerezit e Serise B

Fabio Volo: Rrefej histori per njerezit e Serise B
“Dritat e para të mëngjesit” është romani i fundit i shkrimtarit të suksesshëm italian, Fabio Volo. Ai është një njeri që i pëlqen humori, vishet në mënyrë sportive dhe shpesh e tepron me sportivitetin. Përshtypja e parë që të lë është ajo e një djaloshi që nuk kërkon të rritet dhe që në fakt është një nga shkrimtarët më të suksesshëm dhe më të mëdhenj të viteve të fundit në Itali. Romani i fundit, i cili sapo ka dalë në Itali, ka kapur majat e shitjeve. Libri rrëfen jetën e një gruaje të pakënaqur nga martesa. Tashmë ai dhe të gjithë librat që dalin prej duarve të tij janë shndërruar në një fenomen. Çdo gjë që ai prek me dorë, nga librat e deri te radioja apo kinemaja shndërrohet në sukses. Ja çfarë thotë vetë shkrimtari për suksesin, shkrimet dhe planet e tij.

Si bashkëjetoni me suksesin?

Mirë, edhe pse u përpoqën që të më bënin të ndihesha në faj. Por ju rrëfej se nuk kam qenë aspak i përgatitur për gjithë këtë vëmendje dhe sukses të veprave të mia. Madje as për kritika. Mendoja se do të kaloja pa u vënë re.

Kur keni nisur që të shkruani?

Kam nisur të shkruaj që në rini, shumë i ri dhe kam nisur që të publikoj në moshën 28-vjeçare. Kisha një fletore në të cilën shkruaja të gjitha tregimet e mia. Kam një armë shumë të fuqishme që është imagjinata. E kam ditë e natë në punë dhe shumë pjellore dhe falë saj, ia dal që të shkruaj pa reshtur. Të mendoj diçka dhe më pas ta realizoj, më bën që të ndihem mirë.

A konsultoheni me të tjerë kur shkruani?

Shkrimet e mia ua lexoj disa miqve të afërm që kam, te të cilët kam besim. Por në fund, jam unë ai që vendos për gjithçka. E kam mësuar nga babai im, i cili kishte një furrë buke dhe më fliste shpesh për atë që e quante “ndërgjegjja” e furrtarit. Ai thoshte se e kuptonte menjëherë nëse një bukë do të bëhej e mirë, apo jo.

Duket shumë pragmatiste...

Jeta ime është e tillë. Kur mendoj, përpiqem që të jem shumë praktik. Dhe kjo më ndodh në të gjitha llojet e veprimtarisë jetësore - kur lahem, eci, kur bëj pazar, kur luaj e dëfrehem, kur stukoj muret e shtëpisë. Nuk jam nga ata që mendojnë gjatë dhe thellë. Më pëlqen veprimi dhe duke vepruar, mendoj edhe për hapin pasues. Vij nga një familje që përdorte më shumë duart se sa kokën.

Familja juaj mund të përbënte problem për një njeri si ju që u bëtë shkrimtar i madh...

Ndoshta është kështu. Por mund të them se, edhe pse në fillim më dukej se nuk kisha përfituar gjë nga familja, me kalimin e kohës e kuptova që kisha marrë shumë nga prindërit e mi dhe nga ajo mënyrë jetese. Ishte një familje që nuk më ka bërë kurrë të ndihesha më i mirë, apo më i keq nga sa isha në të vërtetë dhe më ka edukuar për të respektuar gjithçka dhe të gjithë ata që punojnë dhe janë të ndershëm. Ishte një mënyrë rritje që më ka bërë shumë të përgjegjshëm. Kjo, edhe kur isha i ri dhe vendosa që të largohesha nga shtëpia.

Çfarë moshe kishit atëherë?

19 vjeç. Punoja me tim atë në furrën e tij të bukës por në një pikë thashë mjaft dhe vendosa që të larohem. Familjen time e lashë në kushte financiare shumë modeste dhe në fakt u duk sikur isha duke e braktisur anijen që po mbytej në momentin më të keq. Nuk ishte e lehtë që të largohesha dhe të nisja një jetë të re dhe të bëja pjesë në një botë tjetër.

Çfarë iu shtyu që të merrnit këtë vendim?

Nevoja për një jetë sociale që familja ime nuk ma ofronte dot. Kisha nevojë për përvoja të reja dhe të ndryshme. Veç kësaj isha i revoltuar nga varfëria e familjes dhe e miqve të mi. Më dukej e padrejtë, ndërkohë që punonin gjithë ditën dhe nuk kishin kohë që të merreshin me shkollim dhe me një ngritje sociale dhe intelektuale. Njerëzit që më kanë rrethuar ishin shumë të mirë, por të tjerë     që ishin më të pasur e kujtonin se kishin botën në dorë, jo gjithnjë silleshin mirë dhe sjellje të tilla fodulle më mbushnin me inat dhe tërbim. Ndaj vendosa që të largohem, të kuptoj veten, ta njoh dhe të ndryshoja ndoshta situatën. Por isha edhe i dëshpëruar, i dobët, e dija se nuk mund t’u isha më për ndihmë. Nga ana tjetër, e dija se po të dilja nga ajo familje do t’i bëja njerëzit e mi që të ndiheshin keq dhe të braktisur madje do të kujtonin se po i shpërfillja, duke u lënë që të kuptonin se isha më i mirë se ata. Kanë qenë kohë shumë dinamike, të mbushura me ngjarje dhe ndjenja.

Me çfarë u morët në momentin që u larguat nga shtëpia?

Për pak kohë qëndrova në Breshia ku edhe kam lindur, duke kërkuar punë në bare dhe lokale dhe diskoteka. Më pas nisa që të këndoja dhe duke qenë se isha edhe i zoti, erdhi edhe kontrata e parë me një shtëpi diskografike. Më pas radioja dhe gjithçka tjetër, pra letërsia.

A e keni ditur gjithmonë se çfarë donit që të bëheshit në jetë?

Aspak. Nuk dija që t’i bija asnjë vegle, nuk njihja gjuhët e huaja. Nuk kisha asnjë ide të qartë, vetëm vendosmëri të madhe. Isha i poseduar nga një zjarr, por nuk ishte një zjarr i shenjtë.

Çfarë doni të thoni me këtë?

Që nuk kisha ambicien e artistit. E imja ishte më shumë një nevojë për ndryshim. Dhe më pas kur e kuptova që mund të shprehesha, e bëra. Me pak vështirësi në fillim. Më kujtohet se kur arrita në Milano, për mua ishte një hap shumë i rëndësishëm. Por fillimisht kisha thjesht tendencë që të imitoja milanezët, mënyrën se si visheshin, se si flisnin, si silleshin. Isha si një majmun që kopjoja vazhdimisht. Por nuk më pëlqente ajo që po bëja, nuk më pëlqente ajo që po imitoja. Ndihesha gjithmonë jo në vendin e duhur, më dukej sikur nuk po bëja gjënë e duhur. Dhe kjo ndodhte si në fillim, kur nuk isha askush dhe më pas kur isha tashmë i famshëm. Edhe sot e kësaj dite ndonjëherë kam ndjesinë që po jetoj një jetë që nuk është e imja. Unë nuk jam në kuptimin e ngushtë të fjalës as shkrimtar, as gazetar, as këngëtar.

Është një pohim shumë i rrezikshëm...

Dua të them që nuk i përkas asnjë grupi, nuk kam një moto. Jam dhe do të mbetem një njeri i lirë e bredharak që falë inteligjencës së tij dhe shpesh dhe dinakërisë ia ka dalë që të mbijetojë, duke i shndërruar dobësitë e tij në pika të forta dhe suksesi. Kjo më ka lejuar që t’i jap dinjitet vetes dhe njerëzve që i dua, duke filluar nga familja ime.

Çfarë do të thotë të mos ndihesh shkrimtar, apo aktor?

Jam më pranë përkufizimit të një njeriu që shkruan rrëfime. Edhe kur xhirojnë një film, më duket sikur në të vërtetë zanati i aktorit është një tjetër, jo ai që po bëj unë. Edhe kur flas për shkrimet e mia, ndihem jo shumë i përshtatshëm për atë që bëj. Por çështja është se nuk dua që të dukem i ndryshëm nga ajo që jam.

Bëhet fjalë për ndershmëri, apo pasiguri?

Do të thosha më shumë pasiguri. Çështja është që duhet kurajë për ta deklaruar këtë pasiguri dhe kjo quhet ndershmëri.

Mendoni që edhe librat tuaj janë të ndershëm?

Mendoj që po. Në sensin që janë shkruar prej një njeriu të ndershëm. Nuk kam intuita gjeniale, apo këndvështrime të vështira filozofike e të hatashme. Unë rrëfej atë që shoh dhe që ndjej në mënyrën më të thjeshtë. Nuk mund të bëj më shumë, por nga ana tjetër nuk më intereson që të bëj një gjë tjetër, ndryshe nga ajo që bëj. Gjëja për të cilën jam krenar është që kam bërë të shkojnë në librari njerëz që nuk do të kishin vënë kurrë këmbën aty. Pjesë e suksesit është pikërisht transmetimi i autenticitetit dhe i ndershmërisë. Edhe pse marrëdhënia me botën është shumë e ndërlikuar.

Në çfarë kuptimi?

Ka një sërë njerëzish, kritikë, blogjesh që vazhdojnë të më sulmojnë Të më thonë se nuk jam i racës së shkrimtarëve të mëdhenj dhe se nuk duhet t’i lejoj vetes që të shkruaj dhe se i përkas dhe do t’i përkas gjithnjë provincës në të cilën kam lindur dhe u rrita. Unë ju them atyre që të më lënë të rrëfej edhe pse u dukem provincial, banal apo i paaftë.

A ju bezdisin kritikat?

Përpiqem që të bëj dallimin mes kritikave të mirëfillta për një libër dhe kritikave që më drejtohen mua personalisht për çështje që nuk kanë të bëjnë aspak me librin. Unë për shembull nuk bëj reklamë të veprave të mia dhe nuk bëj reklamë as për produkte të ndryshme. Më janë ofruar miliona dhe nuk kam pranuar. Një gjë të tillë nuk do ta bëj kurrë, sepse më duhet e pandershme që të shes besimin që kanë tek unë lexuesit e mi. Mendoj që ky sens ndershmërie më është transmetuar nga familja ime. Është shumë i rëndësishëm dhe do të doja që edhe kritikët të ishin pajisur me një sens të tillë ndershmërie.

A ktheheni shpesh në Breshia?

Jo. Kur shkoj qëndroj shumë pak. Jeta ime është gjetkë. Një pjesë të madhe të kohës e kaloj në Nju Jork dhe në Paris.

Si ndiheni jashtë Italisë?

Jashtë shtetit jam një person, ndërsa këtu një personazh.

A ju ka çuditur ndonjëherë suksesi i jashtëzakonshëm që keni?

Paksa. Nuk e kam menduar kurrë se do të arrija këtu ku jam. Por jam akuzuar për shumë gjëra. Për shembull se nuk jam unë ai që i shkruan librat e mi dhe madje shumë e quajnë një mister këtë që më ka ndodhur. Unë u kam shpjeguar të gjithëve që bëhet fjalë për një punë të madhe dhe të lodhshme dhe mbi të gjitha pasionante.

E quani veten një njeri të zakonshëm?

Jam objektivisht, edhe pse nuk jam shoqërisht.

Përse e keni ndërruar mbiemrin tuaj?

Kur erdha në Milano, shkrova një këngë që quhej “Volo”. Më pas një pjesë e njerëzve më thërrisnin Volo dhe mua m’u duk që ishte më i mirë se mbiemri që kisha, Bonetti.

A ka qenë fillimi i vështirë për ju?

Shumë i vështirë dhe i pakëndshëm. Nuk e njoh dhunën, atë të vërtetën. Vij nga rruga, por jo nga rruga e keqe dhe nuk jam rrahur kur kam qenë i vogël, por kam parë dhunë në formën e arrogancës dhe e kam parë që të ushtrohet te njerëz që i kam dashur dhe kjo më ka shkaktuar dhimbje. Ka një pjesë të botës që konsiderohet si Seria B dhe unë shpesh librat e mi i shkruaj pikërisht për këta lloj njerëzish. Më pëlqen që të gërmoj në jetët e tyre dhe të atyre që për shkak të pozicionit të lartë që kanë, dhunojnë njerëzit e Serisë B me arrogancën e tyre, duke i shkaktuar shpesh dëme të pandreqshme.

Çafër marrëdhënieje keni me vdekjen?

Nuk është një marrëdhënie frike, por sigurisht që do të më vinte keq nëse do të vdisja i ri. Nuk kam mendime të thella. Nuk mendoj se në botën e përtejme do të takohemi të gjithë një ditë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama