Lajmi i bujshëm i arrestimit të nipit të Enver Hoxhës si trafikant droge pas habisë së parë sjell vetvetiu një moment reflektimi. Përtej faktit se si një pinjoll i shquar i familjes Hoxha, që qeverisi për gjysëm shekulli Shqipërinë u katandis në një trafikant droge, një pyetje tjetër lind.
Ermal Ilir Hoxha u arrestua tani në kohën që shteti drejtohet nga një kryeministër i Partisë Socialiste, pasardhëses së Partisë së Punës të gjyshit të tij. Duke parë provat e para që mbërrijnë nga organet hetimore dhe sasinë kolosale të drogës së kapur, duket qartë se Ermal Hoxha nuk do ta ketë filluar dje këtë punë. Pjesëmarrja në një strukturë kriminale që trafikon sasira kaq të mëdha droge do një farë “zbori” disa vjeçar në këtë zanat.
Atëherë nipi i Enverit, por edhe nipi i Ramizit (e ëma është mbesë e Ramiz Alisë), si ka mundësi që u arrestua në epokën “Rama” dhe jo në atë “Berisha”. 8 vite të gjata qeverisi Sali Berisha, kundërshtari i flaktë i pasardhëseve të “bllokmenëve” dhe Ermal Hoxhës nuk i hyn gjëmbë në këmbë dhe arrestohet pikërisht nga ai që është cilësuar prej ish-kryeministrit si “përfaqësuesi i bllokmenëve”.
Edi Rama dje në mbrëmje përgëzoi policinë për arrestimin e trafikantëve, ndërsa Berisha heshti. Normalisht që nuk ka se si të flasë kaq shpejt. I duhet pak kohë për të përpunuar versionin e tij. “Nipi i Spiro Kolekës” arrestoi nipin e Enverit, fabula e vjetër ra, na duhet një e re.