Të bëjnë të humbasësh orë të tëra për të kontrolluar nëse të kanë ardhur mesazhe, për të shkruar, ose për të lexuar komentet që na kanë dërguar miqtë, për të mos folur pastaj për humbjen e intimitetit. Gjithmonë e më shumë njerëz sot nuk arrijnë të punojnë të qetë dhe kërkojnë me çdo kusht një rrugëdalje për t‘u kthyer në jetën e tyre normale. Sepse, "Facebooku"-u u ka prishur qetësinë. Ndoshta është kjo arsyeja se përse shumë ndërmarrje shtetërore apo private, përveç administratave publike, kërkojnë që të mbyllin aksesin për të hyrë në të gjatë orarit zyrtar të punës. Sepse, në epokën e "Facebook"-ut, jeta normale nuk ekziston më. Për shumë njerëz, të bëhesh pjesë e rrjetit social më të përdorur të momentit mund të jetë një gabim i pandreqshëm.
"Pas dy muajsh u kërkova miqve të mi që të dilja prej aty dhe ata të dëshpëruar më thanë se nuk dinin se si bëhej. E provuan, por nuk mundën dot", tregon një biznesmen i njohur amerikan. Rrjeti social më i përhapur në botë, i krijuar në vitin 2004 nga një student i Harvardit, Mark Zuckerberg, që ka kaluar edhe rivalin e tij të drejtpërdrejtë "MySpace", gjendet në 20 versione të ndryshme gjuhësh në të gjithë botën dhe numëron më shumë se 150 milionë përdorues. Nëse në Amerikë ka disa vite që po korr sukses të paparë, në Evropë po njihet gjithmonë e më shumë këto dy vitet e fundit. Sekreti i gjithë kësaj? "I shpejtë, i menjëhershëm, i personalizueshëm.
Mjafton të regjistrohesh dhe të zotërosh një pasuord", tregojnë përdoruesit. E në fakt, për të hyrë mjafton të krijosh një profil me çfarëdolloj të dhënash dhe fotografie, e pastaj je gati për t‘u lidhur me të njohur, miqtë e t‘u, ose miqtë e miqve, apo persona me interesa të përbashkëta. Pas shumë vitesh mungesë, aty mund të gjesh ish-shokët e shkollës, studentë, ish të dashurit, fansa, tifozë, por edhe komunitete kulturore, ose me interesa politike. Pastaj nisin bisedat, pyetjet e zakonshme se ku ke qenë gjithë këtë kohë, çfarë ke bërë dhe shfletimi i albumeve me fotografi një për një pa përtuar. Më fatlumët, ata që kanë internet në telefon, i bëjnë herë pas here rifreskim statusit të tyre, ose i përgjigjen shpesh pyetjes standarde në fillim të faqes: "Çfarë je duke bërë në këtë moment". Me pak fjalë, në çdo moment mund të shtosh çfarë të duash, por kjo varet edhe nga objektivi që kërkon të arrish.
Lind pyetja, a është i dobishëm? I mrekullueshëm për t‘u njohur me të tjerët dhe për të gjetur punë, asistencë, kontakte të dobishme. Jo më kot, edhe Barak Obama u mbështet në këtë sistem marrëdhëniesh për t‘u zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë. Sipas të dhënave, ka përdorues ku numri i miqve u shkon nga 5 deri në 8 mijë, pavarësisht se shumë prej tyre as që e dinë se kush janë. Por, pavarësisht anëve pozitive, një nga gjërat më stresuese është se kur regjistrohesh të duhet të japësh me patjetër një adresë e-mail-i që shndërrohet në makth nëse është ai që ti përdor çdo ditë, sepse çdo gjë që ndodh me ty apo miqtë e t‘u të vjen në postën elektronike brenda pak sekondave.
Për këtë arsye është më mirë që të japësh një adresë e-mail-i sekondare, kurrsesi atë të punës. Sepse aty vijnë me mijëra kërkesa nga njerëz për t‘u bërë shokë, ose për të nisur një marrëdhënie të re shoqërore. Pikërisht aty nis ankthi për të kërkuar qetësi. Nëse e mban hapur gjatë gjithë kohës postën tënde elektronike, do të vijnë të paktën dhjetë mesazhe nga "Facebook"-u brenda ditës, duke na bezdisur dhe prishur punë në momentet më të papërshtatshme të ditës; sepse do apo s‘do kureshtja të shtyn t‘i shohësh. "Sigurisht që nuk mund të pretendosh për intimitet, duke qenë se je bërë pjesë e këtij rrjeti me dëshirë. Për më tepër, kur futesh aty, të gjithë e dinë se nuk mund të flitet për privatësi", tregon një 26-vjeçare njujorkeze, që pranon se edhe të dashurin dhe punën e ka gjetur përmes kontakteve në "Facebook". Megjithatë, ashtu si pjesa më e madhe e brezit të saj të rritur në epokën e dixhitalizimit, ajo është e bindur se di t‘i ruajë marrëdhëniet brenda kufijve të lejuar.
Për më tepër, jep edhe këshilla për të mos qëndruar "të burgosur" pas tij. "Për ‘të shpëtuar‘ nuk është e thënë t‘u tregosh të tjerëve se çfarë bën. Më mirë akoma nëse nuk i bën të gjithë miq". Eh, në fakt, ka të drejtë, sepse kështu është më e thjeshtë që shefat ta kuptojnë që sot nuk ke dëshirë për të punuar, apo se çfarë bën në momente të caktuara gjatë orarit të punës. Mbi të gjitha, duhet të jemi të kujdesshëm për të mos treguar gënjeshtra që mund të zbulohen thjesht ("Ishe në punë? Po ti në ‘Facebook‘ kishte shkruar që kam dalë për të bërë shoping në një dyqan shik!" Për shumë përdorues frika më e madhe është ajo e ftesave: "Më mirë të mos e pranosh ftesën e dikujt që nuk e njeh mirë, se sa të ndryshosh ide dhe të detyrohesh ta fshish nga lista e miqve", shpjegojnë përdoruesit.
Është e vërtetë që mund ta fshish më vonë, por kjo gjë kuptohet dhe shpesh ju bën të ndiheni keq. "Facebook"-u është vërtet i keq për ata që nuk i njohin këto rregulla. Për ata që ende nuk e dinë, ka edhe një mënyrë tjetër më të mirë akoma për të qenë të lirë: të zgjedhësh opsionin ku mund ta fshish profilin tënd, por problemi është se ata që bëhen pjesë e tij nuk dalin dot kollaj, sepse "Facebooku"-u tani ka "përpirë" rreth 150 milionë njerëz që nga 2004-a.
Gazeta: Shqip