Më shumë meshkuj se femra
Duke qëndruar tek statistikat që datojnë për vendin tonë, shohim se në përqindje 66% e përdoruesve janë meshkuj dhe vetëm 34% femra. Rrjeti që mundëson këto statistika, bën një krahasim të ngjashëm me Lituaninë e cila ka një numër të përafërt përdoruesish me vendin tonë dhe qëndron një pozicion sipër nesh. Nga raporti del se në Lituani ka 45% përdorues meshkuj dhe 55% përdorues femra. Ndërkohë Paraguaji që ndodhet një pozicion poshtë vendit tonë, ka një raport 50 me 50 midis përdoruesve meshkuj dhe femra.
Të parët në botë
Të paktën për një herë të vetme jemi të parët në një listë ku listohen mbi 200 shtete të botës. Në këtë rast sipas faqes së intenetit, Shqipëria ka pasur edhe uljen më të lartë të përdoruesve për 6-mujorin e fundit në botë, ku 166 140 përdorues janë larguar nga Facebook. Kjo shifër është më e larta në listë, ndërkohë në anën e kundër qëndron India e cila në vetëm 6 muaj ka shtuar me 11 420 380 përdorues të Facebook.
Një shumëllojshmëri moshash
Njëkohësisht në statistika dalin se përdoruesit shqiptarë kanë edhe një shumëllojshmëri të lartë të moshave që përdorin “Facebook”. Moshat sipas statistikave fillojnë nga 13 vjeç e sipër. Por grup mosha 18-24 vjeç ka edhe përqindjen më të madhe prej 47%. Më pas vijnë grupmoshat: 25-34 vjeç me 23%, 16-17 vjeç me 12%, 13-15 vjeç me 8%, 35-44 vjeç me 7%, 45-54 vjeç me 3%, 55-64 vjeç me 1% dhe në fund janë moshat mbi 65 vjeç dhe nga 0 në 13 vjeç që së bashku kanë 1%.
Përdorim i shumëllojshëm
Por si e përdorin shqiptarët “Facebook”-un?! Përdorimi më i përhapur është ai për të ndenjur në kontatk me të tjerët, duke vendosur foto personale, duke biseduar, dhe duke ndenjur në kontakt me të afërmit dhe miqtë nëpër botë. Por jo vetëm kaq, faqet e “Facebook”, apo siç njihen nderyshe “fun page”, janë edhe mënyra më e shpejtë dhe efikase e zgjedhur nga kompani të ndryshme për të bërë reklamë. Me fjalë të tjera Facebook, është edhe një mënyrë e mirë për të bërë biznes sot. Ndërkohë, nuk mund të ngelet pa përmendur edhe keqpërdorimi i adresave.
Me mijëra fansa në faqet shqiptare
Janë të shumta faqet që kanë mijëra fansa dhe që ndiqen rregullisht nga qindra përdorues të “Facebook”-ut. Tre janë faqet më të klikuara: “Çudira nga Bota” me 588 758 fansa, “Tingujt e Jetës” me 387 630 fansa dhe “Origjinale” me 224 465 fansa. Ndoshta këto të tria disponojnë më shumë se të tjerat, por janë me qindra faqet e tjera që kanë mijëra fansa dhe që argëtojnë çdo ditë përdoruesit.
Stil më vete për të shtuar fansat
Jurgen Cama, një nga mijëra përdoruesit e “Facebook:-ut, tregon për “Shekulli”- n, një stil se si të shtosh fansat në një faqe. “Shumë biznese dhe firma të vogla përdorin “Facebook” për të bërë tregti dhe ndaj kërkojnë çdo ditë për të shtuar fansat, në mënyrë që ofertat e tyre të shihen nga sa më shumë persona. Ekziston një stil që përdoret nga shumë biznese. Ai konsiston në një konkurs që bën firma. Konkursi bëhet midis përdoruesve, të cilët duhet të fusin një foto në faqen e kompanisë dhe duhet të sigurojnë sa më shumë “like” apo “pëlqej” nëpër foto se të tjerët. Ai që merr më shumë, fiton një çmim të caktuar. Por për të marrë sa më shumë “like”, duhet që fillimisht të bëhesh fans dhe ndaj ata që marrin pjesë në konkurse e shpërndajnë nëpër faqet e tyre dhe miqtë që ka, bëhen fansa të faqes për t’i dhënë “like”. Në këtë moment faqja e biznesit, rrit ndjeshëm numrin e fansave. Në këto raste sa më e shtrenjtë të jetë oferta, aq më shumë fansa siguron”.
Jurgeni është një 17-vjeçar, i cili me anë të këtij “stili” të shtimit të fansave ka arritur të marrë edhe para. “Dikur më kërkoi një fotograf që t’i shtoja fansat dhe në këmbim do më jepte 150 euro nëse arrija shifrën e mbi 5 000 fansa. Ai ofroi një shërbim fotografik falas për atë që merr më shumë “like” në foton personale. Unë arrita t’i siguroja brenda muajit mbi 10 000 fansa në faqen e tij”. Jurgeni sot diponon edhe një nga faqet me më shumë fansa në Facebook, atë e cila renditet e dyta për Shqipërinë, “Tingujt e Jetës” me 387 630 fansa, por jo vetëm kaq. Prej disa kohësh “Facebook” ka futur në qarkullim në Amerikë dhe vende të tjera “Facebook Time Line”, një pamje grafike të re të rrjetit social më popullor në botë. “Në Shqipëri kjo pamje grafike ende nuk është futur për faktin se duhet shpërndahet në vende të ndryshme të botës që ndodhen përpara nesh, si: Italia, Franca, etj dhe më pas të vijë tek ne. Unë kam arritur ta marr këtë pamje grafike, pasi për Facebook unë jam një “bashkëpunëtor”. Kjo pasi nëse një person ka një faqe me shumë fansa dhe arrin të krijojë programe në brendësi të faqes për të argëtuar fansat, “Facebook” i cilëson si “bashkëpunëtor” dhe i mundëson të parëve çdo gjë të re”.
“Facebook Timeline” është një risi i drejtuesve të “Facebook”-ut, e prezantuar në shtator të këtij viti nga pronari dhe themeluesi i saj Mark Zucerberg dhe ka filluar të futet në përdorim fillimisht në Amerikë në fund të shtatorit dhe do të vazhdojë të shpërndahet në muajt në vijim për vendet e tjera. Mendohet që në Shqipëri, “Facebook Timeline” do të futet vitin e ardhshëm.