Dënimi i Skënderbeut me përjashtimin nga Kupat e Europës për një vit është zyrtar tashmë dhe i konfirmuar të hënën edhe nga klubi korçar. Por, organizmi që ka dhënë vendimin, UEFA, ende nuk e ka zbardhur dënimin dhe gjithashtu edhe ndeshjet që ajo i konsideron si të trukuara mbi bazë të të cilave ka ndëshkuar kampionët e Shqipërisë.
Gazeta "Panorama Sport" ka arritur të sigurojë një prej provave të forta mbi të cilën është marrë vendimi i dënimit të korçarëve. Përtej raporteve të kompanive të monitorimit të basteve, akuzës së hapur të portierit të Krusaders apo argumenteve të tjera të mbledhura nga UEFA, një "armë" e fortë e tyre është relacioni i gjyqtarit të sfidës Krusaders-Skënderbeu(3-2), e luajtur në korrik të vitit të kaluar, e vlefshme për turin e dytë të Ligës së Kampioneve.
Relacioni
Bëhet e ditur se UEFA ka marrë si provë relacionin e arbitrit kryesor të sfidës në Belfast, qipriotit Kristos Nikolaidhes. Gjasat janë që gjyqtari të ketë shkruar në relacionin e tij mbi dyshime të atij mund t'i jenë krijuar nga kjo sfidë. Korçarët mbetën me dhjetë lojtarë që në minutat e para të lojës, në një kohë që në pjesën e dytë u shënuan pesë gola. Korçarët udhëhiqnin 1-2 deri në minutën e dytë shtesë ku brenda 120 sekondash pësuan dy gola. Përveç kësaj, në ato minuta të fundit, vendësve iu anulua një gol, goditën një herë shtyllën, si edhe krijuan një sërë rastesh shumë të pastra.Mësohet se kjo është edhe ndeshja mbi të cilën UEFA ka marrë vendimin për dënimin e bardhekuqve.
Drejtësia
Gjatë të gjithë kësaj periudhe që pasi u bë publike se Skënderbeu ishte nën hetim nga UEFA si e dyshuar për trukim të ndeshjeve në Kupat e Europës, u hodhën shumë dyshime dhe hamendësime në lidhje me faktet që zotëronte organizmi i futbollit europian. Edhe pas daljes së vendimit, klubi korçar pretendon se është dënuar pa fakte, në një kohë që në mungesë të vendimit të argumentuar, një pjesë e mirë e opinionit janë dyshues dhe kërkojnë fakte. Por, drejtësia sportive me atë penale ndryshojnë në këtë pikë. Në sport dhe konkretisht në futboll, organet gjyqësore nuk kanë nevojë për përgjime telefonike, dëshmi konkrete apo argumente të tilla.
Në futboll mjafton edhe relacioni i arbitrit për t'u dënuar. Dhe deri në momentin që pala akuzuese nuk paraqet një provë të kundërt, atëherë relacioni i gjyqtarit apo zyrtarëve të tjerë konsiderohet fakt. Komisioni i Etikës pranë FSHFsë është mishërimi më i mirë për të treguar se si të dënon një komision sportiv. Dhe rastet në Shqipëri janë jo të pakta. Pikërisht ky komision është ngritur duke kopjuar ato të UEFA-s apo FIFA-s. Dhe në futboll mjafton relacioni apo edhe pamjet filmike.
Ndërsa, në drejtësinë penale kërkohen përgjimet telefonike, dëshmitë faktuese apo argumente të tjera që të vërtetojnë ngjarjen. Tashmë, do të pritet me shumë interes se si do të shqyrtohet çështja në KAS ku gjithçka është evazive. Mbetet për t'u parë nëse kjo gjykatë do të marrë parasysh provat sportive të UEFA-s apo do të vendosë duke u mbështetur në drejtësinë penale.
Besar Bozgo