Faktoret ndikues ne islamizimin e popullsise shqiptare Rrethanat politike dhe ekonomiko-shoqerore

Përhapja e islamit në tokat shqiptare ishte një dukuri e shkaktuar prej bashkëveprimit të një numri faktorësh të natyrave të ndryshme: politike, ekonomike, kulturore dhe fetare. Perandoria Osmane ishte një shtet islamik që pranonte të drejtën e ekzistencës brenda kufijve të tokave nën sundimin e vet edhe të komuniteteve fetare joislamike, mjafton që këto të fundit të njihnin pushtetin e sulltanit dhe të paguanin një taksë të caktuar (xhizjen) si kompensim për “mbrojtjen” që gëzonin nën hijen e sovranit osman. Kështu edhe në Shqipëri, pushtimi osman nuk u shoqërua me përdorimin e dhunës së organizuar e të drejtpërdrejtë shtetërore me synim çrrënjosjen e fesë ekzistuese (krishterimit) dhe imponimin e islamit në vend të saj. Dy prej sulltanëve osmanë, Selimi I dhe Murati IV, që projektuan islamizimin me forcë të të gjithë popullsisë së krishterë të perandorisë, u detyruan të hiqnin dorë që në fillesë prej këtyre projekteve për shkak të kundërshtimit të vendosur të drejtuesve të lartë të klerit islamik dhe të qarqeve kishtare. Mbijetesa e komuniteteve të krishtera në Shqipëri, pavarësisht nga tkurrjet e tyre për llogari të kalimeve masive në fenë islame, e vërteton më së miri atë që u tha më sipër.
Megjithatë, mjaft aspekte të politikës së shtetit osman kundrejt vendeve të krishtera të përfshira nën sundim, rrjedhimisht edhe ndaj Shqipërisë, shërbyen si shkaqe të mirëfillta që inkurajuan procesin e përhapjes së fesë islame ndër shqiptarët. Në radhë të parë këtu duhen përmendur mekanizmat politikë, që u përdorën për tërheqjen e fisnikërisë feudale vendase në hierarkinë ushtarako-administrative osmane. Qoftë nëpërmjet marrjes së pinjollëve të familjeve feudale shqiptare si pengje vasaliteti në Stamboll, qoftë nëpërmjet tërheqjes së një pjese tjetër drejtpërsëdrejti në sistemin e timarit (si timariotë të krishterë dhe më pas të islamizuar), shteti osman ia arriti të islamizojë dhe të inkuadrojë brenda strukturave të veta një pjesë të madhe të elitës së shoqërisë shqiptare të kohës. Pjesa tjetër, e cila vendosi të mos pajtohet me sundimin osman duke organizuar dhe udhëhequr një qëndresë të armatosur disa dhjetëravjeçare gjatë shek. XV, pas mposhtjes së kësaj qëndrese, ose u detyrua të braktisë vendin ose pranoi islamizmin, duke u integruar gjithashtu në sistemin e ri politik osman.
Nga ana tjetër, një ndër parimet bazë të ndërtimit administrativ të shtetit osman ishte sigurimi i nëpunësve dhe i funksionarëve të të gjitha niveleve të administratës kryesisht nga kontingjentet e islamizuara të individëve të grumbulluar në Stamboll nëpërmjet detyrimit të devshirmesë ose nga burime të tjera, siç ishin robërit e luftës të kapur në betejat e ndryshme të ushtrive osmane gjatë operacioneve luftarake. Një sistem i tillë i quajtur “sistemi i robërve” (kul sistemi) u përdor me sukses sidomos gjatë shekujve të parë të sundimit osman, duke u bërë burim i fuqisë dhe i qëndrueshmërisë së perandorisë, ngaqë kuadri drejtues i administratës shtetërore ishte përgatitur dhe edukuar rreptësisht me frymën e besnikërisë ndaj fesë islame dhe sulltanit. Për shkak të pozitës gjeopolitike delikate (ndodhej në brezin kufitar perëndimor të Perandorisë Osmane), si dhe të prirjeve luftarake të spikatura të banorëve të saj, Shqipëria u bë jo vetëm një nga vendet ku detyrimi i devshirmesë gjeti zbatimin më të gjerë, por edhe vendi që përgjithësisht u qeveris nga shqiptarë të dalë nga kontingjentet e lartpërmendura. Në këtë mënyrë, klasa ushtarako-administrative osmane në viset shqiptare, duke qenë etnikisht e njëjtë me të qeverisurit e vet, duke zotëruar jo vetëm pushtetin politik, por edhe atë ekonomik (ishte pronare e timareve, zeameteve, haseve etj.), u bë një faktor i rëndësishëm për depërtimin e islamit në radhët e bashkëkombësve të vet.
Përmasat e gjera të përhapjes së islamizmit në tokat shqiptare kanë lidhje edhe me ballafaqimet e ashpra të armatosura të popullit shqiptar me ushtritë osmane në kushtet e një qëndrese të pashembullt disa dhjetëravjeçare për mbrojtjen e lirisë dhe të pavarësisë së tokave shqiptare. Qëndresa antiosmane e shqiptarëve gjatë shek. XV, e cila kulmoi me luftërat nën udhëheqjen e Skënderbeut, u shtyp në vitin 1479 me rënien e qytetit të Shkodrës në duart e osmanllinjve. Dëmet e mëdha njerëzore, materiale e kulturore që pësoi populli shqiptar në këtë luftë u bënë kushte lehtësuese për depërtimin e islamizmit në radhët e popullsisë vendase të mbetur, sidomos asaj të përfshirë brenda rrezes së veprimeve luftarake. Braktisja e mjaft qendrave të banuara nga popullsia e krishterë, e cila mërgoi jashtë atdheut, krijoi mundësinë për islamizimin e këtyre vendbanimeve, duke pasur parasysh në këtë rast edhe grumbullimin e elementëve të islamizuar përreth. Shembull domethënës për këtë ishte qyteti i Shkodrës, i cili vetëm disa vjet pas rënies në duart e osmanllinjve, në defterin osman të regjistrimit të vitit 1485 rezulton i islamizuar në masën 48%.
Në mjaft raste lëshimi i besimit të krishterë dhe përqafimi i fesë islame nga popullsia shqiptare shihej si mjet shpëtimi nga ndëshkimi i pushtetit osman për shkak të pjesëmarrjes së saj në kryengritjet e ndryshme çlirimtare, duke bashkëpunuar edhe me shtete të ndryshme të Perëndimit. Kështu, p.sh., ndodhi pas shtypjes së kryengritjes shqiptare që shpërtheu gjatë luftës veneto-osmane të viteve 1646-1649, kur e gjithë popullsia katolike e qytetit të Tivarit dhe periferisë së tij u detyrua të mohojë besimin e vet dhe të kalojë në islamizëm. Rredhoja të tilla në procesin e islamizimit patën edhe ngjarje të tjera të kësaj natyre, si luftërat austro-osmane të viteve 1683-1699 dhe 1737-1739.
Braktisja e fesë së krishterë dhe përqafimi i islamizmit u stimuluan fuqishëm edhe nga detyrimi i popullsisë së krishterë për t’i paguar shtetit osman taksën e xhizjes. Në një mjedis shoqëror ku sundonte varfëria dhe skamja, pamundësia për ta paguar rregullisht një taksë të tillë, që me zhvlerësimet e monedhave të kohës rritej progresivisht në vlerë monetare, bënte që nga viti në vit barra e të prapambeturave nga kjo taksë të rëndohej deri në atë masë, sa që të krishterët taksapagues të çliroheshin nga ky detyrim duke gjetur si zgjidhje shpëtimtare braktisjen e besimit ekzistues dhe kalimin në fenë islame. Relatorët katolikë të shek. XVII-XVIII, përgjithësisht, xhizjen (haraçin) e konsiderojnë si faktor kryesor për gërryerjen e krishterimit dhe përhapjen e islamit ndër besimtarët shqiptarë. Sipas një raporti të vitit 1610 dërguar Vatikanit nga arkipeshkvi i Tivarit, Marin Bici, fshatra të tëra të Shqipërisë kishin mohuar besimin e krishterë për t’i shpëtuar pagesës së haraçit (xhizjes). Me qëllim që të shpëtonin besimtarët e vet nga rreziku i mohimit të fesë së krishterë dhe kalimit në islam, si rrjedhojë e rëndimit gjithnjë e më shumë të barrës së xhizjes, njerëz të rëndësishëm të hierarkisë kishtare katolike shqiptare, siç ishte p.sh. arkipeshkvi i Tivarit Vinçens Zmajeviç, sugjeruan edhe rrugëdalje të tilla nga kjo gjendje. E tillë ishte ndërhyrja pranë autoriteteve osmane për të përjashtuar nga kjo taksë kategoritë më të varfra të popullsisë, ose gjetja e mundësive për t’i shpërngulur në vendet katolike të Perëndimit, ku do t’u siguroheshin edhe kushtet e nevojshme për punë dhe jetesë. Kështu, më 1704, 117 banorë nga dioqeza e Tivarit ishin dërguar në Venedik ku ishin punësuar duke u inkuadruar me pagesë në ushtrinë e këtij vendi.
Shumë individë e ndërruan fenë duke pranuar islamizmin edhe si mundësi për të shmangur rrezikun e diskriminimit shoqëror dhe si mjet për të siguruar përparësitë politike dhe ekonomike që ofronte shoqëria osmane e kohës. Nga ana tjetër, prirjet dhe zotësitë luftarake të shqiptarëve në rrethanat e sundimit osman, kur nevojat ushtarake të perandorisë ishin aq të shumta, u ofronin atyre shanse të mëdha për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe për të siguruar mbijetesën nëse përqafonin islamin. Kështu që nuk ishin të paktë të krishterët shqiptarë që braktisnin fenë e tyre dhe përqafonin islamin, në mënyrë që të mundësonin përfshirjen e tyre në shërbime të ndryshme me karakter ushtarak. Rasti i mbrojtësve shqiptarë të kështjellës së Zhulatit (fshat në rrethin e Gjirokastrës), të cilët ndërruan fenë pasi vetëm kështu mund të mbeteshin në shërbimin e lartpërmendur, është fakt tepër domethënës për atë çka u theksua më sipër.
Mendimtarë të shquar shqiptarë, si Sami Frashëri, Fan S. Noli, Faik Konica etj., kanë vënë në dukje rolin jo të vogël që kanë luajtur karakteristikat e lartpërmendura në shtyrjen e popullsisë shqiptare drejt përqafimit të islamit. Në veprën e vet “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, S. Frashëri shkruan midis të tjerash se, “shqiptarët kishin zënë të marrënë besën’e tyrqet (turqve - shën. i aut.) e të bëhenë myslimanë që pa rënë Shqipëria në duar të tyrqet. Po si u bënë këta zotërinjt’ (sunduesit - shën. i aut.) e Shqipërisë, këthyerj’e besës u shtua shumë më tepër edhe më të gjith’ anët të Shqipërisë zunë të marrënë besën’ e mundëset (fitimtarëve - shën. i aut.) duke thënë tek është kordha, është besa! Shqipëtarëtë kanë këtë vetië që rëndonenë çpejt nga një besë e duanë gjithënjë ta ndërojnë; si pan’ që tyrqitë s’u bëjnë nder atyre që s’janë në besët të tyre, s’përtuanë për të marr’atë besë”.
Praktika e ndërrimit të fesë për hir të pragmatizmit politik, në të vërtetë kishte ekzistuar që në kohët mesjetare. Veçanërisht princat shqiptarë e kishin bërë zakon që përkatësinë e vet fetare t’ua përshtasnin aleancave me shtete të ndryshme të Lindjes ose të Perëndimit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama