Faktorët ndikues
Disa nga faktorët që ndikojnë në shfaqjen e bronkitit kronik mund të përmendim duhanin, infeksionet mikrobike, viruset stinore dhe faktorët ambientalë. Faktorë rreziku përbëjnë faktorët ambientalë si: tymi i duhanit, ndotja e ajrit, infeksionet virale në moshë të vogël, faktorët individualë si: raca, seksi, mënyra se si reagojnë ndaj tymit të duhanit apo infeksioneve virale kur janë fëmijë, si dhe deficiti i alfa1-antitripsina e cila është një proteinë që prodhohet nga mëlçia, e pajisur me një efekt të fortë “mbrojtës: mbi strukturat polmonare. Duhani është shkaktari kryesor, sidomos te meshkujt, sepse nëpërmjet pluhurit dhe përbërësve kimikë që përmban, nikotina dëmton mukozën e brendshme të bronkeve, ul imunitetin dhe bën që këta persona të preken më lehtë nga infeksionet mikrobike apo viruset stinore, që janë ndër shkaktarët kryesorë të shfaqjes së bronkitit. Po ashtu edhe
lagështia dhe i ftohti rrisin përqendrimin në ajër të lëndëve helmuese dhe toksike për mushkëritë, të cilat ulin imunitetin e organizmit dhe e bëjnë të preket më lehtë nga kjo sëmundje.
Komplikacionet
Bronkiti kronik përkufizohet si ndezja akute e rrugëve të mëdha të frymëmarrjes, bronkeve, e cila shoqërohet me kollë, sekrecion të hundës e temperaturë, si dhe simptoma të tjera të përgjithshme. Kjo sëmundje bën që i prekuri të ketë komplikacione të tjera duke qenë se prek rrugët e frymëmarrjes dhe pengon furnizimin e organizmit me oksigjen. Përveç se ndikon në cilësinë e jetës së pacientit, kjo sëmundje mund të çojë në insuficiencë të rëndë respiratore dhe atë që quhet zemër mushkërore. Kjo është një sëmundje mjaft e rëndë dhe shpesh fatale për pacientin. Ajo zë vendin e pestë në shkaqet vdekshmërisë ndër sëmundjet e përgjithshme.
Diagnostikimi
Diagnoza e bronkitit akut është një nga diagnozat më të shpeshta te mjeku i përgjithshëm edhe pse diagnoza dhe patofiziologjia e bronkitit akut janë shumë të paqarta. Diagnoza më e mirë do të ishte ndezje akute e traktit të frymëmarrjes, sepse rregullisht përveç bronkeve janë të prekura edhe pjesë të tjera të traktit të frymëmarrjes.
Mjekimi
Pasi pacienti dallon simptomat e para e rëndësishme është që të bëjë një kontroll te mjeku i familjes. Po ashtu rekomandohet të mos pini duhan, sepse është ndër faktorët kryesorë në shfaqjen e këtyre problemeve. Bronkiti kronik nuk është plotësisht i kurueshëm. Me trajtimet që mund të bëhen, kjo sëmundje vetëm mund të përmirësohet, por jo të kurohet përfundimisht.
Grupmoshat më të prekura nga bronkiti kronik
Grupmoshat më të prekura nga bronkiti kronik janë të moshuarit dhe fëmijët. Personat që pinë duhan ose qëndrojnë për një kohë të gjatë në ambiente ku pihet duhan janë më të rrezikuar për t’u prekur nga kjo sëmundje. Të predispozuar janë edhe ata persona që kanë nivel të ulët imuniteti, përfshi diabetikët apo personat e prekur nga sëmundje imunologjike. Natyrisht, edhe personat që kanë të afërm apo prindër të prekur nga bronkiti kronik. Meshkujt janë më të predispozuar për t’u sëmurë më tepër se femrat, sepse këto të fundit kanë një faktor imunitar mbrojtës më të fortë se meshkujt, kjo për shkak të hormoneve femërore që luajnë rol mbrojtës. Natyrisht që te meshkujt, përveç kësaj, ndikon edhe pirja e duhanit, punët në ambiente me pluhur etj.
Trashëgimia faktor ndikues në shfaqjen e bronkitit
Trashëgimia njihet si një ndër faktorët ndikues për shfaqjen e bronkitit kronik. Veçse jo domosdoshmërisht trashëgohet te fëmijët apo te të afërmit e tjerë të pacientit me këtë sëmundje. Ai shfaqet vetëm nëse gjen terren të përshtatshëm për të shpërthyer, pra nëse te një person, përveç bazës gjenetike, ekzistojnë apo ndërhyjnë dhe faktorë të tjerë rreziku. Personat që punojnë në ambiente me pluhur si minierat, fabrikat tekstilet apo me lëndë kimike, e transmetojnë sëmundjen edhe tek fëmijët, apo personat e afërt. Bronkiti kronik vitet e fundit është bërë një patologji mjaft e përhapur. Këtu natyrisht që ka ndikuar rritja e nivelit të ndotjes së ajrit, problemet në infrastrukturën urbane, kushtet e ulëta teknike në ndërtim, etj.
Bronkiti ndër sëmundjet që shkaktojnë kollë
Kolla mund të jetë akute dhe kronike. Kolla akute zgjat deri në tri javë, ndërsa ajo kronike shkon deri në 8 javë. Kolla shkaktohet nga sëmundje të ndryshme si ftohja në mushkëri, bronkiti kronik, astma bronkiale ose sëmundjet alergjike. Lëngjet e frutave dhe çajrat e shumëllojshme me prejardhje bimore japin efekte lehtësuese në rrugët e frymëmarrjes dhe në fyt, duke bërë që kolla të zbutet. Mjekët rekomandojnë pirjen në sasi të mëdha të këtyre lëngjeve, 2 deri në 3 litra në ditë. Gjithashtu ata këshillojnë që, të sëmurët që kanë kollë, të pinë ujë të ëmbëlsuar me mjaltë. Sipas mjekëve kjo është një kurë mjaft e mirë për të larguar kollën. Çajrat shërbejnë edhe në rastet, kur kolla shoqërohet me gëlbazë, pasi e bëjnë më të lehtë nxjerrjen jashtë të saj përmes kollitjes.
Ndikimi i të ftohtit dhe luhatjes së temperaturës
Periudha më problematike për personat që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes, veçanërisht të sëmurët me bronkit akut dhe kronik, është dimri. Në këtë periudhë i ftohti dhe luhatjet e theksuara të temperaturave ndikojnë në imunitetin e organizmit dhe krijojë terren për prekjen nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, që më pas gjenerojnë në bronkit. Personat e prekur nga bronkiti duhet të ndjekin disa rregulla të thjeshta, por që mund t’i ndihmojnë në eliminimin e komplikacioneve. Rekomandohet të mos pini duhan, sepse është ndër faktorët kryesorë ndikues për shfaqjen e këtyre problemeve. Në të njëjtën kohë këshillohet mosekspozimi në ambientet e ftohta, apo në publik dhe të shmangen agjentët irritues të sistemit të frymëmarrjes si tymi pasiv, pluhurat dhe ndotja e ambientit.
- Kollë e fortë
- Bllokim hundësh
- Sekrecione nga hunda
- Dhembje në kraharor
- Dobësi e përgjithshme trupore, debulesë
- Mungesë oreksi
- Dhembje koke
- Dhembje muskujsh dhe kockash
- Temperaturë jo e lartë