Fakulteti Filologjik pedagoget bojkot mesimit ne fundjave
- Botuar: 14 vite më parë
- Shkruar nga:
Fakulteti i Histori-Filologjisë ka bojkotuar mësimin këtë fundjavë për sistemin par-time dhe doktoraturën. Ky vendim është marrë si shenjë proteste ndaj ministrisë së Financave, e cila nuk i paguan pedagogët për orët shtesë në fundjavë. Në një prenoncim për “Gazetën Shqiptare” dekani i këtij fakulteti Shezai Rrokaj ka deklaruar se deri tani rroga e pedagogëve paguhet nga të ardhurat e vetë fakultetit dhe jo nga ministria. “Pedagogët kanë ardhur në punë për dy javë rresht pa u paguar, por ne nuk mund t’i detyrojmë dot hajdeni punoni dhe në fundjavë kur nuk i paguajmë. Edhe pse i kemi nisur një shkresë ministrisë së Financave, nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje për veprimin e tyre. Pasi paratë që do të paguhen, pedagogët, shefat e departamenteve, financa, punonjësit e bibliotekave apo sekretaritë që janë në punë gjatë fundjavave nuk bëhen me fond të buxhetit të shtetit, por janë nga të ardhurat e vetë fakultetit”, – ka deklaruar Shezai Rrokaj.
Në vazhdim Rrokaj është shprehur se është ministria e Financave që nuk lejon degën e thesarit që të kryhet pagesa. “Ndërhyrja e thesarit është e paligjshme, pasi vendimi i qeverisë ka lidhje vetëm me pagat që mbulohen nga buxheti i shtetit. Ndërsa kjo pagesë bëhet nga të ardhurat tona, por duke qenë se thesari nuk vepron pa urdhrin e Ministrisë së Financave, këto fonde edhe pse janë për pagesën e stafit ndihmës të fakultetit për orët suplementare, nuk përdoren dot” – tha ai.