Fakulteti i Shkencave Sociale- Bushati A ka Shqiperia nje politike te jashtme?

BushatiTIRANË, 28 Tetor /ATSH- I. Vata/ -Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka zhvilluar sot një bashkebisedim ne Fakultetin e Shkencave Sociale me temë: A ka Shqipëria një politikë të jashtme?.

Ministri i Jashtëm Bushati në fjalën e tij u shpreh se "Bota akademike është një botë që të shtyn natyrshëm drejt reflektimeve dhe analizave afatgjata. Ndërsa bota ime e përditshme, ajo e veprimit politiko-diplomatik, të imponon një ritëm më të shpejtë. Çelësi është si t'i ndërthurim këto dy botë me njëra-tjetrën. Ndaj mendoj se këtu është vendi i duhur për të reflektuar mbi pyetjen që parashtrojmë sot: "A ka Shqipëria një politikë të jashtme?" Mbase dikujt kjo mund t'i duket një pyetje absurde, por në kontekstin aktual ndërkombëtar është një pyetje e natyrshme për një ministër të Jashtëm".

"Shqipëria vjen nga një histori e ndërprerë zhvillimi me kapërcime të befta nga një rend historik në tjetrin. Kjo reflektohet edhe në tranzicionin e gjatë dhe të vështirë të vendit tonë drejt vendosjes të shtetit të së drejtës. Tranzicioni 25 vjeçar përkon gjithashtu me një krizë të thellë besimi tek vetja dhe tek institucionet që na përfaqësojnë. Janë pikërisht këto kriza që e kanë shndërruar refuzimin e djeshëm paranojak ndaj të huajve në një adhurim shpesh pa kushte. Kalimi nga një ekstrem në tjetrin ka pasur si pasojë edhe dyshimet herë të justifikuara dhe herë jo mbi ekzistencën e një doktrine të mirëfilltë të politikës së jashtme të Shqipërisë", tha Bushati.

Bushati theksoi se "Një vend i vogël, deri dje jashtë hartës politike, grupimeve dhe kornizave që përcaktonin fatet e rajonit, Shqipëria e viteve '90 rendi drejt anëtarësimeve dhe përfshirjes në disa organizata ndërkombëtare. Por sot, në një bote në kaos, në mungesë të një rendi të qartë botëror, thënë ndryshe, një botë "zero-polare", është e natyrshme të reflektosh mbi orientimin e politikës sonë të jashtme. Si kurrë më parë, bota po përjeton një transformim që vjen i imponuar nga rreziqet që burojnë nga globalizimi, urbanizimi i pandalshëm, ndryshimet demografike, flukset migratore, kriza financiare dhe thellimi i pabarazisë ekonomike dhe shoqërore".

"Kjo botë e pasigurt, pa rend dhe pa ekuilibra, shkakton dilema që prekin të gjitha vendet e botës, të mëdha ose të vogla, të fuqishme ose jo. Duke pasur parasysh sa më lart, lind pyetja: cilët janë boshtet që orientojnë politikën e jashtme të vendit tonë? Sigurisht, Shqipëria ndërvepron dhe ka detyrime brenda kornizës euro-atlantike. Por, politika jonë e jashtme orientohet pikë së pari nga interesat kombëtare të cilat mbrohen; Nga vlera dhe parime: që përbëjnë shtratin e vijueshmërisë së politikës sonë; Nga vullneti transformues: çka nënkupton përkufizimin e objektivave të qarta dhe skicimin e strategjisë përkatëse për arritjen e tyre; Nga përdorimi dhe krijimi i instrumenteve të veprimit diplomatik që jetësojnë strategjinë në rezultate konkrete dhe të matshëm. Pra, duhet filluar gjithnjë nga parimet dhe vlerat e patjetërsueshme ku mbështetet aksioni ynë diplomatik. Ndërsa rrethanat por edhe pozitat e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë ndryshojnë e përditësohen, vlerat dhe parimet mbeten", është shprehur Bushati. /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama