Në gjashtë vjet, që Athina po lëngon nga kriza e borxheve, ekonomia shqiptare ka pasur kohën e nevojshme që të shkëputet nga fqinji i sëmurë. Pesha e bankave me kapital grek ka rënë, Greqia nuk është më destinacioni i dytë i eksporteve, remitancat kanë filluar të rriten që nga gjysma e dytë e 2014-s. Megjithatë, Shqipëria nuk mund të mbetet imune, duke hyrë bashkë me gjithë Europën në një territor të paeksploruar….
Vendimi i të shtunës i Greqisë për të shpallur një referendum për paketën shpëtuese të dielën e 5 korrikut, teksa në 30 qershor skadon afati për pagesën 1.6 miliardë euro për FMN-në ka futur gjithë Europën nuë ujëra të paeskploruara. Eurogrupi hodhi poshtë kërkesën e qeverisë greke për të zgjeruar programin e saj e shpëtimit të BE-së deri në referendumin e papritur të javës së ardhshme, duke e bërë më të lartë sesa kurrë propabilitetin e daljes nga eurozona. Në Greqi tashmë paniku ka filluar dhe që të shtunën u panë radhë të gjata në automatët e bankave në qytetet e ndryshme të Greqisë. Eurozona po përgatitet seriozisht tashmë të minimizojë efektin e një paaftësie paguese dhe daljeje të mundshme të Greqisë nga eurozona.
Por, sa e ekspozuar është Shqipëria ndaj kësaj krize që është jo vetëm e fqinjëve, por dhe e gjithë Europës.
Në një fazë të parë Shqipëria mund të përfitojë nga vala e largimit të parave nga Greqia, duke pritur një pjesë të tyre, siç ndodhi në në qershor 2012, kur depozitat në valutë në sistemin bankar shqiptar shënuan një rritje të fortë mujore, jo sezonale, me rreth 6.5 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, më e larta e viteve të fundit. Rritja, në pjesën më të madhe erdhi nga largimit i depozitave nga bankat greke, si rrjedhojë e frikës së daljes së Greqisë nga euro në prag të zgjedhjeve të asaj kohe. Me emigrantët shqiptarë në Greqi, që vlerësohet se kanë kursime që arrijnë deri në 2 miliardë euro, një pjesë e parave të larguara nga shteti fqinjë ka ardhur gjatë tre viteve të fundit në Shqipëri.
Por, në një afat më të gjatë nëse kriza nëvendin fqinjë përshkallëzohet dhe shteti helen del nga euro, kanalet e ekspozimit në Shqipëri do të jenë disa:
Bankat me kapital grek, 17% të totalit të aktiveve; 1.2 miliardë euro depozita
Ndërsa deri në vitin 2008, bankat me kapital grek ishin në pararojë të sistemit, duke rritur me shpejtësi pozicionimin ën tregun shqiptar, sidomos në kredidhënie, pas kësaj periudhe roli i tyre u zbeh ndjeshëm. Kriza financiare dhe më pas ajo greke, që e detyroi shtetin helen të nënshkruante një marrëveshje shpëtimi me trojkën e BE-FMN- ECB, bëri që dhe bijat e tyre në Shqipëri të fillonin “tërheqjen”.
Në fund të vitit 2008, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, pesha e bankave me kapital grek në Shqipëri (që në atë kohë ishin katër: NBG, Tirana Bank, Alpha dhe Emporiki) ishte gati 28% e totalit të aktiveve të sistemit. Edhe më i lartë ishte roli i tyre në kredidhënie, me gati 41% të totalit. Duke përdorur fondet e mëmave, bankat greke konkurruan fort përmes normave të ulëta të interesit.
Por, pas 2008-s, bankat greke filluan uljen e ekspozimit të tyre në tregun shqiptar. Emporiki kaloi nën pronësinë e francezes Credit Agricole (pasi kjo e fundit shiti Credit Agricole në Greqi dhe mbajti vetëm degët në Ballkan), ndërsa tre bankat e tjera ngadalësuan ndjeshëm rritjen, në raport me sistemin.
Si rrjedhojë, në fund të vitit 2014, pesha e bankave me kapital grek (NBG, Tirana bank dhe Alpha bank) zbriti në 16.8% ndaj totalit të aktiveve dhe gati 19% të totalit të stokut të kredisë.
Rënien më të madhe e ka shënuar NBG, që zë sot 3.3% të aktiveve të sistemit bankar, nga 6.7% në 2008-n.
Rritja e shpejtë deri në 2008-n ishte me një kosto relativisht të lartë për këto banka, që sot kryesojnë në renditjen e huadhënësve problematikë. Deri në fund të 2013-s, Tirana Bank kishte 50% të huave të pakthyera në afat; Alpha 37% dhe NBG 34%.
Tre bankat greke, zotëronin në fund të 2014-s rreth 16% të totalit të depozitave në sistem, ose rreth 1.2 miliardë euro, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, ndërsa përbënin 18% të stokut të huadhënies.
Raporti kredi/depozita për të tre bankat greke ishte 62% në fund të vitit 2014, nga 55% që ishte mesatarja e sistemit, me NBG që e ka më të lartë këtë tregues në 83%, sipas të dhënave të përpunuara nga statistikat e Shoqatës së Bankave.
Rënia e peshës së bankave me kapital grek vitet e fundit është një zhvillim pozitiv, pasi ul ekspozimin e sistemit bankar ndaj zhvillimeve në shtetin fqinjë, që muajt e fundit gjendet në mes të dilemës nëse do të mbijetojë në zonën e euros apo jo.
Në Shqipëri, bankat greke ndodhen aktualisht nën “ethet” e mëmave, të cilave iu është kërkuar nga Banka Qendrore Europiane që të ulin ekspozimin e degëve të tyre në rajonin e Ballkanit.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Genti Sejko ka deklaruar në një intervistë pak kohë më parë për Monitor se bankat shqiptare me kapital grek janë me tepricë likuiditeti dhe të mirëkapitalizuara dhe operojnë normalisht dhe në mënyrë të suksesshme, ashtu si dhe bankat e tjera të sistemit bankar. “Bankat me kapital grek janë me vetëfinancim me burime nga depozituesit shqiptarë, duke e kryer aktivitetin ekonomik brenda territorit të Shqipërisë”. Sipas tij Banka e Shqipërisë ka marrë masa prej kohësh që ekspozimet nga tepricat e likuiditetit të bankave greke të mos jenë të vendosura te mëmat e tyre.
Ekspozimi i bankave greke monitorohet çdo ditë, në mënyrë që ato të mos kryejnë dot transferime likuiditeti. Sejko ka pohuar se, edhe nëse ndodh më e keqja, janë marrë të gjitha masat për sigurimin e likuiditetit dhe menaxhimin e bankave.
Greqia kryeson në investimet e huaja
Ndonëse shteti grek prej disa vitesh po vuan një krizë të thellë ekonomike dhe borxhesh, ai kryeson në Shqipëri përsa i përket stokut të investimeve të huaja direkte për vitin 2013. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, Greqia ka një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013, me një rritje prej 40% në raport me një vit më parë, ku vendin kryesor e zënë telekomunikacionet.
Nëse shteti grek vijon në bjerë më shumë në krizë, efekti do të ndihet dhe në investimet e huaja në Shqipëri, qoftë në fluksin e ri të investimeve ashtu dhe në daljen e të ardhurave nga investimet në formën e transferimit të fitimeve, që është rritur ndjeshëm vitin e fundit, teksa bijat do tentojnë t’u vijnë në ndihmë mëmave .
Intensifikimi i krizës në shtetin fqinjë, efekt te tregtia dhe remitancat
Një tjetër ekspozim lidhet me ndikimin që mund të ketë situata e paqartë në ekonominë e Greqisë, që është tashmë e dobësuar nga recesioni, që po zgjat prej gjashtë vitesh. Ndonëse Shqipëria i ka diversifikuar marrëdhëniet tregtare, duke u orientuar drejt shteteve të tjera, sërish lidhjet e bizneseve të jugut me Greqinë janë të forta.
Për katërmujorin e parë 2015, eksportet drejt Greqisë zinin vendin e pestë, pas Italisë, Kosovës, turqisë dhe Spanjës, me 3.6% të totalit. Grupi më i eksportuar për 4 mujorin e parë 2015 ishte “tekstile dhe këpucë”, me 41% të totalit. Një përshkallëzim i krizës do të vërë nën presion sipërmarrjet që punojnë me material porositësi në jug të vendit (kryesisht Gjirokastër e Korçë) të gjejnë partnerë të tjerë tregtarë veç kompanive greke. Edhe nëse vazhdojnë të punojnë me kompanitë greke, do të përfitojnë më pak të ardhura për shkak të zhvlerësimit të mundshëm të dhrahmisë së re.
Për importet Greqia ishte e treta, pas Italisë e Kinës me 8.3% të totalit. Grupi më i importuar ushqim, pije duhan me 32% të totalit. Zëvendësimi i kanaleve të importit duket më i thjeshtë për kompanitë e mëdha distributore me bazë në jug të vendit (kryesisht Gjirokastër), megjithëse kjo mund të rrisë kostot e importit. Gjithsesi, kompanitë importuese mund t’i gëzohen importeve më të lira në lekë ose euro, si rrjedhojë e zhvlerësimit të pritshëm të monedhës së re.
Vetëm disa vjet më parë Greqia ishte partneri i dytë tregtar i Shqipërisë si për eksportet ashtu dhe për importet.
Më i ndjeshëm do të jetë ndikimi përmes kanalit të emigrantëve, papunësia tek të cilët mund të rritet, duke i detyruar të kthehen në atdhe, ose të dërgojnë më pak remitanca. Greqia është shteti më i madh, ku jetojnë e punojnë emigrantët shqiptarë, me mbi 500 mijë të tillë. Megjithëse, remitancat kanë shënuar një tendencë rritjeje në gjysmën e dytë të 2014 dhe tremujorin e parë 2015 (ku u rritën me rreth 24% me bazë vjetore), kjo rritje mund të rezultojë e përkohshmë përballë një krize të paparashikueshme.
Përhapja në eurozonë
Të gjithë i tremben efektit të infektimit të krizës në euro në shtetet e tjera të brishta të eurozonës, sidomos Portugalia, Spanja dhe Italia. Me këtë të fundit lidhjet ekonomike janë shumë më të forta sesa me Greqinë. Përvoja e pas 2008-s ka treguar se ndonëse Shqipëria nuk është e integruar shumë financiarisht me eurozonën, ajo nuk është e imunizuar ndaj tronditjeve të saj. Një tjetër krizë në eurozonë, e shoqëruar me një zgjatje të recesionit do ndikonte dhe Shqipërinë, që ka si tregun kryesor të eksporteve dhe importeve të saj, pikërisht Bashkimin Europian (përkatësisht me 61% të importeve dhe 78% të eksporteve).
Paralajmërimi i S&P
Agjencia renditëse Standard and Poor’s paralajmëroi pak ditë më parë se ajo mund të zhvlerësojë renditjen e kredisë së Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Rumanisë dhe Serbisë në rast se telashet e Greqisë do të përhapen në sistemin e tyre bankar, shkruan Reuters.
Frika e S&P është se bankat greke zotërojnë banka të rëndësishme në këto shtete të Europës Juglindore dhe shqetësimi është se në rast se Athina do të detyrohet të dalë nga eurozona, huadhënësit e saj mund të falimentojnë, me një efekt domino në degët e tyre.Në rast se qeverive të ndryshme do të duhet tu shpëtojnë ato, kjo do të dëmtonte financat kombëtare dhe perspektivën afatgjatë të rritjes.
“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e mbështetjes së qeverisë për bankat,” tha S&P në një raport. “Në rast se një mbështetje e tillë do të dobësojë parametrat fiskalë dhe të borxhit të qeverisë, kjo mund të ndikojë negativisht në renditjen e tyre kombëtare.” Banka greke Alpha Bank ka përhapjen më të madhe gjeografike në rajon, me degë në Rumani, Bullgari, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni. Eurobank Ergasias dhe Piraeus Bank janë të dyja në Rumani dhe Bullgari dhe e fundit është gjithashtu në Serbi dhe Shqipëri. S&P tha se bankat mund të kontrollojnë degët e tyre për asetet e tyre më të mira, në një përpjekje për mbijetesë dhe përpjekjet e bankës qendrore për të ngritur kontrolle mund të jenë të pamjaftueshme për të ndaluar largimin e depozitave.
Pushime më të lira në ishujt grekë!
Një nga avantazhet e zhvlerësimit të monedhës së re greke (parashikimet janë që monedha e re të emetohet në raportet 1 me 1 me euron, por të zhvlerësohet me shpejtësi me 50%), do të jenë pushimet më të lira në shtetin grek. Megjithatë, kjo mund të amortizohet me çmime më të larta, teksa inflacioni pritet të kërcejë nëse Greqia do të emetojë monedhën e vet.
Minimizim i efektit panik
Por, ajo që mund të jetë më e rrezikshme dhe që duhet të bëhet maksimumi për ta minimizuar është përhapja e panikut, për shkak të lidhjeve të ngushta të Shqipërisë me Greqinë. Deri tani, për fat të mirë, Shqipëria ka qenë indiferente ndaj zhvillimeve në vendin fqinjë dhe është përqendruar tek zgjedhjet lokale. Le të shpresojmë se kjo indiferencë do të vazhdojë…
SKEDA
Ekspozimi i ekonomisë greke ndaj asaj shqiptare në shifra
-Bankat me kapital grek
17% të totalit të aktiveve
16% të depozitave, ose 1.2 miliardë euro
17% të stokut të kredisë
Raporti kredi depozita 62% (55% mesatarja e sistemit)
-Tregtia e jashtme
3.6% të eksporteve për 4 mujorin 2015, partneri i pestë tregtar, grupi më i eksportuar tekstile dhe këpucë me 41% të totalit
8.3% e importeve, partneri i tretë tregtar, grupi më i importuar ushqim, pije duhan me 32% të totalit
-Investimet e huaja
E para, me një stok të investimeve të huaja prej 1.07 miliardë eurosh në fund të vitit 2013./Revista Monitor