Falsifikimi i lejeve - Dosja e plote e Prokurorise per Gjiken

Falsifikimi i lejeve - Dosja e plote e Prokurorise per Gjiken

Hetimi i përfolur prej muajsh ndaj kryebashkiakut të Vlorës, Shpëtim Gjika, u zyrtarizua dje nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila tha se ai është marrë i pandehur për akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”. Gjika akuzohet se në bashkëpunim me një punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit, kanë falsifikuar procesverbalet e dy mbledhjeve të KRRT-së së Bashkisë. Mbi bazën e këtyre dokumenteve, kryebashkiaku Gjika ka miratuar dy leje ndërtimi për dy pallate, që janë ngritur në zona ku ndërtimi ishte i ndaluar.

 

Përveç dy zyrtarëve të Bashkisë, prokuroria tha se të pandehur janë marrë edhe gjashtë persona të tjerë, pronarët e tokës dhe përfaqësuesit e kompanive që kanë kryer ndërtimet. Ata akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe ndërtim të paligjshëm, pasi dyshohet se pronësinë e tokës e kanë përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara. Dosja ndaj të pandehurve tashmë i është dorëzuar Gjykatës së Vlorës, e cila pritet të nisë gjykimin ndaj kryetarit në detyrë të Bashkisë, Shpëtim Gjika dhe shtatë personave të tjerë.

 

Dy pallatet, që sipas prokurorisë janë ndërtuar me lejen e kryetarit të Bashkisë së Vlorës, pas falsifikimit të vendimeve të KRRT-së, ndodhen në portin e qytetit dhe në bulevardin Vlorë-Skelë, përballë Teatrit “Petro Marko”. Burime të organit të akuzës bëjnë me dije se hetimet për këtë çështje kanë nisur pas ankesave të disa qytetarëve,që denoncuan dy ndërtime të paligjshme. E para, një godinë shërbimi 2-6 kate plus papafingo, me një kat nëntokë, ishte ndërtuar brenda portit të Vlorës. Ndërsa godina e dytë, sipas prokurorisë është një pallat me 13-kate, me parkim nëntokë, që ndodhet përballë Teatrit “Petro Marko”, vend ku janë ndaluar ndërtimet, pasi është shpallur si zonë e gjelbër nga KRRTRSH-ja në vitin 2002.

 

Në shkurt të këtij viti, Prokuroria e Vlorës ka filluar procedimin penal për “falsifikim dokumentesh”, nisur nga ky pallat që ishte ndërtuar në një zonë të ndaluar. Pas verifikime të para, prokuroria mësoi se ky objekt, me pronarë trualli të pandehurit Aleks Ahmetaj, Artan Ferrati, Mustafa Tartari dhe me subjekt ndërtues kompaninë “Deco System” sh.p.k, me përfaqësues ligjor të pandehurin Blerdi Liçaj, ishte ndërtuar në bazë të lejes së ndërtimit, miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, nr.4/3, datë 15.07.2010. Ky informacion çoi hetuesit në Bashkinë e Vlorës, ku u kryen verifikime mbi dy vendime të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë, që zyrtarisht kishte miratuar edhe dy lejet e ndërtimit.

 

Por nga hetimet dhe procesverbalet e mbledhjeve të KRRT-së rezultoi se këto dy çështje, pra miratimi i lejeve të ndërtimit nuk ka qenë në rendin e ditës gjatë këtyre diskutimeve. Sipas drejtoreshës së kabinetit të kryeprokurorit, Fjorida Ballauri, Shpëtim Gjika në bashkëpunim me Eleni Dardhajn kanë falsifikuar procesverbalet e mbledhjeve të KRRT-së të datave 24 mars 2010 dhe 15 korrik 2010, duke u hapur rrugën këtyre godinave. “Kryetari i Bashkisë së Vlorës, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së ka lëshuar vendimet me nr.1/11 datë 24.03.2010 dhe nr.4/3, datë 15.07.2010, që janë dokumente të cilat kanë në përmbajtjen e tyre rrethana të rreme, pasi dy sheshet e ndërtimit dhe dy lejet e ndërtimit që përmenden në këto dokumente sikur janë marrë në shqyrtim dhe janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë. Në të vërtetë, nuk janë marrë në shqyrtim dhe nuk janë miratuar nga KRRT-ja e Bashkisë Vlorë”,- thotë prokuroria.

 

Sipas akuzës, është provuar nga dëshmitë e anëtarëve të KRRT-së së Vlorës, të cilët kanë deklaruar se në këto dy mbledhje nuk është diskutuar asnjë kërkesë apo propozim për leje ndërtimi në dy vendet, ku aktualisht gjenden dy pallatet e sekuestruara në fund të muajit korrik me vendim të Gjykatës së Vlorës. Të dhënat për këtë dy leje, sipas prokurorisë janë shtuar në procesverbalet e mbledhjes së KRRT-së nga e pandehura Eleni Dardhaj dhe më pas janë miratuar nga kryetari i Bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika. Po ashtu prokuroria thotë se të pandehur janë marrë edhe personat që kanë ndërtuar pallatin brenda Portit të Vlorës, të cilët sipas akuzës kanë qenë në dijeni se dokumentet e lëshuara nga Bashkia paraqisnin rrethana të rreme. Të pandehurit tashmë janë në pritje të nisjes së gjykimit nga Gjykata e Vlorës, e cila do të hedhë shortin për përzgjedhjen e gjyqtarëve që do të marrin në shqyrtim këtë çështje.

 

Zyrtarët e ALUIZNI, të përfshirë në pallatin 13-katësh

Zyrtarë të ALUIZNI-t të Vlorës, sipas prokurorisë dyshohet se janë përfshirë në një tjetër aferë që ka të bëjë më pronat ku janë ndërtuar dy objektet e paligjshme. Mënyra e përfitimit të këtyre tokave, sipas prokurorisë implikon zyrtarët e legalizimeve, të cilët kanë përfshirë në proces objektet e ndërtuara në zona që ishin përcaktuar si parqe më parë. Sipas prokurorisë, në rastin e truallit ku është ndërtuar objekti 13-katësh në bulevardin kryesor të qytetit të Vlorës, ALUIZNI ka pajisur me leje tre pronarët e tokës. “Në rastin konkret, të tria pasuritë e paluajtshme të të pandehurve Mustafa Tartari, Artan Ferati dhe Aleks Ahmataj, të kualifikuara për legalizim, janë pajisur me lejë legalizimi”,- thotë prokuroria.

 

Por ky proces kërkon ende verifikime, pasi trualli që ndodhet në bulevardin Vlorë-Skelë, përballë Teatrit “Petro Marko”, në vendin e quajtur “Tre Racat”, në Vlorë, është përfshirë në planin e miratuar me vendimin nr.5, datë 21.08.2002 të KRRTRSH-së, si dhe Rregullorja e Planit të Përgjithshëm të zonës qendrore të qytetit, i miratuar me vendim të KRRTRSH-së. “Ky plan rregullues parashikon në zonën qendrore ndërtime deri në 12 kate, ndërsa lidhur me pasuritë konkrete të mësipërme për të cilat është miratuar leja e legalizimit, në studimin urbanistik është parashikuar që të jetë zonë e gjelbër, që do të thotë se nuk mundet të bëhet ndërtim”, – thotë prokuroria. Sipas akuzës, në këto rrethana kanë filluar hetimet edhe për shqyrtimin e këtyre situatave, ndër të cilat dyshohet se janë të përfshirë edhe zyrtarë të ALUIZNI-it Vlorë.

 

Dy pallatet nën sekuestro, vlera 1.5 milionë euro

Dy objektet e ndërtuara pas falsifikimit të vendimeve të KRRT-së Vlorë, akuzë kjo e ngritur nga prokuroria ndaj kryebashkiakut të këtij qyteti, Shpëtim Gjika, janë sekuestruar në fund të muajit korrik me vendim gjykate. Vlera e dy pallateve sipas përllogaritjeve të ekspertëve kap shifrën e rreth 1.5 milionë eurove. Më 31 korrik të këtij viti, prokuroria tha se Gjykata e Vlorës kishte miratuar kërkesën për sekuestrimin e dy objekteve, pas hetimeve të nisura për falsifikim dokumentesh dhe ndërtim i paligjshëm. Një nga objektet e sekuestruara ishte një pallat banimi me 13 kate në ndërtim, i cili aktualisht ndodhet nën sekuestro pas ekzekutimit të vendimit nr. 273 datë 29.07.2013 të gjykatës së Vlorës. Bëhet fjalë për pallatin që ndodhet në bulevardin kryesor të qytetit, për të cilin prokuroria tha dje se ka marrë të pandehur kryetarin e bashkisë Vlorë, Shpëtim Gjika, i akuzuar për falsifikim dokumentesh.

 

“Sekuestrimi i këtij objekti është bërë mbi kërkesën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë për vendosje sekuestro preventive në kuadër të procedimit penal për veprën penale të parashikuar nga neni 248 “Falsifikimi i dokumenteve”, – tha asokohe prokuroria. Sipas saj, vlera e këtij objekti të sekuestruar kap shifrën e rreth 700 mijë eurove. Po në të njëjtën datë, më 21 korrik të këtij viti, prokuroria njoftoi se ishte sekuestruar një pallat banimi dhe shërbimi 2-6 kt. plus papafingo, i cili ishte në ndërtim e sipër. Kjo masë është marrë në ekzekutim të vendimit të Gjykatës së Vlorës, e cila urdhëroi sekuestron preventive për këtë objekt që ishte ndërtuar brenda portit të Vlorës. “Sekuestrimi i këtij objekti është bërë në kuadër të procedimit penal të vitit 2012, për veprën penale “ndërtimit pa leje”, – tha prokuroria, duke sqaruar asokohe se vlera e përafërt e këtij objekti është rreth 800 mijë euro.

Të pandehur

Shpëtim Gjika, kryetari i Bashkisë Vlorë, akuzuar për “falsifikim të dokumenteve”
Eleni Dardhaj, punonjëse në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit, akuzuar për “falsifikim të dokumenteve”
Gëzim Feta, akuzuar për “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim i paligjshëm”
Gentian Sherifaj, akuzuar për “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim i paligjshëm”
Blerdi Liçaj, akuzuar për “falsifikim të dokumenteve” dhe “ndërtim i paligjshëm”
Mustafa Tartari, akuzuar për “ndërtim të paligjshëm”
Artan Ferati, akuzuar për “ndërtim të paligjshëm”
Aleks Ahmataj, akuzuar për “ndërtim të paligjshëm”

 

Gjika: I tronditur nga Prokuroria dhe deklarata në ditë pushimi

 

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika reagoi dje i shokuar ndaj vendimit të Prokurorisë për ta dërguar në gjyq. Në një bisedë telefonike për “Ora News”, kryebashkiaku e ka cilësuar absurde deklaratën e Prokurorisë në ditë të diel dhe ka shtuar se do të marrë kohën e mjaftueshme për një reagim të plotë mbi procedimin penal. I kontaktuar nga MAPO, Gjika paralajmëroi një sqarim të plotë mbi çështjen, në një deklaratë për mediat gjatë ditës së sotme. Kryetari i Bashkisë së Vlorës akuzohet për falsifikim dokumentesh mbi dy pallate të ndërtuara në qytetin bregdetar. Hetimi për këtë çështje ka nisur disa muaj më parë, pas kallëzimit të qytetarëve për një pallat 13-katësh në afërsi të Teatrit “Petro Marko” dhe një tjetër në brendësi të Portit të Vlorës. Prokuroria tha dje se kryebashkiaku ka falsifikuar lejen e ndërtimit, por në reagimin e tij të djeshëm Gjika nuk dha ndonjë koment për akuzën.

 

Ai do të ulet në bankën e të akuzuarit së bashku me vartësen Eleni Dardhaj dhe 7 të pandehur të tjerë, të akuzuar për falsifikim dokumentesh. Përgjatë hetimit të kësaj çështjeje, kryetari i Bashkisë së Vlorës është marrë në pyetje nga prokuroria e rrethit, ku ka mohuar akuzat. Burime nga organi i akuzës i thanë MAPO-s se Gjika ka mohuar të ketë falsifikuar ndonjë dokument mbi dy pallatet e ngritura në qendër të qytetit dhe në port. Në dëshminë e tij, ai ua ka hedhur fajin firmave private dhe pronarëve të tokës, që kanë shkelur ligjin duke ndërtuar në kushtet e mungesës së lejes. Por prokuroria thotë se ka vërtetuar tashmë që Gjika është i implikuar në të dyja lejet e ndërtimit.

 

Emri i kryebashkiakut të Vlorës është lakuar së tepërmi pas ngjitjes së Ramës në pushtet dhe lançimit prej tij të nismës “Stop rrënimit”. Me dhjetëra qytetarë postuan foto të ndërtimeve pa leje apo në kundërshtim me planet rregulluese, e ku Vlora kryesonte listën e qyteteve të dëmtuara në këtë drejtim. Në portalin e hapur në faqen në Facebook të Kryeministrit nuk munguan kritikat dhe akuzat direkte ndaj Gjikës, ndërsa njerëz të afërm të tij flasin prej kohësh për një ftohje me kryeministrin Rama. Ky i fundit në vizitën e tij në Vlorë për prezantimin e prefektit Besnik Dervishi, nuk u shfaq për asnjë moment afër kryetarit të Bashkisë, Shpëtim Gjika. Tashmë, një ndër kryebashkiakët më të diskutuar të PS do të përballet me gjykatën për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve”, në një kohë kur Prokuroria po verifikon edhe ndërtime të tjera të kundraligjshme në qytetin e Vlorës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama