Fama qe u projektua nga çorapet e bukura te stergjyshit

Fama qe u projektua nga çorapet e bukura te stergjyshit

Ismail Kadare / Dita e lindjes në shënimet e “Ftesë në studio”. Viti 2015 duket se e ka afruar më shumë shkrimtarin me Stokholmin pas botimit të tre romanëve të tij në suedisht

Zilja e telefonit nuk pushon deri në mesnatë, çdo 28 janar në apartamentin e Kadaresë. Zakonisht vitet e fundit, janari e gjen në Paris, ku pas mëngjeseve në Kafe Rostand, fjalët përmes receptorit i japin një tjetër kuptim kësaj dite. Miq të vjetër, familjarë apo fansa të letërsisë së tij nxitojnë t’i urojnë ditëlindjen. Dje ishte sërish e mërkurë, ashtu siç ka qenë 79 vjet më parë, kur heshtjen në shtëpinë e madhe të Kadareve e theu zëri i një fëmije. Ishte djalë. E quajtën Ismail, ashtu si stërgjyshi i tij, Ismail Kadareja, një njeri i dëgjuar në ato anë për kalcunjat e tij të bukura (lloj çorapesh). Ismailit të parë i pëlqente moda, sa për këtë pasion të tij ka hyrë dhe në një këngë të vjetër gjirokastrite. Këngëtari, teksa rendit gjërat që mund të bëjnë të lumtur një njeri, krahas “sarajeve të vezirit”, “kopshtit të Çelo Kailit”, “nuseve të Dane Bakirit” dhe “zërit të bilbilit”, rendit dhe “kalcunjat e Ismailit”. Ideja e famës do t’i shfaqej për herë të parë shkrimtarit në formën e çorapeve të bukura.


“Në vitet studenteske, sidomos në ato të Moskës, kur pasioni për letërsinë m’u zbeh ca kohë, për shkak të ndjekjes së modës, disa herë më janë kujtuar, bashkë me fjalët: ‘ka për t’u bërë i dëgjuar si Ismail Kadareja’, kalcunjat e stërgjyshit. Me sa dukej, fama u mëdysh në fisin tonë midis sqimës në të veshur e letrave dhe turbullira ime moskovite s’qe veç një shenjë e fundit që më dërgonte im stërgjysh për të më mbushur mendjen se lavdia më e sigurt ishte ajo e tij”, shkruan Kadareja te “Ftesë në studio”. I lidhur me të shkuarën, Kadareja e ka përshkruar në librat që ka shkruar gjithë rrugëtimin e tij drejt librave, duke u nisur pikërisht nga ajo e mërkurë e vitit 1936 në Gjirokastër. “Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala “e mërkurë”. Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë!


Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë”, shkruan ai te “Ftesë në studio”. Lidhjen me të atin, shtëpinë e tij të lindjes ai do ta përshkruajë në mënyrë të hollësishme në “Kronikë në gur” apo “Çështje të marrëzisë”, sipas ribotimit që i bëri disa vite më parë. Ai do të tregonte me detaje mënyrën sesi ishte ndërtuar shtëpia dhe gjithçka tjetër që endej në atë “lagje të të marrëve”. Që i vogël, shkrimtari do të projektonte me mendje të ardhmen e kësaj banese karakteristike. Është interesante teksa shohim shënimet e tij në “Ftesë në studio” sesi rrënimi i pjesës jugore të shtëpisë në një moment do të vinte në lëvizje gjithë imagjinatën e tij për ta shpëtuar. “Për të penguar rrënimin, në kërkim të një përligjjeje, kam menduar të përdor emrin e emnakut tim të largët, stërgjyshit. E kam ende në shtëpi një kërkesë për Komitetin Ekzekutiv të Qytetit, ku shkruaj se “meqenëse stërgjyshi im, Ismail Kadare, është i përmendur në baladat popullore si një njeri që vishej me shije sipas traditës, duke dëshmuar kështu kulturën e lashtë të kombit tonë, autoktoninë e shqiptarëve si pasardhës të ilirëve etj., etj., ndoshta shihet e arsyeshme prej jush që shtëpia e Kadarenjve, një nga më të vjetrat e qytetit, të hyjë në numrin e ngrehinave që mirëmbahen nga shteti”, shkruan Kadare.

 

Kërkesën nuk do ta dërgonte asnjëherë, duke menduar se kujtimi i tij do të fyhej kur të çmohej prej burokratësh që s’dinin, veç të tjerash, as të visheshin. Kaq vite më pas, teksa lexon këto shënime, sheh se Kadareja nuk është gjë tjetër veçse një dimension tjetër i atij djaloshi të vogël, që kërkonte të mbronte shtëpinë nga rrënimi. Ashtu si në letrën që s’u dërgua kurrë, ai ngulmonte të ndalte prishjen e banesës, ashtu në këto vite krijimtari ai arriti të mbronte gjuhën dhe identitetin e një vendi, i cili kaloi një nga periudhat më të errëta të izolimit. Që me botimin e librit të tij të parë, kur ishte ende i ri e deri te libri i fundit që nxori në treg më vitin 2014, “Mëngjese në kafe Rostand“, Kadare është jo vetëm shkrimtari, por edhe shqiptari i madh. Viti 2015 duket se ka nisur mirë për shkrimtarin, i cili javën e parë të shkurtit do të udhëtojë drejt Jerusalemit për t’u nderuar nga Presidenti i vendit me çmimin e madh “Jerusalem”, që mori disa javë më parë. Octavio Paz, V. S. Naipaul, J. M. Coetzee dhe Mario Vargas Llosa e fituan “Jerusalem Prize” përpara se të merrnin çmimin “Nobel”. Në fakt, viti 2015 është duke dhënë shenja që ky mund të jetë dhe viti ku ky çmim i madh i letrave do të udhëtojë drejt Shqipërisë. Stokholmi duket se i ka hapur dyert letërsisë së tij. Shtëpia e njohur botuese “Modernista” ka hedhur në treg tre nga kryeveprat e tij, “Dimri i madh”, “Pallati i ëndrrave” dhe “Kronikë në gur”. Duke lexuar këta romanë, gazeta suedeze “Helsingborgs Dagblad” ka bërë një shkrim me titullin “Kafka shqiptar”. Një tjetër gazetë suedeze “Aftonbladet”, boton një shkrim për tre romanët e Kadaresë, duke e quajtur atë një emër të madh të kohës. Duket që përkthimi në suedisht dhe komentet pozitive nga kritika vendase mund të jenë dhe një shenjë që viti 2015 do të jetë dhe viti i Kadaresë, ashtu si letra e hershme e tij, ku ai parashikoi mbrojtjen e shtëpisë nga shteti. Dje, shkrimtari është kujtuar dhe përmes një mbrëmjeje në Bibliotekën Kombëtare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama