Të qenit nënë është një "kënaqësi e hidhur" për atë që punon dhe udhëton. Në fund të ditës, pasi ka shëtitur aeroportet dhe ka kaluar drekën nën shoqërinë e presidentëve të firmave të ndryshme dhe bashkëbisedimeve, vjen një pauzë e vogël lirie. Edhe pse është e vështirë të mbash një ekuilibër mes nevojave për udhëtime pune dhe jetës familjare, për grupin relativisht të dobët të nënave që udhëtojnë dhe punojnë në të njëjtën kohë çasti mund të jetë i shkëlqyer. Asnjë çështje nuk shpejtohet. Për shumë nëna në karrierë, udhëtimet e punës "kthehen" në pushime të vogla. Për këto femra, të cilat janë të mbushura me angazhime në të dyja krahët, kënaqësia e një gjumi të thjeshtë të ndërprerë dhe vaktet e trazuara, kjo "arratisje" duket si një çlodhje shumë e rehatshme. Mjaft duke u stresuar, siç ndodh shpesh, një masazh ose një darkë e këndshme me një mike të vjetër dhe për nënën e një fëmije të sapolindur, të rritur, ose adoleshent, përvoja mund të kthehet në një pushim të vërtetë.
Sipas ekspertëve, nënat nisen për udhëtime pune jo gjithmonë të shoqëruara nga burrat e tyre. Sot, femrat në karrierë janë më të shumta në numër dhe një studim i bërë në Uashington ka zbuluar që, në vitin 2007, 43 për qind që kanë udhëtuar ishin femra, në krahasim me vitin 2000, ku përqindja e tyre ka qenë 39 për qind.
Femrave, udhëtimet e punës u japin një pamje më fisnike, sepse janë ato të cilat drejtojnë jetën shtëpiake, duke bërë kështu një zgjedhje të detyrueshme për të hequr dorë nga bota e biznesit për t‘iu rikthyer punëve të shtëpisë.
"Është e mrekullueshme kur të gjendet një minutë kohë për veten, për t‘u ndier një qenie njerëzore: kur je larg punëve dhe ndoshta faktit të qenit nënë", thotë Maureen Borzaçhiello, pronare e një zinxhiri hotelesh në Nju Jork, e cila kujdeset edhe për përgatitjen e mesazheve promocionale dhe reklamave. "Jam e lumtur kur arrij të lirohem, qoftë edhe një minutë". Megjithatë, si të gjitha femrat e tjera në karrierë, Borzaçhiello, e cila çdo shtatë-tetë javë largohet nga familja për udhëtime që variojnë nga dy deri në katër ditë, kupton që udhëtimet janë emocionalisht mallëngjime. Ajo lë në dhomën e djalit të saj letra të shkruara, të tipit "Mami të do shumë" dhe rezervon fluturime që korrespondojnë me orarin e gjumit të fëmijës. Maureen thotë se sa herë që ndahen, ajo ndjen një boshllëk të madh në stomak. Erin Fuller, drejtoreshë e Shoqatës Kombëtare të Grave të Pavarura, organizatë jofitimprurëse në Virginia, me tetëmijë degë në të gjithë shtetin, thotë që "femrat provojnë ndjenja konfliktuale kundrejt udhëtimeve të punës. Sidomos kur fëmijët janë të vegjël, është shumë e vështirë. Në radhën e saj, Fuller, nënë e një fëmije 18-muajsh, është në lëvizje të pandërprerë dhe përshkon qytetin për të marrë pjesë në mbledhje dhe për të mbledhur fonde. "Por, që kur ka lindur im bir, kërkoj që të dërgoj njerëz të tjerë për të më zëvendësuar, ose mundohem që t‘i zgjidh punët e mia me telefon. Kur nuk mund të bëj gjë tjetër veçse të udhëtoj, kërkoj që të mbaroj punë shpejt dhe të kthehem brenda ditës, ose të paktën mundohem të vij herët në mëngjes, para se djali im të zgjohet. Është shumë e rrallë të gjesh një grua me familjen e saj, që arrin të gjejë një ditë për të dalë shëtitje", thotë ajo. "Në korrik kishim një takim në Meksikë.
Nuk kisha qenë kurrë aty dhe të mos kisha një fëmijë, padyshim që do të isha tunduar dhe do të kisha vizituar mrekullitë e vendit. Por, dola nga holli i hotelit, duke shpejtuar për të kapur fluturimin që do më sillte në Uashington brenda natës". Por edhe Fuller mendon se udhëtimet e vetmuara të punës janë një lehtësim, veçanërisht udhëtimi vetëm, një moment që për të ka shijen e "kohës së gjetur". "Mbaj një sërë revistash, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me punën dhe gjatë udhëtimit arrij t‘i mbaroj pa më ndërprerë ndokush", thotë ajo. "Është bukur të jesh larg gjithçkaje". Për të tjera, emocioni i vërtetë vjen në momentin kur shkojnë për të fjetur. Kohët e fundit, Ana, një publiciste në Nju Xhersi, ndërkohë që përgatitej për udhëtimin e parë të saj të punës në "Atlantic City", ëndërronte që kur të mbërrinte atje të bënte një masazh qetësues, madje dhe një manikyr. Por ajo që e emociononte me të vërtetë ishte fjetja. "Do të telefonoj në shtëpi 100 herë në ditë, por ideja se do të fle në një shtrat pa vajzën time dyvjeçare, e cila gjatë natës më kërkon lëng frutash, është e pabesueshme, thotë ajo. Më mjafton vetëm mendimi që do të jem vetëm për një natë. Më duhet ta pranoj që mezi po e pres çastin. Ndonjëherë ndiej që kam nevojë edhe për vetminë."
Ato që preferojnë karrierën
Sot në 100 familje evropiane, një në katër është e formuar vetëm nga një person, një në dhjetë ka vetëm një prind, ndërsa një në pesë është e formuar nga çifte pa fëmijë. Familjet tradicionale, ato të përbëra nga të dy prindërit dhe me shumë fëmijë janë me të vërtetë shumë pak: madje janë sa dyfishi i atyre me fëmijë. Numri i fëmijëve në familje është reduktuar ndjeshëm. Për shumë çifte fëmijët janë bërë të parëndësishëm, madje shpesh shihen si pengesa për të arritur qëllimet që çiftet i kishin vënë vetes. Kushtojnë shumë dhe hapin vetëm telashe, janë ankesat që dëgjohen më shpesh nga çiftet sot. Po, po, është e vërtetë, të lindësh fëmijë sot duket si një sipërmarrje e vështirë. Shumë nëna i cilësojnë ata si barrë që shkaktojnë lodhje, që kërkojnë kohë, kujdes, para. Gjithmonë e më shumë gratë dhe çiftet e martuara janë përqendruar te karriera, ndaj mendojnë se fëmijët nuk do të bënin gjë tjetër veçse do të pengonin projektet që ata kanë hartuar për veten.
Nga : Gazeta Shqip