“Juliani e pa eksplozivin. Ai ishte hedhur brenda ambienteve të lokalit dhe nuk i kushtoi vëmendje. Lënda plasëse ishte e mbështjellë me një qese plastmase, ngjyrë të zezë, dhe Juli kujtoi se ishte ndonjë plehrë e hedhur. Kati i dytë i godinës funksiononte si zyra, por ishte shumë i pisët si ambient. Kështu që ajo qesja nuk ishte ndonjë gjë e dyshimtë. Kati i parë ka qenë lokal, por ishte mbyllur dhe si pasojë e kësaj ishte kthyer në vendgrumbullim plehrash”. Kështu shprehen familjarët e Julian Çelës, juristit të Armand Cekës, i cili ka humbur dy këmbët pas shpërthimit të tritolit, në godinën e pronarit të tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë, rreth orës 10:20, paraditen e 26 shkurtit, ku si pasojë e një shpërthimi me tritol mbetën të plagosur rëndë tre persona, Armand Ceka, 33 vjeç; Julian Çela, 28 vjeç, si dhe Artur Sharra 44 vjeç. Sipas familjarëve, Julian Çela prej tre vitesh kishte përfunduar arsimin e lartë për juridik, por nuk kishte mundur që të gjente punë në profesionin e tij.
Çela, babai i një fëmije 4-muajsh, gjatë kësaj periudhe kishte bërë punë të ndryshme. Para një viti, ai së bashku me bashkëshorten kishin marrë një lokal me qira, pranë vendit ku ndodhi shpërthimi me tritol, por e kishin mbyllur pasi biznesi nuk u kishte ecur. Aty mendohet që të jetë njohur edhe me Armand Cekën, biznesmenin e ndërtimit, i cili ishte klient i përhershëm i lokalit. Sipas familjarëve, 33-vjeçari kishte krijuar marrëdhënie miqësore me Julian Çelën. Pas disa muajsh, juristi është detyruar që ta mbyllë lokalin dhe Armand Ceka, duke vlerësuar cilësitë pozitive të të riut, e ka kontaktuar në telefon për t’i ofruar punë. Familjarët thonë se prej rreth katër muajsh, ai punonte për biznesmenin e ndërtimit. “Juli u gëzua kur gjeti punë në profesionin e tij. Gjatë gjithë kësaj kohe ka punuar si kamerier dhe punë të tjera që nuk kanë pasur lidhje me shkollën për të cilën kishte përfunduar. Pronari i dha një rrogë prej 20 mijë lekësh, por Juli nuk refuzoi. E rëndësishme për të ishte që të hidhte hapat e para në profesionin për të cilën kishte përfunduar arsimimin. Ishte shumë korrekt në atë që bënte. Armandi ia jepte rrogën, ndonëse me vonesë. I kishte premtuar se do t’ia rriste pagën, por kjo nuk ndodhi gjatë këtyre katër muajve. Ai nuk ka qenë as i siguruar”, shprehen familjarët. Ata janë shumë të acaruar për mënyrën që i kanë bërë atentat Armand Cekës.
Thonë që personat të cilët kërkonin vdekjen e biznesmenit, duhet të merrnin parasysh edhe faktin që ai ishte i shoqëruar me persona të tjerë, të cilët kanë qenë të pafajshëm. “Nuk arrij ta kuptoj se si këta persona janë kaq të papërgjegjshëm. Unë e kuptoj që problemet i kanë pasur me pronarin, por përse duhet të ishin kaq të pashpirt, sa të dëmtonin edhe persona të tjerë, që nuk kanë lidhje. Juliani ishte një punonjës, që kishte shkuar aty për të nxjerrë bukën e gojës. Ai ka një fëmijë të vogël për të rritur dhe nuk e dimë se si do t’i shkojë halli kësaj pune. Prej shpërthimit ai ka humbur të dyja këmbët”, tregojnë të afërmit e juristit. Ata thonë gjithashtu se Juliani ishte në dijeni të problemeve të Armand Cekës, por pavarësisht kësaj rrezikoi që të punonte për të, për shkak të problemeve ekonomike. Ai nuk i kishte treguar kurrë bashkëshortes, pasi nuk donte që ta shqetësonte. “Juli na pati thënë që Armand Ceka kishte probleme, por nuk donte të hiqte dorë, sepse ishte nevojtar.
Ai ishte me idenë që nuk do t’i ndodhte asgjë e keqe, pasi nuk ishte i përfshirë në problemet e pronarit. Dimë që ai ka pasur shumë fluks pune, gjatë këtyre katër muajve. Jam vënë në dijeni prej Julit se Armand Ceka kishte rreth dhjetë procese gjyqësore të hapura me klientët e tij dhe persona të ndryshëm. Por Juli personalisht nuk është ndeshur me ndonjërin prej klientëve të pronarit. Ai përgatiste vetëm dosjet që çoheshin në gjykatë, sepse më pas çështja ndiqej nga avokati i Armandit. Pronari rrinte më shumë i fshehur se sa rrugëve, pasi njerëzit nuk e linin të qetë. I kërkuam që katin e parë të vendit ku ndodhi shpërthimi, ta merrnim me qira që ta bënim lokal. Ai nuk na e la, pasi tha që ka rreth 7 milionë lekë borxh te CEZ-i. Prej shumë vitesh nuk kishte paguar energjinë dhe andaj e kishte mbyllur barin. Madje edhe për këtë kishte një gjyq të hapur. Pastaj tha se do ta bënte lokalin minimarket”, thonë ata.
Përpara shpërthimit, Julian Çela ka qenë duke folur me bashkëshorten. Biseda mes tyre ka mbetur përgjysmë, pasi juristi është thërritur nga pronari i tij. “Juliani doli nga godina, por u rikthye sërish, sepse e thërriti Armandi. Atë kohë ai ka qenë duke folur në telefon me bashkëshorten. Biseda ka mbetur përgjysmë mes çiftit, pasi ai i tha që duhej të kthehej tek zyra, pasi pronari do t’i jepte diçka. Kur është mbyllur telefoni, atë moment ka ndodhur edhe shpërthimi. Autorët e krimit kanë ndjekur nga distanca të gjithë situatën. Ata kanë bërë shpërthimin, pa e marrë parasysh që aty ishin edhe persona të pafajshëm”, tregojnë familjarët për momentin e fundit që kanë kontaktuar me të riun. Një djalë nga qyteti i Gramshit ka marrë në telefon familjarët e juristit. Me një kujdes të jashtëzakonshëm, ai u ka thënë të afërmve për ngjarjen. “Një telefonatë na mbërrin nga numri i Julit. Zëri nuk ishte i tij dhe fillimisht dyshuam se Juli kishte humbur telefonin, ose ia kishin vjedhur. Ai djali na sqaroi për ngjarjen. Ishte shumë i kujdesshëm kur fliste, pasi nuk donte që të na lëndonte. Na tha që Juli kishte bërë një aksident dhe duhet të shkonim tek Spitali Ushtarak. Na tha që të mos shqetësoheshim pasi telefonin e kishte ai. Ne nuk e dimë se kush është ky personi, por e falënderojmë për atë që na bëri. Gjithashtu duhet të falënderojmë edhe personat që e sollën Julin në spital!”, e mbyllin rrëfimin ata.
Shëndeti
Tre të plagosurit, në gjendje të rëndë
Policia pret që të merren në pyetje edhe të plagosurit, të cilët vijojnë të jenë në reanimacion. Mjekët bëjnë me dije se Artur Sharra ka dalë nga rreziku për jetën, edhe pse po kurohet në Spitalin Ushtarak. Sipas burimeve, në momentin e shpërthimit, 44-vjeçari ka qenë duke parkuar automjetin, pranë godinës. Ai ka pësuar vetëm disa plagë të lehta në pjesë të ndryshme të trupit, pasi ishte pak metra larg dy personave të tjerë. Ndërsa Armand Ceka ka humbur njërën këmbë, por mjekët thonë që ka shpëtuar. Situata paraqitet më e rëndë për juristin. Familjarët nuk kanë mundur që të flasin me 28-vjeçarin, ndonëse mjekët u kanë thënë që ai ka dalë nga rreziku për jetën. Çela ka pësuar plagë serioze në trup dhe ka humbur të dyja këmbët.