Familja mbeshtetesja kryesore e artistit

'Familja, mbeshtetesja kryesore e artistit'

“Unë mund të kontribuoj me zërin tim, por këta njerëz kanë nevojë për shumë dashuri. Kanë nevojë për mbështetje morale nga të gjithë ne, prandaj secili prej nesh duhet të kontribuojë që ata të ndihen mirë”. Këto janë fjalët që tha tenori Saimir Pirgu në një bisedë për “Shekullin”, para koncertit që vjen sonte në TKOB. Pirgu tregon se si lindi ky koncert, cili është qëllimi i tij, dhe se çfarë i “detyrohet” shoqëria jonë kësaj shtrese, në mënyrë që të ndikojë sadopak jo vetëm në mirëqenien e saj, por dhe në gjendjen e tyre shpirtërore. E ndoshta Pirgu, tashmë është një ndër më të kërkuarit në skenat ndërkombëtare, por me thjeshtësinë më të madhe ai pranon të rikthehet në Shqipëri për një qëllim bamirësie. Ai rikthehet në Tiranë për të kontribuar me zërin e tij për sindromën daun, sonte, ora 20.00, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, bashkë me të interpretojnë dhe artistët e tjerë, si Marjana Leka, Vikena Kamenica dhe Sidrit Bejleri. Dirigjent i Orkestrës është Zhani Ciko.

Si të duket Shqipëria kësaj here?

Unë vij përherë në Shqipëri, por nëse është fjala për ndryshimet në politikë, mendoj se është ende herët për të folur për to.

Si lindi ky bashkëpunim për të bërë një koncert në ndihmë të njerëzve të prekur nga sindroma daun?

Kanë qenë disa mesazhe në postën time elektronike, midis të cilëve ka qenë dhe ai i themelueses së këtij fondacioni, zonjës Emanuela Zaimi. Asokohe kam qenë i ngarkuar me koncerte dhe nuk i kushtova vëmendjen e duhur, më pas gjeta një moment, pranova të jepja mbështetjen time për këta njerëz.

Njihni dikë personalisht që është i prekur nga kjo sëmundje?

 Nuk kam pasur kontakte sepse nuk kam asnjë të tillë tek të afërmit e mi, por dëshira për t’i qëndruar pranë kësaj shtrese në nevojë është e madhe. Rasti i parë që kam hasur ka qenë djali i një pedagoges sime. Unë mendoj se këta njerëz duhet të trajtohen si normalë.

Vendosët që zërin tuaj ta vini në dispozicion të kësaj shtrese, por kujt tjetër i bëni thirrje të bashkohet me ju?

 Mendova që dhe në spot të bëj thirrje, që së bashku me zërin tim të bashkohet opinioni publik, politikanët apo dhe institucionet. Jo medoemos duhet që ata që bashkohen të jenë artistë. Pasi jo përherë të gjithë e kanë mundësinë për ta bërë këtë. Mbështetja për ta duhet të jetë në çdo drejtim. Ata nuk duan vetëm mbështetjen ekonomike, por ata kanë nevojë për dashuri dhe mbështetje morale.

Ka një mesazh që kërkon të përcjellësh me këtë koncert?

 Duhet të kontribuojmë sado pak që kjo shtresë të ketë kushte më të mira, qoftë edhe vetëm nëpërmjet mbështetjes sonë morale.

Në skenë nuk zgjodhët të ishit vetëm?

 Në skenë do të jem me Sidritin, Marjanën dhe me Vikenën… Zgjodha që të interpretoj me këta artistë pasi më ta kam interpretuar dhe më parë. Është kënaqësi që të kem në krahë një soprano si Marjana Leka apo Vikena Kamenica, me të dyja ruaj miqësi shumë të mira.

Nëse rikthehemi në kohë, a ju kujtohet herë e parë që keni interpretuar ne skenë, para takimit me Pavarotti-n?

 Ka qenë në TKOB, Zhani Ciko më thërret pasi kishte marrë vesh se në Liceun Artistik ishte një djalosh që interpretonte mirë.

Ka një rol që nuk e keni interpretuar ende?

 Ka shumë role që do doja t’i interpretoja, pasi unë jam ende në fillimet e para të karrierës sime.

Kontakti me publikun sa i rëndësishëm është për ju?

Kontakti me publikun është mjaft i rëndësishëm, sepse aty arrij të kuptoj sesa impakt ka puna ime. Ndodh që në një skenë ndërkombëtare kur marrin vesh që do të interpretojë një shqiptar dhe jo një vendas, normalisht që paragjykimet ekzistojnë, por kjo kalon pasi të kanë dëgjuar.

Cila ka qenë kritika më e fortë që ju kanë bërë deri tani?

 Kritika më kanë bërë shumë. Nuk mundet që të gjithë të më lavdërojnë, por dhe kush ka kritikuar që në fillim, me kalimin e kohës pasi më ka parë ka ndryshuar mendim. Kritikat në një profesion të tillë janë të pandashme. Unë as që mund të fiksoj vetëm njërën prej tyre.

Cila ka qenë vështirësia më e madhe që keni hasur gjatë punës?

Nuk dua të kujtoj më ato që kam kaluar, por vështirësitë janë të mëdha, pasi normalisht çdo punë do përgatitjen e saj. Nëse mua Zoti më ka dhënë zërin, me të duhet të punoj shumë, që të arrij aty ku duhet.

A ka një Saimir tjetër pas atij që njeh publiku? Me çfarë merresh në kohën e lirë?

Normale që është një Saimir tjetër. Dhe unë jam një njeri i thjeshtë si gjithë të tjerët. Takoj miqtë dhe dal më ta, ashtu sikurse mund të merrem me pjesët që kam për të interpretuar, sepse kjo është një punë që do përgatitje paraprake, përpos zërit që ma ka dhënë Zoti.

Koha, familja dhe miqtë

Lidhja juaj me familjen?

 

Familja është mbështetësja kryesore për një artist. Falë lirisë së tyre unë jam ky që jam sot. Prandaj kur nuk kam mundësi që t'i takoj, vijnë më takojnë ata mua. 

Çfarë është miqësia për ju?

 

Përherë kur kam kohë e kaloj me miqtë e mi më të mirë. Nuk pretendoj që të gjithë artistët me të cilët bashkëpunoj t’i kem miq. Është e vështirë të krijosh miqësi kur je në lëvizje.Por miqësia zë një vend të rëndësishëm në jetën time, ashtu sikurse dhe familja.

Si arrini të menaxhoni të gjithë koncertet dhe kohën tuaj?

 

Sot nuk është e vështirë ta bësh këtë, pasi janë menaxherët që merren me këtë punë. Kurse më parë kam qenë unë që duhet të vrapoja sa në një aeroport në tjetrin.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama