Në këtë 100 vjetor të shtetit të Pavarësisë së vendit, kryeministri ka nisur të shohë shumë fantazma. Ka filluar të flasë shumë për të vdekurit, sidomos për të cilët historia i konsideron “të pavdekshëm”. Nga Ismail Qemali tek Qemal Stafa, pasioni i kryeministrit nuk ka cak, nuk ka anë dhe fund. “Qemal Stafa? Hero, dakord! Por shumë është respektuar. E kemi tepruar. Ne kemi Abaz Kupin”. Ky që flet është Sali Berisha. I aftë të shpikë tema diskutimi politik, parapolitik dhe gjithfarëlloj temash të tjera, Berisha kësaj radhe ju sul kujtimit të një prej dëshmorëve të Luftës së Dytë Botërore, Qemal Stafës.
Ditëvrasja e të cilit është dhe dita e dëshmorëve në Shqipëri. Një paralele: në vitet 70, kur shkruhej teksti i ri i historisë së Shqipërisë, një sërë historianësh dhe studiuesish, sulmuan ashpër Haxhi Qamilin, fshatarin kontraversal të Shqipërisë së Mesme, të cilin e konsideruan si një dallkaukët e shumtë që sulmonin shkëndijat e përparimit të vendit, sidomos në kohë të turbullta. Vetë Enver Hoxha, i cili sipas dëshmive të mëvonshme për atë kohë, nuk ishte shumë i kthjellët mendërisht, vendosi që Haxhiu ishte edhe hero, edhe bir i vegjëlisë, edhe patriot.
Pastaj detyra e historiografisë komuniste ishte e lehtë: thjesht duhet të gjente provat dhe faktet që Qamili ishte edhe hero, edhe bir i vegjëlisë, edhe patriot. “Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta është e njëjta gjë”, thonë francezët. Berisha si Hoxha, të dy frankofonë, janë identikë në këtë pikë. “Abaz Kupi ishte burrë i mirë, luftën në Shqipëri e financuan britanikët, Zogu është figurë e jashtëzakonshme, lufta ishte vëllavrasëse…”.
Nuk ka ushqim më të mirë për të sotmen, sesa servirja e të shkuarës.
Të afërmit e Qemalit
Pas deklaratës së kryeministrit teksa urdhëronte historianët se si ta rishkruajnë historinë e Luftës së Dytë Botërore dhe se si duhej reduktuar emri i Qemal Stafës nga rrugët, shkollat dhe stadiumet, nuk ishin të pakët ata që reaguan. Personalitete të njohur të historisë, letërsisë, artit e më gjerë. Që nga shkrimtari Nasho Jorgaqi, biografi I Qemal Stafës, regjisori Kristaq Dhamo, I cili realizoi filmin “Qortimet e vjeshtës”, kushtuar heroit, historiani Arben Puto e plot të tjerë. Por përballë kësaj, familjarët, nipërit e Qemalit, kanë marrë vendimin ta kalojnë në heshtje absurdin. Janë pot ë njëjtët që kanë pritur në çdo 5 maj vizitat e krerëve të shtetit dhe personaliteteve të tjera të pushtetit në shtëpitë e tyre. Me mirënjohje dhe urtësi, pa ato teprimet protokollare.
Që nga presidentët, kryeministrat e kryetarët e parlamentit. Të të gjitha kaheve. Ata nuk harrojnë, thjesht zgjedhin të heshtin. Fare të qetë, në krahun tjetër të telefonit, me shumë mirësjellje të thonë që kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, vetëm se notat kësaj radhe ishin më të ashpra, më të drejtpërdrejta. Prandaj, njësoj si herët e tjera, edhe kësaj radhe kanë vendosur të heshtin. Në fund të fundit, për ta kjo nuk është një luftë, e aq më pak që nuk mendojnë se mund të jenë humbësit nëse nuk i përgjigjen. “Populli, njerëzit, të gjithë, e dinë prej brezash se kush është Qemal Stafa, cili është emri i heroit tek i cili u mishëruan idealet e një kombi të tërë për liri. Asgjë s’ka për të ndryshuar, vetëm emri i stadiumit…”.
Ose jo...
Sepse njerëzit do të vazhdojnë të thonë “…tek Qemal Stafa…”, me të njëjtën natyrshmëri që thonë “…tek Dinamo, tek ’21-shi, ashtu siç britanikët do të vazhdojnë të thonë Big Ben dhe jo Elizabeth Tower.
Shkrimi i historisë nuk është si një projekt rruge, që një inxhinier e bën në një mënyrë, një tjetër gjen zgjidhje tjetër. Mund të ketë debate dhe diskutime, mund të ketë kundërthënie për nuancat e të zezës e të bardhës, por nuk mund të ketë shndërrime të tyre nga njëra tek tjetra. Sepse edhe historia moderne, mund të jetë një shkencë pothuaj ekzakte.
Nasho Jorgaqi
Qemal Stafës i rritet prestigji dhe respekti në popull çdo ditë e më shumë. Gjatë kësaj periudhe unë si biograf i Qemal Stafës kam mbledhur shumë fakte dhe dokumente të tjera që e lartësojnë më shumë figurën e këtij heroi. Po të isha pak më i ri, do ta plotësoja edhe më shumë biografinë e Qemal Stafës për ta ribotuar atë për herë të shtatë, në mënyrë që lexuesi të njihet nga afër me jetën dhe heroizmin e këtij heroi.
Kristaq Dhamo
Ai është hero. Një hero me përmasa të mëdha. Dhe heronjtë e këtij kalibri të sprovuar në periudha të ndryshme historike kanë një karakteristikë. Nëse ata goditen në një periudhë të caktuar historike, plumbat nuk rrëzojnë heroin, por bëjnë rikoshetë dhe i kthehen politikës mbrapsht. Kështu që politika kur të verë në shënjestër Qemal Stafën duhet të llogarisë rikoshetën.
Arben Puto
Kjo është një ndërhyrje e pahijshme e politikës në histori. Pretendon zoti Kryeministër se kjo luftë është organizuar nga trupat misionare britanike. Të mohosh luftën e një populli edhe t’ia ngarkosh të tjerëve këtë... Kjo është tallje, është absurde që veteranëve t’u mohosh luftën e tyre. E çuditshme dhe e habitshme është që të mohojnë, poshtërojnë kujtimin e dëshmorëve. Përpiqet për Ahmet Zogun, siç është përpjekur gjithmonë. Edhe kësaj radhe do që ta vërë në një plan, bile në një tentativë të fshehur për ta ndritur edhe më lart, për ta ngritur në një rang me Ismail Qemalin. Janë dy dimensione krejt të ndryshme, të pakrahasueshme. Kësaj radhe merret me Qemal Stafën. Një djalë i shkëlqyer, një djalë studioz që një u hodh në luftë ndaj okupatorit. Nuk paska luajtur futboll dhe prandaj nuk duhet t’i vëmë emrin e stadiumit, nuk duhet t’i vëmë emrin e tij shkollës... Ai është simboli i Luftës Nacional Çlirimtare, simbol i sakrificës së rinisë për liri.
Jani Capo
Nënkryetar i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ
Këta kanë filluar një luftë të ndyrë me emrat e dëshmorëve. Po prishin lapidarët, po ndërrojnë emrat e rrugëve, po heqin bustet. Bustin e Misto Mames e kanë degdisur kushedi se ku, me pretekstin se po bëjnë punime ndërtimi, Heronjtë e Vigut dergjen tani në një vend ku grumbullohen plehrta në Shkodër, në një cep të varrezave. Jo vetëm që nuk jemi dakord, por do të protestojmë, siç protestuam kur u ndërruar emri i rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit”. Në gjyq i kemi hedhur, e gjyqin e shtyjnë ditë pas dite. Qemal Stafa ishte një personalitet i shquar dhe është një hero kombëtar. Do shkojmë deri në instancat më të larta të drejtësisë. Ai na hedh poshtë luftën. Ne pa këtë luftë nuk do na njihte askush. Qemal Stafa është simbol i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare
Faik Aliaj
Nënkryetar i Komitetit
Kombëtar të Vetereanvë të LANÇ
I kam shoqëruar vetë pushtetarët në shtëpinë e familjarëve të Qemalit në çdo 5 maj. Ai është simbol i luftës, mishëron gjithë sakrificën dhe flijimin e rinisë shqiptare të asaj kohe që dha jetën për lirinë, është heroi i parë, dëshmori i parë i luftës për liri. Është e turpshme ajo që thuhet e ajo që po kurdiset. Këto veprime bëhen për interesa të ndyra të tyret, sepse duan të ngjallin kolaboracionistët e tyre, bashkëpunëtorët e dikurshëm të fashizmit. I dëgjuat edhe ju emrat që tha Saliu?! Qemal Stafa ishte Sekretar i Parë i Rinisë së asaj kohe, ishte shoku i ngushtë i Vasil Shantos, personalitet qoftë nga ana kulturore, qoftë në të tjerat.