Fan Noli obelisk publicistik ne letersine shqiptare

Fan Noli, obelisk publicistik ne letersine shqiptare
“Kur të ikni, në botën tjetër e kam fjalën, mos ikni pa marrë lejen e shokëve. Dhe nëse veprojmë kështu, jam i sigurt se do të mblidhemi këtu të gjithë tok për 100-vjeçarin e ‘Diellit’, po kaq djem sa jemi edhe sot.”

(Nga fjalimi i Nolit me rastin e 50-vjetorit të botimit të gazetës “Dielli”, 1959)

Poet i fuqishëm, publicist dhe orator i shquar, studiues, dijetar dhe muzikolog, kompozitor e shqipërues i talentuar, dramaturg, një nga stilistët më të mirë të prozës sonë, Noli mbetet një nga figurat më të njohura të artit dhe të shkencës shqiptare. Brendia e veprave atdhetare të tij, që është në vazhdën e atyre të Rilindjes, ushqen ndikimin e thellë përparimtar të kulturës sonë.

Veprimtarinë letrare Noli e nisi në fillim të shekullit që lamë pas. Atë kohë, ai u gjend në ambientin patriotik të komunitetit shqiptar të Egjiptit dhe lidhi miqësi me figura të shquara të lëvizjes për çlirim kombëtar. I ndikuar nga idetë patriotike dhe duke i vënë vetes detyrë për t’i shërbyer rilindjes së kombit të vet, Noli më 1902 shkruan një dramë. Subjektin e saj ai e merr nga Bibla, mbështetet në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, historia e njohur e Samsonit dhe Dalilës. “Israilitë e Filistinë”, vepra e parë origjinale që na ka dhënë Noli, njëkohësisht edhe nga të parat e zhanrit të saj në letërsinë shqiptare, është e ngjeshur me ide filozofike, të cilat janë në funksion të temës kryesore të dramës: lufta e israilitëve për t’i detyruar filistinët të pranojnë fenë e tyre monoteiste. Gjithsesi, ky krijim që Noli e botoi më 1907-n, sipas tij është një “sqelet drame”. Pra, kërkon ta përmirësojë veprën, gjë të cilën nuk e rimori vite më vonë.

Afërsisht në atë kohë, Noli nisi përkthimet nga letërsia botërore, me të cilat dha kontribut shumë të madh për zhvillimin e kulturës shqiptare. Noli bëri që të flisnin në shqip kolosët botërorë, si Shekspiri, Servantesi, Bjornsoni, Molieri, Stendali, Longfellou, Khajami, me veprat e tyre: “Hamlet”, “Otello”, “Don Kishoti i Mançës”, “Martesa me pahir”, “Vanina Vanini”, “Skënderbeu”, “Rubairat” etj.

Disa nga veprat që përktheu, Noli i shoqëroi me “introdukta” (parathënie kritike). Kjo ishte një sjellje novatore në mënyrën e të menduarit dhe vlerësuarit të veprave, si dhe përshtatjes së tyre me nivelin dhe kushtet historike kur serviret vepra. Me to, ai numërohet ndër ata të paktë autorë eseistë të shquar të kritikës sonë letrare, që nxori në pah idetë dhe vlerat ideore e artistike të veprave.

Ndër të tjera, për t’u theksuar është vëzhgimi kritik i Nolit mbi botën e gjerë komplekse shpirtërore të Hamletit. Në introduktën e përkthimit të kësaj vepre, Fan Noli, shkruan: “Arsyeja kryesore e vojtjeve të Hamletit duhet kërkuar më tepër në ndjenjën që ka pësuar një tronditje fatale për vdekje, se sa në ndjenjën që është i pazoti për pun’ e veprim. Për të kuptuar mirë sjelljen e tij, duhet të dimë që kemi përpara nesh një të sëmur me ethe, i cili është ngritur me pahir nga shtrati për të mbaruar një detyrë të shenjtë, i cili, gjysmë në ëndërr, i këputur me shpirtin në dhëmbë, përpiqet me qip e me thonj, të ngjitet zvarrë përpjetë në majën e bregut, para se të rrëzohet përdhe pa frymë. S’është as i gjallë as i vdekur, as i marrë as mërmend, as i zgjuar as i fjetur tamam: ndodhet buzë vdekjes, buzë greminës, ku e di që shpejt a vonë do të përmbyset e do të copëtohet”.

Siç shihet, krijimtaria e Fan Nolit është e gjerë dhe e shumanshme. Në figurën e tij, si dhe në prodhimtari harmonizohen predispozita të shumta prej poeti eruditi, oratori dhe publicisti, dramaturgu dhe historiani. Noli e pasuroi thesarin shpirtëror të shqiptarëve me gjuhën e pasur, mënyrën teknike të të shkruarit, thjeshtësinë dhe kuptueshmërinë e saj. Influenca e Nolit në kulturën dhe letërsinë shqipe duket se vjen në vitet `20 të shekullit XX. Ajo krijoi një shkollë, një traditë të saj në letërsi e kulturën përparimtare të kohës, e cila u ndje deri vonë.

Për sa i përket poezisë që krijoi Noli, mund të shënojmë se ajo përshkohet nga frymë e thellë demokratike; diku është shpërthyese dhe me kushtrim (Bjerini, korrini dhe shtypini/ katundarë e punëtorë/ që nga Shkodra e gjer në Vlorë), diku himnizon (Rent kudo, duke bërtitur,/ Nëpër shekuj faqe-ndritur,/ Se i vogli shtrin viganin/ Dhe i shtypuri tiranin,/ Veç e tok,/ Tok, or Marathonomak!), diku lëshon elegjinë (Nëno moj, mbaj zi për vllanë,/ Me tre plumba na i ranë,/ Na e vran’ e na e shanë,/ Na i thanë tradhëtor), pastaj lëshon sarkazmën therëse (Se ç’na u-gëzua xhani,/ Se çna preu Ramazani,/ Se ç’na piu Italjani,/ Rroftë pra Salep-Sulltani!), diku rrezaton shpresën dhe përçon shijen perëndimore (Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n’Amerikë).

Është për të ardhur keq që Noli dhe Konica, këta dy stilistët më të mëdhenj të gjuhës dhe letërsisë moderne shqipe, të dy banues në SHBA, i kanë kushtuar pak energji origjinalitetit të tyre krijues letrar. Ndoshta kjo sjellje iu është diktuar nga koha. Sepse shqiptarët, më shumë, gjatë gjithë viteve, i janë përgjigjur kultit të idealeve kombëtare, sesa estetikës.

Fan Noli ishte një arkitekt i madh i përpunimit të fjalës shqipe dhe inkubator i zhvillimit të mendimit dhe shkrimit publicistik. Me veprën e tij, ai krijoi një godinë solide shumëkatëshe, që gjithmonë do të pëlqehet, krijoi një godinë e cila nga jashtë të mahnit me format që ka në fasadë dhe nga brenda të surprizon me zhanret dhe format entuziaste të të shprehurit. Puna noliane dhe gjurmët e saj tregojnë më së miri se si mund të piqet ndër shekuj kultura e popullit shqiptar.

Ndoshta jeta dhe misioni fanolian ishte i një luftëtari të paepur, një syrgjyni gjysmëshekullor, një atdhetari të ndjerë, një publicisti që fliste shqip, mendonte shqip, thumbonte shqip dhe maratonomakonte shqip kudo nëpër botë. Si guri që peshon rëndë në vendin e tij, Noli peshon në kulturën e kombit dhe atdheut të tij. Ai ka krijuar aty një themel dhe vitet që kalojnë e betonojnë edhe më shumë këtë obelisk shumëprofilësh shqiptar.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama