Pjesëmarrja e "Fanfara Tirana" në Festivalin e 11 Europian të Muzikës Xhaz në Athinë, ka qenë një sukses i vërtetë. Interpretimi i grupit shqiptar ka ndezur atmosferën, ndërsa publiku që kishte mbushur Tehnopolin, qendrën kulturore të Bashkisë së Athinës, i ka duartrokitur gjatë. Mijëra njerëz, të rinj, por edhe të rritur, shqiptarë e grekë, kanë kërcyer nën tingujt e muzikës shqiptare që “Fanfara Tirana” e interpretoi me virtuozitet. Ata interpretuan mes 12 grupeve përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe zgjuan interesin si të muzikantëve, ashtu edhe të masës së njerëzve me muzikën e bukur dhe paraqitjen dinamike që pushtoi skenën që në momentin e parë. Duke evidentuar në radhë të parë vlerat kulturore shqiptare, mendoj që nxisim edhe interesin për ta njohur më shumë dhe nga afër vendin tonë. Me këtë synim, unë u përpoqa të kemi përfaqësimin e vendit tonë në një nga veprimtaritë më të rëndësishme muzikore që zhvillohet në Greqi, siç është Festivali Europian i Muzikës Xhaz, ku marrin pjesë grupet më të famshme muzikore nga Hungaria, Sllovakia, Portugalia, Danimarka, Spanja, Austria, Holanda, Greqia, Republika Çeke, Suedia, Luksemburgu dhe Belgjika.
Komisioni, pasi shqyrtoi materialin muzikor të “Fanfara Tirana”, me interpretues mjaft të talentuar dhe muzikë të një niveli shumë të lartë, vendosën që të ishin ata që të përfaqësonin vendin tonë në këtë festival. Falë edhe mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, “Fanfara Tirana” u bë pjesë e këtij aktiviteti, duke bërë përjashtim meqenëse Shqipëria ende nuk është anëtare e Bashkimit Europian. “Fanfara Tirana” karakterizohet si një grup etnik xhazi me 150 koncerte të suksesshme në të gjithë botën. Interpretuesit, të drejtuar nga Xhemali Murraj, janë të gjithë profesionistë të muzikës. "Festivali i 11 i Xhazit Europian" është organizuar nga "Technopolis" i Bashkisë së Athinës nga data 24 deri 29 maj. Ky festival ishte një festë kulturore që u ndoq nga mbi 20000 spektatorë. Në të gjitha organet e shtypit i bëhet jehonë dhe përshkruhet pjesëmarrja e “Fanfara Tiranës” për herë të parë në këtë festival, si një eveniment i rëndësishëm për prezantimin e xhazit karakteristik ballkanik.
Autori: Drejtuese e programit të gjuhës shqipe në radion internacionale të Athinës