Që prej 25 vjetësh në Shqipëri janë formuar shoqatat joqeveritare, apo siç njihen ndryshe me termin "shoqëri civile". Roli i tyre në shoqëri asnjëherë nuk ka qenë shumë i qartë. Kjo për faktin se rregulloret apo strategjitë për përfshirjen e tyre në vendimmarrje janë hartuar më shumë me nxitjen e ndërkombëtarëve, e në ato pak raste që janë zbatuar, janë zbatuar më shumë për të plotësuar një procedurë se sa për të marrë vërtetë mendimin e tyre.
Për të "korrigjuar" këtë problem, pak muaj më parë, qeveria vendosi të krijojë Këshillin Kombëtar të Shoqërisë Civile (KKSHC). KKSHC-ja do të jetë një ent publik që do të përfaqësojë organizatat joqeveritare dhe individët në një organ kolegjial. Ai do të jetë zëri i shoqërisë civile; duhet të japë sygjerime e mendime për qeverinë, kjo e fundit duhet t'i marrë ato në shqyrtim.
Deri këtu duket sikur e gjithë kjo është një tentative e qeverisë për të përfshirë vërtetë shoqërinë civile në vendimmarrje.
Ajo që të bën të kuptosh që kjo në fakt nuk do të ndodhë, është përbërja dhe mënyra e funksionimit të këtij këshilli.
Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile do përbëhet nga 27 anëtarë. Nga këta 13 do jenë përfaqësues nga kryeministria, ministritë (në rang zëvendës ministrash e zyrtarësh të lartë) dhe nga Agjencia për Mbrojtjen e Shoqërisë Civile (AMSHC), 13 janë përfaqësues të shoqatave joqeveritare dhe një është përfaqësues i Këshillit Ekonomik Kombëtar. Pra, vihet re qartësisht se organizatat e shoqërisë civile nuk përbëjnë as gjysmën e anëtarëve të KKSHC-s. Një organ këshillimor, i cili përbëhet në shumicë nga përfaqësues të qeverisë, do të këshillojë qeverinë.
Ky absurd mund të justifikohet vetem duke thënë se përfaqësuesit e qeverisë kanë njohuri teknike më të sakta dhe do e bënte vendim-marrjen e KKSHC-s më të plotë, njëkohësisht duke i zbehur tërësisht rolin.
Absurdi tjetër lidhet me mënyrën e përzgjedhjes dhe votimit të 13 përfaqësuesve të organizatave joqeveritare.
Për shkak të pamundësisë për t'i dhënë çdo organizate mundësinë për të marrë pjesë në këshill, përfaqësuesit e organizatave do të zgjidhen në mënyrë demokratike me votimin e të gjitha shoqatave. Këta 13 anëtarë janë ndarë në 3 kategori ku do zgjidhen 4 përfaqësues për secilën. AMSHC është organi përgjegjës për administrimin dhe vëzhgimin e procesit të votimit, që do të kryehet on line, në programin Google Docs.
Për të votuar mjafton të vendosësh emrin e organizatës dhe NIPT-in e saj, të cilat janë të dhëna që gjenden lehtësisht nga kushdo në regjistrin e Kuvendit për Organizatat e Shoqërisë Civile që operojnë në vend. Në këtë mënyrë një person i çfarëdoshëm, pa lidhje me ndonjë organizatë, mjafton të përdori emrin dhe NIPT-in e një organizate të çfarëdoshme dhe mund të votojë lehtësisht. Më pas nëse edhe vetë organizata do të votonte do ishin 2 vota të hedhura nga e njëjta organizatë duke i bërë ato të pavlefshme dhe të kontestueshme në çdo moment. Pra, votimi i organizatave mund të sabotohet nga kushdo. AMSHC-ja, anëtarët e së cilës përcaktohen nga qeveria, do të jetë në rolin e KQZ-zë gjatë zgjedhjeve, për të vendosur nëse do të pranohet kërkesat e organizatave për manipulime apo jo. Butaforia e procesit nuk ka nevojë të shpjegohet më tej, pasi kushdo arrin ta kuptojë që ky është një proces i pavlerë.
Kështu, e gjithë mënyra e organizimit është krijuar për t'i lënë dorë të lirë qeverisë për të vendosur mbi këshillat që do t'i japëvetes, në emër të shoqërisë civile.
E gjithë kjo farsa e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile i shërben shkatërrimit të çdo shprese të mbetur në vend që shoqëria civile të gjejë identitetin, duke ia falur legjitimitetin një organi ku qeveria ka shumicën.
Paaftësia apo mosdashja e Kryeministrit dhe qeverisë për të kuptuar rolin e shoqërisë civile mund të kuptohet me shprehjen që ai vetë i tha një grupi aktivistësh që e kundërshtonin: "Bëni vota, pastaj ejani!"