Projekti i fasadave të Tiranës është vazhdimisht në zhvillim. Është folur edhe për një botim që do të dokumentojë që nga fillimet idenë dhe zbatimin e saj në blloqe pallatesh të ndërtuara gjatë sistemit të kaluar.
Kjo nisi si një aksion sa politik aq edhe social dhe artistik i Kryetarit të Bashkisë Edi Rama. Pak më vonë u ftuan artistë nga bota. Dhe Bienalja e fundit e Tiranës, vjeshtë 2009, një nga "pavijonet" në natyrë pati fasadat, idetë grafike që u zbatuan në to.
Disa artistë arritën të kryejnë punë, disa jo. Helidon Gjergji që aktualisht jeton në Nju Jork vazhdon ta mbështesë dhe ta promovojë projektin. Ndërtesa "e tij" ka sot pamjen si në fotot që po botojmë. Aty janë "incizuar" disa shenja, domethënia teknike e të cilave është si më poshtë:
@ është shkurtim i fjalës "at" që evoluoi nga fraza "at the rate of" në faturat tregtare dhe financiare; shigjeta është treguesi i mausit; fuga është pritja e kursorit; "com" do të thotë "commercial," dhe "org" do të thotë "organization".
Po bëhen gati dhjetë vjet që i quajturi "projekt i fasadave" nuk është thjesht projekt. Ai vazhdon të rritet pavarësisht kritikave të shumta që ka marrë (më fort dikur) kreu i bashkisë së Tiranës. Pasi çdo ndërhyrje e këtij lloji nuk mund të bëhet pa pëlqimin e kësaj Bashkie.
Janë plot dhjetë vjet që nga koha kur shpallej aksioni ndaj trashëgimisë, "Kthimi në identitetit", jashtë të cilit nuk mund të lësh fasadat, edhe pse nuk janë pjesë e ndonjë arkitekture dhe historie të lavdishme, përkundrazi. Për rastin e fasadave, i intervistuari ynë mbetet entuziast dhe shpjegon pse.
Helidon Gjergji është lindur në Tiranë më 1970, jeton dhe punon në Nju Jork. Ka ekspozuar ndër të tjera në edicionin e 52-të të Bienales së Venecias, në Apexart, Nju Jork; në Galerinë Kombëtare në Prishtinë, në Lothringer Dreizehn Kunsthalle, Monako, në Chelsea Art Museum, Nju Jork, në Bienalen e Tiranës, edicioni I dhe i fundit më 2009.
Helidon puna jote e fundit që vazhdon ta prezantosh, lidhet me një projekt kolektiv që ka zënë fill më 2003. Ai entuziazmi i parë politik për fasadat duket se ka rënë.
Çfarë faze mund të quhet ky moment i vëmendjes së artistëve shqiptarë dhe atyre nga bota ndaj fasadave?
Megjithëse kohët e fundit kam ardhur shpesh në Tiranë, nuk mund të pretendoj që e kuptoj mirë dinamikën e politikës shqiptare, ose në këtë rast debatet që ekzistojnë në një nivel politik mbi projektin e ballinave.
Gjithsesi një gjë është fare e qartë, ndoshta mund të ketë rënë debati politik, por entuziazmi nga ana e Bashkisë së Tiranës nuk më duket se ka rënë aspak. Pallatet që i shtohen këtij projekti janë gjithmonë në rritje. Një hov tjetër që ju dha projektit, kuptohet ishte edhe grupi i ri i ballinave të ndërtesave, që u realizuan me rastin e edicionit të fundit të Bienales së Tiranës.
Për sa i përket vëmendjes së artistëve apo në përgjithësi të opinionit ndërkombëtar mbi këtë projekt, mund t'ju them me siguri, që entuziazmi jo vetëm që nuk është zbehur, por përkundrazi është gjithmonë në rritje.
Ndërsa në Shqipëri ky projekt është bërë tashmë pjesë e jetës së përditshme, pra është kthyer në normalitet (i këndshëm apo jo simbas opinionit), përtej kufijve perceptohet, dhe do të shtoja me të drejtë, si një nga konceptimet e zhvillimit urban më origjinale, progresive e largpamëse që po përjetohen në urbanistikën e këtij fillimshekulli.
Po për punën tënde përse ishte me interes ky angazhim?
Unë mora pjesë në këtë projekt si artist dhe si qytetar i Tiranës.
Si artist, më intereson gjithmonë të angazhohem me projekte që ofrojnë një terren të pasur për të punuar njëkohësisht si në aspektin formal ashtu dhe social.
Rasti i ballinave të Tiranës është ideal sepse jo vetëm që është i kompletuar në këtë aspekt por edhe sepse ofron mundësinë për të punuar mbi një formë ekzistuese arti.
Pra është njëfarë ndërhyrje ku kohët e ndryshme mbivendosen apo më mirë të themi shkrihen. Dhe për ta bërë edhe më të përjetuar, janë patjetër ndërhyrjet e përditshme të banorëve të pallatit (mbyllja e hapja e dritareve, valëvitja e ndërresave, njerëzit në ballkon e bimët që ndryshojnë ngjyrat simbas stinëve).
Pra nuk është një projekt i thjeshtë publik pa jetë e i ngrirë në kohë, por një vepër arti dinamike, në njëfarë mënyre edhe performative, që evoluon me kohën.
Si qytetar i Tiranës, gjithmonë kam pasur dhe do të kem dëshirën që të kontribuoj me aq sa kam mundësi në realizimin dhe promovimin e ideve që më duken progresive dhe shumë pozitive për të ardhmen e qytetit.
Çfarë përfaqëson objekti me të cilin je marrë?
Si një njeri që ka jetuar gjysmën e jetës së vet nën një diktaturë komuniste e gjysmën tjetër nën ekonominë e tregut, në momentin që fillova të punoj në Projektin e Ballinave mendja menjëherë më shkoi tek Muri i Berlinit.
Ishte një strukturë e vërtetë që qëndronte pikërisht në kufirin mes dy sistemeve ideologjike, pra ishte njëkohësisht si paradoks ashtu edhe emblemë arkitekturore. Ishte një paradoks arkitekture, sepse nuk kishte një por dy ballina dhe sipërfaqja e njërës anë ishte e brendshmja e anës tjetër.
Natyra dyfytyrëshe e kësaj strukture ilustronte në mënyrën më të qartë se sa thellësisht domethënëse janë hapësirat institucionale, qoftë gjatë Luftës së Ftohtë, qoftë në ditët tona.
Edhe pse shumica e strukturave kanë vetëm një fytyrë, edhe ato po ashtu si Muri i Berlinit jo vetëm që pasqyrojnë një sistem, por janë edhe vetë pjesë e atij sistemi, pra janë njëkohësisht si simbole ashtu edhe pjesë integrale e shoqërisë që i krijon.
Si rezultat, kur një sistem ndryshon po ashtu ndryshojnë edhe ndërtesat e tij. Rrjedhimisht, ka diçka shumë të çuditshme në një peizazh strukturash që janë monument i të kaluarës e njëkohësisht tejçojnë ndjeshmëritë e sistemit të ri.
Në një peizazh të tillë, ndërtesa është më shumë se një njësi sociale, është një Janus me dy fytyra. E ngjashme me paradoksin e Murit të Berlinit, ndërtesa ka një ballinë të jashtme që është e brendshmja e një realiteti tjetër.
Për këtë arsye, me Projektin e Ballinave jam përpjekur për ta ndryshuar këtë bipolaritet semiotik, duke e kthyer ndërtesën nga brenda jashtë - pra duke e kthyer hapësirën private në publike, apo më mirë të themi duke e kthyer fasadën e papenetrueshme në një ballinë të hapur.
Për këtë, unë mora elemente nga bota e kompjuterizuar e tregtisë sociale dhe nga brenda intimitetit privat të ndërtesës ku tashmë mund të gjenden, i zhvendosa mbi lëkurën e betonit në pjesët e jashtme publike të ndërtesës - ballinat. Njëkohësisht, jam përpjekur të respektoj format dhe ritmet e ndërtesës, duke nënvizuar jo vetëm ndryshimet por edhe vazhdimësinë.
A janë këto ikona forma e re e demagogjisë së vjetër, apo forma e re e ekonomisë së re? Apo ndoshta në thelb nuk ka shumë ndryshim? Përgjigja e kësaj pyetjeje do të jetë me të drejtë e drejta e banorëve të ndërtesës dhe kalimtarëve të përditshëm.
Çfarë pyetjesh apo çështjesh i dalin përpara një artisti pamor kur puna e tij ka të bëjë, si në këtë rast, me arkitekturën (pavarësisht se s'kemi të bëjmë me arkitekturë të vërtetë) dhe me objekte publike?
Publiku për artistin është gjithmonë një komponent që duhet marrë në konsideratë gjatë krijimit të veprës së artit. Them duhet marrë në konsideratë, mbasi rëndësia e rolit të publikut është subjektive për çdo artist.
Por kur bëhet fjalë për ndërhyrje artistike që janë të ndërthurura me arkitekturën e për më tepër janë objekte publike, roli i publikut nuk është më thjesht një konsideratë personale, por kthehet në detyrë qytetare.
Kjo natyrisht nuk duhet të keqkuptohet si kompromis banal për të kënaqur të gjithë - gjë që nuk do të ishte as e mundur as e dëshirueshme, por si përpjekje për të respektuar kulturën, historinë dhe sensibilitetin e qytetarëve.
Prezantimi yt i fundit në skenën e artit në Tiranë ka qenë në Bienale. Tani që të gjithë janë kthyer në shtëpi, si tu duk kjo ekspozitë ndërkombëtare në Hotel Dajti (sërish arkitektura) dhe jashtë tij?
Ka rreth 200 Bienale ndërkombëtare përreth Globit dhe gjithmonë dëgjohen zëra që flasin mbi inflacionin e Bienaleve e për nostalgjinë që kanë për "ditët e shkuara" kur kishte vetëm një grusht Bienalesh, pra kur ato kishin aureolën e ekskluzivitetit. Ndërkohë që teori të tilla shpesh lënë të nënkuptohet një sens superioriteti nga elitat tradicionale, fatkeqësisht ata bazohen në disa të vërteta.
Me përjashtim të Bienaleve historike, ka shumë pak Bienale të reja që kanë mundur të krijojnë identitetin e tyre të veçantë. Me fjalë të tjera, shumë Bienale të reja ndjekin qorrazi modelet ekzistuese, duke përjetësuar kështu njëfarë lloj inferioriteti. Bienalja e Tiranës, jo vetëm që ka ditur t'i shpëtojë një kurthi të tillë, por ka arritur me sukses të ketë një profil të vetin tejet të respektuar në botën e artit bashkëkohor.
Ka mundur ta bëjë një gjë të tillë si rezultat i koncepteve kuratoriale që janë gjithmonë të papritura e të pasura, si rezultat i kuratorëve e artistëve të ftuar që janë gjithmonë të kaluar në një sitë profesionale shumë të imtë dhe së fundi nga shkrirja me Projektin e Ballinave, që i jep një dimension krejt origjinal si Bienale.
Një Bienale që edhe kur i mbyll dyer i lë diçka me vlerë qytetit - kjo me të drejtë konsiderohet si shumë e rëndësishme e progresive kudo në Botë.
Ke qenë një vit përpara një nga artistët e ftuar për të kontribuar në Akademinë e Arteve në sajë të projektit të qeverisë për "thithjen e trurit". Do donim një përgjigje të sinqertë se si ishte për ty ky mision i politikës dhe si rezultoi përvoja jote.
Ky është padyshim një program shumë i rëndësishëm që përforcon urat ndërlidhëse ndërmjet kulturës lokale me atë globale. Ky dialog i shërben pasurimit kulturor si të studentëve ashtu edhe të vetë pedagogëve të ftuar.
Dhe po të vazhdonte më tej, siç shpresoj, jo vetëm që do të kishte një impakt pozitiv mbi institucionet arsimore të larta, por do të zhvlerësonte vetë shqetësimin mbi humbjen apo thithjen e trurit.
Kjo për arsye se lëvizja e intelektualeve dhe artistëve brenda dhe jashtë vendit do të ishte një gjë shumë më organike e normale që do të bëhej pjesë e rrjetit ekzistues të shkëmbimit ndërkombëtar të ideve e kulturave.Eksperienca ime personale ishte mjaft e larmishme si nga ana pedagogjike e artistike ashtu edhe ajo shoqërore.
Natyrisht që duke qenë viti i parë që një program i tillë vihet në jetë, ka akoma vend për të përmirësuar efikasitetin e tij. Por shpresoj që me akumulimin e eksperiencës, programi do të zgjerohet e pasurohet edhe më tej duke lënë gjurmë të prekshme në kulturën universitare.
Diçiturë: Projekti i Helidon Gjergjit i zbatuar në një nga fasadat e Tiranës.
Portret, foto Barbara Naddeo.
Elsa Demo : Gazeta Shekulli