Fatmir Braka reagon per trukimet Vendosim pas dy javesh

Fatmir Braka reagon për trukimet: Vendosim pas dy javësh

Kryetari i rizgjedhur i Komisionit të Etikës në FSHF, Fatmir Braka, ka sqaruar dje për "Panorama Sport" hapat që ky organ do të ndërmarrë pas akuzave të njëpasnjëshme në Kategorinë e Parë për trukime ndeshjesh. etika-1024x576
"Kjo ishte mbledhja e parë e Komisionit të Etikës që, pas zgjedhjeve që u bënë në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, ku u votua për anëtarët e këtij komisioni. Sot (dje) fillimisht zgjodhëm organet drejtuese të komisionit, teksa unë do të jem sërish kryetar, ndërsa profesor Bejkush Birçe në rolin e zv.kryetarit.

Gjithçka ishte në unanimitet të plotë mes anëtarëve", tregoi fillimisht Braka për mbledhjen e parë që komisioni zhvilloi dje në ambientet e FSHF-së.

Akuzat

Braka bëri të ditur se komisioni i ka kërkuar institucionit të futbollit të ketë në dispozicion të gjithë materialin e nevojshëm, për të marrë më pas një vendim për hetimin.

"Në rendin e ditës kishim si pikë diskutimi edhe shqyrtimin e ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në kampionatin e Kategorisë së Parë. Natyrisht, ne si komision si objekt hetimi kemi trukimin e ndeshjeve dhe tashmë presim të grumbullohet i gjithë materiali për akuzat që janë bërë nga klubet dhe të nisim punën. Më konkretisht do të mblidhemi sërish pas dy javësh, ku do të shqyrtojmë me hollësi të gjithë materialin dhe do të vendosim. Pra, si do të vijojmë me hetimin, cilët do të thërrasim si dëshmitarë etj.

Natyrisht do t'u referohemi atyre që janë shkruar në gazetën 'Panorama Sport' gjatë javëve të fundit dhe informacioneve të brendshme që kemi nga zyrtarët e ndeshjeve, duke filluar nga delegatët, vëzhguesit dhe arbitrat. Përfundimisht në lidhje me hetimin do të vendosim në mbledhjen e radhës. Ne si komision kërkuam nga FSHF që materiali i grumbulluar të jetë sa më i plotë për të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur, akuzat që kanë bërë drejtuesit apo zyrtarët e klubeve, në mënyrë që të jemi të qartë", ka thënë kryetari i Komisionit të Etikës, i cili është një avokat i njohur në Shqipëri.

Përgatiti: JORGIS MEMO


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama