Fatos Klosi Keshtu pergjonim Sali Berishen

Fatos Klosi: Keshtu pergjonim Sali Berishen
Ish-kreu i SHISH tregon të vërtetën e vjetër e të panjohur: “Po, e kemi përgjuar Berishën! Pak ditë mbas vrasjes së Azem Hajdarit dhe revoltës së armatosur në Tiranë, një shqiptaro-malazez, e urdhëron nga Teksasi që ta “mbyllë atë muhabet”! Dhe e mbylli”, thotë Klosi. Dëshmi të frikshme deri për antarë qeverie, që raportojnë në shërbime sekrete të vendeve të huaja. Çfarë i bashkon të gjithë drejtuesit e shtetit shqiptar në një shekull pavarësi në marrëdhënie me të huajt, një rrëfim tronditës për të vërteta me mister nga ish-shefi i shërbimeve sekrete
 
Fatos Klosi shpërthen përsëri! “Sali Berisha? Po, Shërbimi i djeshëm ka përgjuar bisedat e tij telefonike. Ka përgjuar bisedat që ai kryente me numrin fiks të sekretarisë së zyrës së tij në PD. Procesverbalet e zbardhura janë të frikshme. Aty mund të shihet sesi shefi i sotëm i qeverisë merrte urdhëra prej “të panjohurish” nga mijëra kilometra larg. Dhe një gjë të tillë nuk e di vetëm unë e një grusht njerëzish. Këtë e di edhe vetë Berisha që natyrisht e mban mend mirë se cili i fliste me ton urdhërues”. Deklarimi i fortë i referohet një të shkuare jo fort të largët. Ka ndodhur vetëm 14 vjet më parë, në një nga ato udhëkryqe të çuditshëm të historisë moderne të vendit dhe që si zakonisht, kanë të njëjtët personazhe që bien e ngrihen në mënyrë të “çuditshme”. Si Berisha vetë, por dhe si shumë të tjerë që i kanë dhënë emrin e tyre këtyre viteve aspak të lavdishëm. Emra që gjysma e shqiptarëve i konsiderojnë si heronj dhe gjysma tjetër i quan tradhëtarë.
 
Alo, Berisha ju dëgjon!

Një vendim i fshehtë gjykate, në një kohë të jashtëzakonshme dhe delikate i kishte hapur rrugë “uljes së fishave” në telefonin e zyrës së drejtuesit të PD-së. Kjo ndodhte në shtator 1998. Tirana sapo kishte shmangur një tentativë për grusht shteti, selia e PD-së ishte në dorë të njerëzve të armatosur, militantë besnikë të saj, në oborr ishte stacionuar me tytë drejtuar nga Ministria e Brendshme një tank model T 54, pronë e gardës së republikës dhe rrëmbyer në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Ishte përcjellë në varreza deputeti i ndjerë Azem Hajdari, ndërsa godina e Këshillit të Ministrave, Kryesia e Kuvendit dhe Radio Televizioni Shqiptar kishin rënë për disa orë në duart e protestuesve të armatosur që kishin shpallur madje dhe rrëzimin e qeverisë Nano. 

Skenat që kanë ndodhur vetëm 14 vjet më parë, në shtator 1998, sot ngjajnë si të importuara nga jashtë Evropës, por ato kanë ndodhur pikërisht në këtë formë dhe në zemër të Tiranës. Në mbrëmjen e datës 14 shtator, policia nxorri mjete të blinduara në rrugë për të dëshmuar rivendosjen e legjitimitetit dhe rendit, ndërsa nën argumentin e luftës kundër terrorizmit, SHISH-i i Klosit kishte ngritur një bërthamë hetimi dhe mbledhjeje informacioni për të kuptuar se çfarë po ndodhte brenda mureve të PD-së, por dhe për të parashikuar se çfarë do të ndodhte në të nesërmen e afërt. Një nga elementët e mbledhjes së informacionit ishte dhe përgjimi i telefonit të sekretarisë së zotit Berisha, i cili në atë kohë, besohej se nuk përdorte telefon të lëvizshëm. “U bë me vendim gjykate dhe ka zgjatur pak ditë. Se çfarë është komunikuar në atë telefon është e dokumentuar dhe e arkivuar. Mund t’ju them vetëm një detaj. Ka pasur një korrespondencë të Berishës me një person enigmatik që ndodhej në SHBA.

Flisnin në anglisht dhe nga aksenti, por dhe nga veprime e verifikime e analiza të tjera, gjykonim se ai ishte shqiptar nga Mali i Zi, atëherë pjesë e federatës Serbi-Mal i Zi. Në një nga nga këto biseda, tre apo katër ditë mbas 14 shtatorit, ai i tha Berishës me ton urdhërues: Mjaft tani, mbylle këtë muhabet! Dhe ai “muhabeti”, domethënë, rebelimi i armatosur në e nga PD-ja, u mbyll”, thotë Klosi. Ai nuk zgjatet më tej. Nuk thotë se cili ishte personazhi misterioz që fliste nga Teksasi, nuk thotë nëse u hetua se çfarë lidhjeje kishte Berisha me të. 14 vjet më pas, këto janë pyetje pa përgjigje, të cilat ngrejnë pikpyetje të tjera edhe më të rënda të llojit, po kontrollorin, kush e kontrollon?

Edhe pse ka patur një hetim të gjerë në dy drejtime kryesore për dramën e messhtatorit 1998, kush e vrau Azem Hajdarin dhe pse e vranë dhe kush organizoi rebelimin e armatosur dy ditë mbas atentatit famëkeq, e vërteta ka mbetur ende e pazbardhur plotësisht. Një numër procesesh gjyqësore kanë dënuar “armët”, por nuk kanë ndëshkuar duart që i komandonin. Sot, pakkush mund të kujtojë një detaj që është bërë pjesërisht publik në atë kohë, por askush nuk flet që nga ai numër telefonik është biseduar dhe “për të gjetur nja 300-400 burra të armatosur kundër qeverisë së komunistëve të Tiranës”. Për ironi të fatit, të dy bashkëbiseduesit kanë mbajtur postin e kryeministrit. Njëri nga ta është ende kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Si në të gjitha proceset politike ku politika ka ndërhyrë, e vërteta ka mbetur e fshehur dhe e mbuluar me mister. Në mister ka mbetur edhe hipoteza se në mos direkt, indirekt, një fqinjë i Shqipërisë si Serbia, ishte shumë e interesuar dhe aktive për ta shtyrë Tiranën në kaos. njëlloj siç u dyshua se kishte bërë në Shkodër në 2 prill 1991, mbas fitores së komunistëve të partisë së punës në zgjedhjet e para pluraliste në vend. Në të dy rastet me vdekje.

Vetëm tre muaj e gjysëm mbas asaj çfarë ndodhi në Tiranë në shtator 1998, Berisha u reabilitua politikisht nga një takim gjysëm i mbyllur me dy drejtuesit socialistë të qeverisë së kohës, Majko dhe Meta. Madje, edhe kërkesa për arrestin e tij nga prokuroria e përgjithshme, me të gjitha gjasat është shmangur nga presioni gjithashtu politik i qeverisjes së asaj kohe që i trembej destabilitetit të situatës dhe shkarjes së saj në kaos në pragun e luftës së pritshme në Kosovë. Që do të niste në të vërtetë në mars 1999.
 
Ndikimi i huaj në vend

Ka një linjë të qartë që bashkon veprimet e elitave politike, për aq sa ato kanë qenë të tilla në Shqipëri në këtë shekull shteti të pavarur. Eshtë linja që bashkon veprime të shqiptarëve me të huajt, kryesisht fqinjë. Në pjesët më delikate të historisë së vendit, gjithmonë shfaqet kjo linjë. Ahmet Zogu, për shembull, mbasi i fluturoi pushteti, u rikthye në legjitimitetin e tij me ndihmën e bajonetave ruso-serbe, Enver Hoxha dhe partia e tij komuniste akuzohen me prova të prekshme si krijesa të nacionalizmit “internacionalist” e komunist serb, Mehmet Shehu i ankohej dhe i kërkonte mbrojtje ambasadorit rus në Tiranë nga Hoxha. Shembuj të tillë janë të pafundëm dhe nisin madje, edhe nga gjeneza, madje edhe tek disa nga etërit themelues të shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme të Shqipërisë moderne. Shumëkush nga ta, më shumë se njëherë, në marrëdhënie me të huajt janë shfaqur në rolin e vasalit të vogël, të shërbyesit që shërben e shpërblehet dhe në disa raste edhe më keq, me emër të shënuar në “bordero” pagesash nga këta të huaj.

 “Kështu ka qenë gjithmonë, fatkeqësisht. Kështu është dhe sot. Madje, politikanët e sotëm shqiptarë nuk e fshehin, nuk e kanë për turp. Përkundrazi, e tregojnë me krenari që janë miq të njërës apo tjetrës fuqi të huaj, ndonëse kohët dhe rrethanat janë tërësisht të ndryshme”, thotë Klosi.

Ish-shefi i SHISH ngjan pothuaj cinik në përgjigjet e tij kur pyetet nëse ka ende në “qarkullim” zyrtarë të lartë të shtetit shqiptar të lidhur me ish-sigurimin e shtetit apo dhe shërbime të huaja. “Po, ka! Por çfarë rëndësie ka kjo. Situata është shumë herë më e rëndë se kaq. Kjo klasë politike i ka hequr br..kët me kohë. Tani madje nuk konsiderohet turp, përkundrazi është nder që të konsiderohet se njëri apo tjetri është konfident me këtë apo atë fuqi të huaj”, thotë ai.

Dhe për të mos lënë asnjë shteg për keqkuptim, tërësisht i drejtpërdrejtë ai nxiton të zgjedhë të japë një shembull nga ato që janë rregull dhe jo përjashtim. Pa përjashtuar këtu të dyja ngjyrat në qeverisje, të majtë dhe të djathtë. “Dikur, kur isha ende në detyrë, më ka ndodhur shpesh që përfaqësuesi i një shërbimi mik perëndimor, më pyeste se çfarë mendoja për atë që kishte thënë një antar apo një tjetër i kabinetit qeverisës.

Diçka që ai e kishte thënë në mbledhje qeverie që mund të kishte dhe pak orë që kishte përfunduar. E pyeta njëherë se si kishte mundësi që ai kishte kaq shumë informacion dhe në kohë reale se çfarë ndodhte në mbledhjet e mbyllura të qeverisë shqiptare dhe më thotë: Të gjithë ministrat, pa përjashtim janë të afërt me ambasadat. Vijnë vetë dhe komentojnë gjithçka ndodh”, thotë Klosi. “E kuptoni? Nuk bëhet fjalë për agjentë në kuptimin klasik që vjen nga filmat. Bëhet fjalë për antarë qeverie të cilët, varësisht pasioneve dhe afërsive të tyre personale, bëhen zëdhënës të interesave të huaja në vend. Për shembull të interesave ekonomike. Mos prisni që dikush me pushtet që vihet në shërbim të të tjerëve, të “fotografojë” materiale sekrete apo të japë informata. Jo! Dikush orienton një biznes të një shteti në vend e në dëm të biznesit që vjen nga një shtet tjetër. Duke parë interesin e tij të çastit në raport me vendin e huaj dhe në këmbim të mbështetjes së tyre vetjake dhe jo gjithmonë në interes të Shqipërisë”, thotë Klosi.
 
Edhe në Kuvend

Të shtunën e shkuar, ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi i tha revistës JAVA se “Njerëz me dosje ka dhe në parlamentin shqiptar, janë mes atyre që ngrenë kartonat, që prodhojnë ligje dhe ekuilibrojnë balancat politike”. Askush nuk reagoi zyrtarisht për një deklarim të tillë që normalisht duhet të trondiste themelet e shtetit kur shënjohet se e keqja ka prekur themelin e shtetit, Kuvendin.

Dy javë më parë, po në revistën JAVA, u botuan “identikitet” e dy prej ish-antarëve të komisionit për ndarjen e detit me Greqinë, të cilët u konsideruan si të vënë në shërbim të dy vendeve të huaja. Nuk ishte gjë e fshehtë; dëshmitarë dhe në dijeni të veprimtarisë së tyre ishin krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Nuk reaguan atëherë. Madje sot, ata janë shpërblyer me ngritje në detyrë në shërbimin diplomatik.

U përmend dhe një i tretë, një zyrtar i dorëhequr nga një post shumë i rëndësishëm në strukturat e shtetit shqiptar dhe i emëruar rishtaz gjetkë që kishte të njëjtën “biografi”. Zoti Topi foli dhe për një gazetar të njohur, të vënë në shërbim të shërbimit të fshehtë të një vendi të huaj, fqinjë me Shqipërinë. Në asnjë rast asnjë reagim zyrtar, përveç mllefit dhe protestës së kuptueshme të shqiptarëve në blogje interneti. Që kërkojnë emra të përveçëm për t’i linçuar nga anonimati në emër të dinjitetit të nëpërkëmbur nga këta njerëz-dosje. Por ata dhe shumë të tjerë në këtë vend, veç fjalës pa emër nëpër blogje, kanë për pronë vetëm votën e tyre gjithashtu pa emër! Një votë që normalisht duhet të marrë parasysh edhe telefonatat e hershme të Doktor Berishës.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama