Fevziu: Zoti Nano, si ka qenë fëmijëria juaj...?
Unë e kalova fëmijërinë dhe rininë në shtëpinë e një ish-tregtari këpucësh dibran, të sekuestruar nga pushteti i pasluftës, për arsye se nuk kishte paguar tatimin e jashtëzakonshëm të luftës.
Jetova aty, (pa tre vjet qe i kalova në një apartament në Elbasan (1975-1978)), deri në një periudhë që më lëshoi në jetën publike, në moshën 39 vjeç, pra, deri në vitin 1991, kur u bëra drejtues i Qeverisë shqiptare për herën e parë.
Në atë lagje të vjetër tiranase, sigurisht, krijova shoqëritë e para të fëmijërisë, bëra arsimin parashkollor dhe fillor, njoha zënkat dhe dashuritë e para, u rrita dhe ndesha vështirësitë e para të jetës...
Unë jam lindur në shtator të vitit 1952... Unë u linda në periudhën e triskës, - natyrisht, kishte tre kategori të triskës, ishte triska A për nomenklaturën e lartë, nomenklaturën e lartë politike të kohës, apo Qeverinë, derisa u legalizua Partia Komuniste më 1948.
Ishte triska B, për rangun e dytë, intelektualë, nëpunës, drejtues institucionesh, siç ishte ATSH, apo me vonë edhe RTSH, ku im atë ka qenë drejtuesi i parë dhe themelues. Nëna ime, Maria, mësuese anglishteje e dalë nga shkolla e mesme amerikane e Kavajës, pas luftës, në rangun më të lartë, arriti pedagoge e anglishtes në shkollën ushtarake "Skënderbej".
Dhe prandaj, një numër i madh gjeneralësh të pluralizmit, të të gjitha shtabeve të përgjithshme që kanë drejtuar procesin e reformave të integrimit tonë në NATO, e kanë mësuar anglishten nga nëna ime, të cilën e vlerësonin si mësuese rigoroze dhe kërkuese. Edhe unë prej saj e kam mësuar, por ata kanë pasur më shumë favore sepse e njihnin nënën time vetëm si mësuese.
Kurse, në familje, nënat nuk kanë asnjëherë kohën e nevojshme që ta ushtrojnë të gjithë profesionin tek fëmijët e tyre. E treta, ishte triska e kategorisë C, për punëtorët dhe popullin e thjeshtë.
1987-1990. ... Një nga biçikletat kineze të kohës, se në rrethin e atëhershëm familjar, pavarësisht se regjimi i priste duart vjedhësve, na kanë vjedhur 7 biçikleta nëpër vite.
Unë ju mbaj mend me një biçikletë shumë të bukur në atë kohë...
Ishin ato të kohës, por nuk e di cila nga ato që na u vodhën ju kujtohet juve.
Natyrisht biçikleta kineze 26 ose 28-she. Unë ngrihesha në orën 2, një herë në tre ditë dhe me aq "hile" sa të lejonte kjo situatë, për shkak të biçikletës vendosja shishe bosh të qumështit në radhë në tre dyqane, duke kuptuar përpara se cilat ishin oraret e furnizimit të lokaleve.
Pra ndiqja edhe unë makinën e furnizimit, nga "Shkolla e Kuqe" ku ishte dyqani më i afërt, deri diku tek rruga e Elbasanit dhe arrija të merrja deri në orën 4 e 30 të mëngjesit, 9 shishe qumësht. Ne ishin një familje prej 8-vetash, familja konsumonte rreth 3 litra në ditë.
Dy herë në javë ju punonit turni i tretë, siç quhej në atë kohë...
Po. Kjo përfundoi papritmas dhe pa parashikuar, në detyrën time të Kryeministrit...
Është një episod unikal, kur pasi u mor vendimi, tani unë nuk dua ta përmend në këtë rrëfim për jetën aspektin zyrtar të historisë që njihet, por dua të them se si u bë dorëzimi i detyrës së Kryeministrit nga Adil Çarçani tek unë.
Merrte vendime Adil Çarçani?
Ishte i detyruar brenda zyrës dhe orarit të tij zyrtar që të merrte vendime, të cilat shkonte i konsultonte tek godina përballë, tek Ramiz Alia. Unë isha sekretar i Përgjithshëm i një kabineti që kishte filluar të ndryshonte me disa personazhe apo me personalitete aspak të së njëjtës kategori me byroistët tradicionalë, si për shembull, Skënder Gjinushi, Ismail Ahmeti, Farudin Hoxha apo Pajtim Ajazi, etj. Pra, që vinin nga teknicienët dhe shkencëtarët jo detyrimisht të politizuar dhe që kuptuan që jo vetëm regjimi, por edhe Tao -Tao ishte në fund të resurseve...
Gjendja ishte katastrofike dhe unë këtë e kuptova plotësisht ditën kur mora në dorëzim kasafortën e Kryeministrit.
Që kishte brenda?
Që kishte brenda dosjen e rezervave valutore të shtetit, jo ndonjë gjë tjetër të madhe. Pra, unë isha në dijeni dhe po menaxhoja për shkak të detyrës si sekretar i Përgjithshëm i Qeverisë së fundit komuniste, situatën e vështirë të sigurimit të ushqimeve për popullin, për tregun, kryesisht vaj, grurë, sheqer, pra nga vaj gatimi deri te vajguri etj.
Tetë milionë dollarë, shteti shqiptar i 25 shkurt i vitit 1991, kishte vetëm 8 milionë dollarë...
Që nga pikëpamja e sigurisë ushqimore të tregut, ishte vetëm 5 javë ushqime. Ishin "më mirë" se sa gjashtë ditë të Ylli Bufit më vonë.
Duhet të kemi parasysh se në atë kohë, gjithë sistemin ushqimor të vendit duhet ta përballonte shteti, jo si sot që e rregullon tregu privat me lëvizjet e tij ...
...Në adoleshencën e vonë dhe në vitet e para të rinisë, a e kishit ndjerë që po jetonim në një sistem dhe regjim absurd, apo ende jo?
Të kthehemi tek fëmijëria, unë jam rritur në një lagje që i ka pasqyruar në një mënyrë shembullore dhe nuk se është e vetmja lagje që i ka pasqyruar në mënyrë të tillë, por meqë ishte larg bllokut, i ka pasqyruar në mënyrë shembullore të gjitha paradokset dhe fenomenet e bashkëjetesës midis paradokseve që ka pasur ajo periudhe.
Një lagje tiransish autoktonë në një fare mase...
Sigurisht, lagje tiransish, dibranësh, oficerë që hynin dhe dilnin, vinin dhe shkonin, madje tani më thotë Xhoi, 10 vitet e fundit, që edhe gjyshi i saj ka qenë banor i asaj lagjeje dhe përshëndetej me babanë tim...
A qëllonte që të flisnit për pakënaqësitë që kishte prodhuar koha?
Kishte 1001 gjëra që sot je në gjendje t'i klasifikosh ose t'i formulosh si pakënaqësi, apo rezerva për politikën zyrtare, pasi është jeta e përditshme. Ka qumësht, s'ka qumësht, më dënoi zysha të rri me një këmbë tek cepi i klasës...
Nuk të linin të luaje futboll...
Ekzakt. Do të vij tek kjo gjë. Një aspekt tjetër i kësaj bashkëjetese paradoksesh, në lagjen time, diku tek "shtëpia e çifutit" i thoshin, banonte Maks Velo përpara se të internohej.
I cili është një personazh po kaq piktoresk i kësaj lagje...
Po kaq i njohur edhe në pluralizëm. Maks Velo në 1999-2000, ose pak më vonë, kur unë e mora në një rrugë dhe bisedonim në avionin e Berluskonit, - e mora një rrugë tek Berluskoni, si përfaqësues të mjedisit të gjerë, që përfaqësonte Qeveria - më tregon: Fatos, e di pse të respektoj unë ty, për shkak të nënës tënde.
I them, Maks çfarë po më thua. Më thotë, në momentin që është mbledhur organizata e Frontit dhe Partisë së lagjes për të marrë vendimin për internimin tim, e vetmja që më ka mbrojtur ka qenë nëna jote, më thotë, që ishte Zëvendëssekretare e Organizatës Bazë të PPSH së lagjes, pensioniste, ish-mësuese dhe një aktiviste e frontit në lagje.
Ajo, me dhembshurinë qe na kishte rritur ne, katër fëmijët e saj, duke sakrifikuar tërë jetën e saj, tregohej e dhembshur edhe me një njeri të dashur për lagjen, siç ishte Maksi dhe thotë do të bëni gabim, janë njerëz të mirë, janë familje e mirë, mos e internoni. Maksi e merr vesh këtë gjë dhe nuk ma harron këtë "borxh" njerëzor.
Kishte dyzim në familjen tuaj, apo kishte besnikëri? A qëllonte që babai juaj ta kuptonte që tashmë ky regjim nuk shkonte më dhe të fliste me ju duke ju thënë që kini kujdes, mos flisni jashtë, ruhuni, apo ishit të bindur deri në fund që ky ishte një regjim që funksiononte dhe ishte i mirë?
Ishin një pjesë të rinjsh të periudhës së Luftës Antifashiste, edhe intelektualë, sidomos, edhe njerëz të thjeshtë, zanatçinj, im atë ishte shumë specifik në këtë mes, sepse ishte rritur si jetim dhe ishte shkëputur nga fshati, Nokovi i Lunxhërisë, që në moshën 8 vjeç.
Natyrisht që e kishte fituar shkollën e mesme ku doli mësues, për shkak të një njohjeje të priftit të fshatit me prefektin e Zogut për qarkun e Gjirokastrës, që i siguroi një bursë në Normalen e Elbasanit.
Pra kishte një mori të rinjsh dhe intelektualësh, të shkëputur nga fshati, në fund të fundit të gjithë nga fshati jemi dhe shyqyr që jemi, - në sensin që duhet urbanizuar politika, pastaj duhet urbanizuar fshati, - të cilët hynë me idealizëm në jetën dhe sfidat e luftës antifashiste...
...Cili ishte mendimi që ai kishte për drejtuesit e lartë të kohës?
Do të vij edhe aty. Dua të them se në familjen time ka pasur ngjarje të gëzueshme dhe ngjarje gati tragjike për shkak të këtij pozicioni që ka pasur babai gjatë asaj kohe.
Për shembull, në 1973 kur ishte festivali i 11-të, u largua Thanasi për shkak të një raporti jo preferencial me Ramiz Alinë dhe festivali i 11-të, me rol tashmë të klasifikuar si liberalizëm i mbytur në historinë komuniste të vendit, u drejtua dhe u organizua nga Todi Lubonja.
Në momentin që Todi e "hëngri" për shkak të eksperimentit të dështuar, - ka shumë interpretime, edhe për eksperiment të tentuar nga Enver Hoxha për pak liberalizim të jetës intelektualo-kulturore në kushtet e atij regjimi, - u rikthye Thanasi në RTSH.
Midis këtyre episodeve, ju e mbani mend që u ndaluan edhe transmetimet RAI-t që përforcoheshin nga antenat e Dajtit. Pas një periudhe ndalimi absolut, pjesa tjetër e nomenklaturës, i kërkoi byrosë politike që kishte kabllo dhe i vinte sinjali i vetëm në bllok, që: "ne s'e bëjmë dot punën nëse nuk shohim edhe ne pak informacion nga bota".
Filluan të lejoheshin lajmet e orës 20-20.30, por me disa prerje që kishin të bënin me Papën e Romës, me lajme nga Uashingtoni apo të tjera si këto.
Një ditë të diel të vitit 1973, babai sapo ishte kthyer nga puna dhe ne do të hanim darkën tradicionale të së dielës, filluan lajmet e RAI-t dhe në 20.05, nga lajmet e para, ishte mesha e së dielës në Vatikan, që duhej të ndërpritej, mirëpo kjo nuk ndodhi!
Filloi kronika e meshës së Vatikanit dhe babai ngriu ne vend! Unë isha i vetëdijshëm që të kapja pak a shumë se çfarë "hataje" po ndodhte: Papa vazhdoi të flasë pa censurë! Thanasi u ngrit menjëherë kur bie telefoni që e kishim në sallon.
(Në të njëjtin telefon, në mënyrë paradoksale unë kam dhënë intervistën për Zërin e Amerikës në 2 gusht 1990.) Telefoni ishte përballë dhomës së ndenjes ku ne kishim aparatin televiziv. Dhe Enver Hoxha kërkoi Thanas Nanon...
Direkt Enver Hoxha?
Direkt. Thanasi vjen pasi bisedoi, nuk dëgjohej se çfarë thuhej. Vjen i tronditur. Kaq e pat kjo histori, na thotë ne në familje. Çfarë ndodhi? Ishte shoku Enver. Çfarë ka ndodhur, më pyeti?
As unë e nuk e di, do informohem, i kishte thënë im atë. Ishte një gjë banale, përgjegjësi i antenës të dielën në mbrëmje kishte shkuar të bënte ujin e hollë, të parakorduar me orarin e Papës në lajme. Nuk kishte arritur të hiqte fishën.
Përse ka një përshtypje që ju ishit nga të preferuarit e Ramiz Alisë diku rreth vitit 1987?
Historia e fundit të viteve 1980 dhe viteve 1990 është shumë më intensive se gjithë historia e 50 vjetëve të komunizmit.
Për pasojë, dominon me ngjarje, që kanë krijuar efekte, që do të thotë unë kam punuar rreth e rrotull institucioneve të kohës dhe i tillë ishte edhe... kombinati metalurgjik.
Në momentet e para që i them tim ati që nesër më duhet të takoj Ramiz Alinë, ishte fundi i vitit 1989, më thotë: Ki kujdes djalë, sepse siç të kam thënë, nuk e lexon dot drejtpërdrejt.
Ai kishte një eksperiencë pune të gjatë me Ramiz Alinë...
Po, dhe e pyes, ku e ke fjalën? E detyrohem ta them publikisht, është skile - më tha babai.
Ishte realisht?
Le të themi që ishte skile e plakur.
Ky ishte takimi i parë i juaj me Ramizin, cila ishte përshtypja juaj për të?
Nuk mund të krijohej që në këtë takim përshtypja, sepse pastaj filluan një numër kontaktesh, kur m'u kërkua në fund të vitit 1990 të krijoja një grup ekonomistësh që do të shkonin për të marrë përvojën e reformave ekonomike, në tre vende të ish-bllokut lindor: Poloni, Hungari dhe Çeki dhe unë krijova grupin që do të kryesoja vetë. Në përbërje të të cilit ishin, përveç meje, Bakllamaja, Cuci, Shehu dhe Angjeli.
Ditën që grupi do të nisej, mua më thonë: ti nuk do të nisesh dhe këta do të ikin vetëm. Sepse u ftova të hyj në qeveri dhe udhëtimi i tyre do të ishte tre javë. Unë jam bashkuar me ta në javën e fundit në Budapest, në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm për të na pritur zëvendës kryeministri Hungarez.
Ishte i lirë Ramiz Alia në vendimet e veta? Ka një teori se ishte i kontrolluar nga e veja e Enver Hoxhës...
Ai ishte mjeshtër i manipulimit të mendjeve. Bënte atë që vendoste të bënte. Askush nuk e kufizonte dot, as Nexhmie Hoxha nuk e kufizonte dot sepse ka pasur më shumë kulturë dhe buonsens se Ramiz Alia apo anëtarët e tjerë të byrosë, si Lenka, Pali etj.
Nexhmie Hoxha, pasi i vdiq i shoqi, sidomos me largimin nga data e vdekjes së të shoqit, me afrimin ndaj viteve '90, u zhvesh nga nostalgjia e humbjes së themeluesit të shtetit komunist dhe nisi të dëgjojë me vëmendje zëra të rinj të nevojës për ndryshim.
Për shembull, kur unë dhashë intervistën në 2 gusht 1990 tek Zëri i Amerikës, të nesërmen, dokumenti i parë ku u pasqyrua intervista ishte Buletini rezervat i ATSH. Harilla Papajorgji, zv.drejtori i Nexhmijes, i shkon në zyrë asaj të nesërmen: Ja çka thënë ky revizionisti! Për çudi, Nexhmija përgjigjet: Ore, është larg koha kur burgosnim dhe largonim njerëz për krime verbale.
Zoti Nano, në 2 gusht 1990 ju dhatë një intervistë për Zërin e Amerikës, dhjetë ditë më pas në 12 gusht, në takimin me intelektualët ju nuk reaguat, si shpjegohet që nuk përsëritët tezat tuaja atje?
Unë nga profesioni, jam kërkues, ekonomist dhe kërkuesi punon më mirë në kushte të ballafaqimit me informacionin, dokumentacionin dhe trurin e tij për të formuluar rekomandime me vlerë për publikun. Unë kam folur tek Zëri i Amerikës, sapo isha kthyer nga plazhi, në piskun e vapës dhe kur bie telefoni në sallonin e shtëpisë sonë, unë isha vetëm me pantallona të shkurtra kur e kapa receptorin...
Kush ju propozoi për të qenë kryeministër i Shqipërisë në shkurt të vitin 1991, në vitet më të vështira të Shqipërisë?
Natyrisht ma kërkoi Ramiz Alia, me një mandat si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe më pas si zëvendëskryeministër, kur u duk qartë se nuk funksiononte në qeverinë e Adil Çarçanit, as një mandat i precizuar për reforma ekonomike. Në 25 shkurt unë mora qeverinë në kushte emergjence.
Kur ju e morët mandatin duke e lidhur me reformat ekonomike, mbi të gjitha në vend mbetej çështja e sigurisë.
Ministri i Brendshëm në atë kohë u emërua Sekretari i Parë i Tepelenës, Gramoz Ruçi. Ju nuk e njihnit deri në atë kohë?
Njohja e parë me të ndodhi kur unë shkova me një grup pune që do të shihte gjendjen e tregut në Tepelenë, dhe ai ishte sekretar i propagandës. Ky labi Gramoz, që ka pasur tangërllëk që atëherë, nuk më priti dhe më nxori një instruktor...
Por grupi i bllokmenëve që u dënuan në kongresin e 10-të, çfarë reagimi patën ndaj transformimit të partisë së punës?
Unë mora vendim si Kryeministër për t'i nxjerrë nga blloku. Ikën me bisht ndër shalë në shtëpi të tjera me përjashtim të Spiro Kolekës dhe ndonjë tjetri. E kini parasysh Spirua, ndërtuesi i të gjitha "kutive" 50 m2 të strehimit në komunizëm, që kishte një vilë super të bollshme, me thënë të drejtën nuk e di se kush e ka sot.
Më shkruan një letër, fletore aritmetike me katrore, 16 faqe me shkrim dore, ku më thoshte se jo vetëm se nuk duhet të dilte, por kishte nevojë për strehim suplementar se ishte bërë gjysh dhe po i rriteshin fëmijët e fëmijëve.
Si përfundim, në bashkëpunim me gardën e shtetit, me hir e me pahir, u shoqëruan në apartamentet e reja normale, ku u futën edhe familje të persekutuar në të njëjtën kohë.
Një nga kuriozitetet në këtë histori është se shkresën e firmosur në vendimin e qeverisë nga unë, ma kthejnë me shënimin e Pali Miskës, ku thoshte se nuk lëviz nga shtëpia edhe sikur topat të bien. Vetëm topa s'kishte Pali, se duhen topa për të përballuar topa.