Ish-kreu i PS do monitorojë disa organizata socialiste.
Ish-kryetari i Partisë Socialiste është deleguar në organizatat socialiste të Njësisë Bashkiake Nr. 10 në Tiranë. Në cilësinë e anëtarit të Asamblesë Kombëtare, pozicion që e merr automatikisht sipas statutit të PS-së, për shkak të detyrave si ish-kryeministër, Fatos Nano është ngarkuar nga kjo asamble që të merret me problematikën e re organizative dhe politike të PS-së në Tiranë. Tashmë të gjithë anëtarët e Asamblesë dhe të Kryesisë së PS-së kanë nisur nga puna, ku kanë marrë kontaktet e para me organizatat socialiste dhe asambletë lokale të komunave dhe bashkive.
Në Njësinë Nr. 10 në Tiranë mësohet se janë katër të deleguar të Asamblesë Kombëtare, të cilët mes tyre kanë ndarë dhe mbulimin e të gjithë zonës. Ish-kreu historik i Partisë Socialiste do të mbulojë disa organizata socialiste në të cilat do të ketë një rideklarim të anëtarësisë, por dhe do të diskutohet rreth programit të ri të PS-së. Nano ende nuk ka marrë asnjë kontakt me organizatat socialiste dhe nuk dihet nëse ai do të aktivizohet në këtë aksion të ri politik dhe organizativ që ka nisur PS në përgatitje për zgjedhjet e 2013-s. Por, si anëtar i përhershëm i Asamblesë Kombëtare, edhe në të gjitha delegimet e mëparshme, Nano ka qenë i vendosur në zonat e Tiranës sipas një ndarjeje formale të listës së anëtarëve të Asamblesë.
Emri i rij krijoi ilaritet në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare. Duke lexuar me radhë emrat e anëtarëve të Asamblesë që u caktuan në Tiranë, sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, citoi dhe emrin e Fatos Nanos mes atij të Ramës, Meidanit, Pëllumbit, Dritëroit etj. Në fund të listës Rama u shpreh me humor se “do të gjente dhe ai një organizatë socialiste për ta marrë në patronazh”.
Organizimi
Partia Socialiste është përfshirë në një fushatë të re organizimi të saj të brendshëm. Deri në fund të muajit shkurt duhet të bëhet regjistrimi i plotë nga e para e të gjithë anëtarësisë. Një kartelë e re anëtarësimi qarkullon tashmë në të gjitha organizatat socialiste, ku çdo anëtar duhet të hedhë të dhënat e tij për zonën ku banon, cilës qendër votimi i korrespondon, arsimimin, kualifikimin dhe vendin e punës ku punon. Pasi të jetë plotësuar kjo kartelë e anëtarit të partisë, duhet të paguhet kuotizacioni vjetor, sipas tabelës së miratuar nga Kryesia dhe Asambleja Kombëtare, e cila diferencon masën e kontributit të gjithsecilit bazuar në të ardhurat e tij. Pagesa e kontributit për partinë, ose e kuotizacionit, i cili varion nga 200 lekë në vit për pensionistët dhe studentët e deri në 72 mijë lekë në vit për deputetë, shoqërohet me një kartë kuotizacioni që tregon se anëtari i PS-së ka paguar detyrimet e tij. Gjithashtu, në të gjitha asambletë lolake të bashkive dhe komunave po zhvillohet dhe procesi i emërimit të koordinatorëve zgjedhorë, të cilët do të përgjigjen që nga struktura më e vogël e partisë e deri tek institucioni më i lartë zgjedhor në qark, siç është KZAZ. Kështu, socialistët do të kenë koordinatorë zgjedhorë për qendrat e votimit për 66 KZAZ-të e të gjithë vendit.
Kartela
Në Partinë Socialiste po bëhet regjistrimi i të gjithë anëtarësisë së saj. Sekretariati i organizimit ka hartuar një kartelë në të cilën do të plotësohen të gjitha të dhënat e anëtarit, që nga gjeneralitetet e deri te të dhënat lidhur me punësimin, arsimimin, por dhe qendrën e votimit që ai mbulon. Një regjistrim i tillë pritet të zhvillohet çdo fillim viti, për të pasur një pasqyrë të saktë të lëvizjeve të anëtarësisë.
Karta
Për herë të parë pas 20 vjetësh në PS do të aplikohet karta e kuotizacionit, të cilën anëtarët e PS-së do ta marrin në fillim të vitit, pasi të kenë plotësuar kartelën e anëtarësisë dhe të kenë paguar kuotat. Sipas tabelës së miratuar nga Asambleja, kategoritë e ndryshme sociale do të paguajnë kuota të ndryshme të anëtarësimit. Karta e kuotizacionit do të rinovohet çdo vit, si një dëshmi i kontributit të dhënë për PS.
Drejtues të rinj në 117 njësi vendore
Deri në mes të muajit mars, në Partinë Socialiste do të përfundojnë zgjedhjet për drejtuesit e asambleve të komunave dhe bashkive në 117 njësi vendore. Zgjedhjet që nuk mundën të zhvilloheshin para Kongresit të 5 nëntorit, u shtynë pas tij, ndërsa mbledhja e fundit e Asamblesë la si afat mesin e muajit shkurt. Por, për shkak të kushteve të këqija të motit dhe të disa mosmarrëveshjeve në disa njësi vendore, afati përfundimtar i zgjedhjeve është lënë 15 marsi. Pritet që deri atëherë të jenë zgjidhur disa përplasje mes bazës socialistë dhe drejtuesve të lartë në qendër për zgjedhjen e disa drejtuesve të kontestuar.