Skënderbeu e mbyll me humbje fazën përgatitore në Austri. Ekipi korçar humbi me rezultatin 1-2 përballë Makabi Haifas. Fillimisht, djemtë e drejtuar nga italiani Agostineli e panë veten në disavantazh në minutën e 8´.
Ky rezultat mbeti në fuqi edhe në përfundim të pjesës së parë. Me fillimin e 45´ të dyta, kampionët e Shqipërisë pësuan një tjetër gol. Gozlan dyfishoi shifrat në minutën e 78´, ndërsa korçarët ngushtuan shifrat me anë të Lilajt tre minuta më pas.
"E mbyllim këtu fazën përgatitore me një humbje që përveç rezultatit negativ dha një mesazh mjaft të qartë për fuqinë e këtij ekipi. Ndeshje mjaft pozitive, ekip i organizuar, energjik dhe sulmues. Kemi luajtur 90´ minuta në fushën e kundërshtarit",-shkruan klubi i Skënderbeut në një njoftim të shkurtër të publikuar sot pasdite.
Pas rreth 12 ditësh përgatitjesh në Austri, trajneri italian duket se pati kohë të mjaftueshme për të testuar ekipin e tij. Pak ditë më parë, korçarët fituan me rezultatin 1-0 miqësoren me kampionët e Azerbajxhanit, Karabakun.