Protesta e ashpër e shoferëve të automjeteve 8+1 në kryeqytet ka nxitur reagimin e menjëhershëm të Federatës së Sindikatave të Transporteve, të Shoqatës së Transportit Ndërqytetas dhe asaj të Taksive. Të gjitha njëzëri mbrojnë vendimin e qeverisë për të zbatuar ligjin, ndërsa gjykojnë si të padrejta kërkesat e drejtuesve të furgonëve, të cilët, sipas tyre, prej vitesh janë paguar për ushtrimin e një aktiviteti ilegal, duke ndëshkuar të tjerët që u takon me të drejtë. Bashkërisht ata kërcënuan se nëse qeveria tërhiqet për të favorizuar shoferët e furgonëve, do të organizojnë një antiprotestë të madhe ndaj këtyre drejtuesve.
Federata e Sindikatave të Transporteve mbështet reformën e nisur nga qeveria ndaj transportit të paligjshëm. Sipas saj, aktualisht në rang vendi numërohen rreth 21 mijë furgonë të palicencuar, që konkurrojnë të licencuarit.
“Nëse qeveria tërhiqet nga reforma, do të jemi ne të parët që do të bllokojmë rrugët”, thanë përfaqësues të Federatës së Sindikatave të Transportit, si një formë revolte kundër kërkesave të bëra dy ditë më parë nga kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalaja. Përfaqësues të kësaj federate bëjnë me dije se kanë 17 vjet që presin zgjidhjen e kërkesave të tyre, siç është sidomos lufta kundër informalitetit. Sipas tyre, prej 20 vjetësh në Shqipëri punojnë 5 mijë e 700 autobusë, në përputhje të plotë me ligjin, për këtë arsye theksojnë se ditën e hënë, Shoqata e Transporteve është e vendosur të organizojë një antiprotestë, në orën 12:00.
Të njëjtin shqetësim ndan edhe kryetari i Shoqatës së Taksive, Gëzim Bardhi, i cili tha se përballë 21 mijë furgonëve, të palicencuar, janë 2 mijë e 100 furgonë të licencuar, si dhe 1 mijë e 500 taksi 4+1, të licencuara në mbarë vendin.
“Ka diskriminim të madh dhe shkelje të ligjit. Duhet të kishte 10 herë më pak furgonë se taksi. Ne mbështesim kërkesat e Shoqatës së Autobusëve dhe reformën e qeverisë ndaj furgonëve. Ditën e hënë do të protestojmë kundër plotësimit të kërkesave të shoferëve të automjeteve 8+1, në krah të vendimit të qeverisë”, shpjegoi Bardhi.
Në një situatë si kjo, duket sikur qeveria është vënë mes dy zjarresh, pavarësisht se Federata e Sindikatave të Transporteve, Shoqata e Transportit Ndërqytetas dhe ajo e Taksive, është pro urdhrit të saj, për të mos lejuar marrjen e pasagjerëve në kthim vend e pa vend, nëse nuk zotërojnë licencë ndërurbane.
Kështu, ditën e hënë, protestës së shoferëve në njërin krah, do t’i shtohet një tjetër front, që do të protestojë kundër kësaj të parës, për të mos lejuar në asnjë moment që qeveria të tërhiqet përpara rezistencës së tyre.
Në dijeni të këtyre zhvillimeve, zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Ylli Manjani, tha se kjo ministri është e vendosur të zbatojë ligjin për transportet që, sipas tij, e saktëson qartë ndarjen mes shërbimit taksi dhe atij publik.
“Licencën drejtuesit e furgonëve e kanë marrë në çdo komunë apo bashki që kanë aplikuar. Pika 5 parashikon ndalimin e shërbimit taksi të udhëtarëve në linjë të rregullt, që korrespondon me detyrimin që ka neni 37 i ligjit për transportet. Asnjë kërkesë nuk duket e pranueshme, që të cenojë standardin që ju thashë. Taksia të bëjë punën e vet, autobusi të bëjë punën e vet. Të dy duhet të punojnë në mënyrë të ndershme”, sqaroi zëvendësministri i Transportit dhe Infrastrukturës.
Megjithatë, Manjani shtoi se ministria mund të shohë si alternativë për pronarët e automjeteve 8 plus 1, akomodimin në akset rrugore, që nuk mund të përshkohen nga autobusët.
“Kemi hedhur idenë dhe jemi gati ta bëjmë, që shërbimi taksi i furgonëve 8+1 të shtrihet jo vetëm brenda juridiksionit të bashkisë, por edhe brenda qarkut”, sqaroi zëvendësministri i Transporteve. Për sa i takon protestës së zhvilluar nga shoferët e furgonëve, ai tha se nuk ishte as më shumë e as më pak sesa një protestë e politizuar.
“Ata mendojnë se Shqipëria duhet të shkatërrohet sipas skenarit grek. Konstatojmë se është e izoluar, nuk ka mbështetjen popullore, siç ishte proklamuar”, komentoi Manjani.
Sindikatat
Janë 21 mijë furgonë të palicencuar, që konkurrojnë të licencuarit. Nëse qeveria tërhiqet, do i bllokojmë ne rrugët
Bardhi
Ka diskriminim dhe shkelje ligji. Duhet të kishte 10 herë më pak furgonë se taksi. Ne mbështesim kërkesat e Shoqatës së Autobusëve
Manjani
Kemi hedhur idenë, që shërbimi taksi i furgonëve 8+1 të shtrihet, jo vetëm brenda juridiksionit të bashkisë, por edhe brenda qarkut