Pas gati një shekulli dalin në dritë kujtimet e Fejzi Alizotit, një prej politikanëve më të njohur në vitet 1912-1944, i cili për 30 vite kishte funksione të rëndësishme në shtetin shqiptar. Stërmbesa e tij, Ismiha Pirgu, vendosi që të gjitha dorëshkrimet e Fejzi Alizotit, të cilat i kishte trashëguar nga babai i saj, t’ia dorëzonte Arkivit të Shtetit Shqiptar. Me këtë rast, si një nismë familjare, kujtimet i kanë botuar edhe në një libër, titulluar “Kujtimet e jetës sime politike 1891-1921”. Libri është redaktuar nga studiuesi Kastriot Dervishi dhe do të jetë tashmë në shërbim të studiuesve për të bërë një ballafaqim të mundshëm me kujtimet e këtyre viteve që tashmë njihen si ato të Sejfi Vllamasit, Eqrem Vlorës, Nikollaq Zoit, etj.
“Këto dorëshkrime janë ruajtur nga gjyshja ime Semih Pashallari, me një guxim të jashtëzakonshëm, më pas i kaluan tim ati dhe mua. Unë kam jetuar shumë vite në Itali. Janë dorëshkrime shumë të çmuara dhe unë gjithnjë kam zgjedhur t’i mbaj me vete, sepse nuk e dija se çfarë mund të ndodhte me to. Sot të gjithë ne pasardhësit vendosëm t’ia dorëzojmë Arkivit, sepse kështu mund t’i shfrytëzojnë brezat”, thotë stërmbesa e Alizotit.
Ministër i Punëve të Brendshme dhe zëvendësisht i Luftës (gjë që deri më sot nuk dihej) në qeverinë e Ismail Qemalit, Fejzi Alizoti, i nis kujtimet e tij me jetën në Bejrut në vitet 1892-1897, kohën si nënprefekt në Prefekturën e Selanikut, prefekt Hymsi i Libisë në vitet e 1903-1904 për të vazhduar dy vjet si prefekt në Korçë, më pas në Sardi e Prizren, Luftën e Parë Ballkanike që e gjeti në Prishtinë, raportin e Komitetit të Stambollit për Ismail Qemalin, kthimi në Shqipëri dhe telegrami i Ismail Qemalit që e ftonte të bëhej pjesë e qeverisë së parë si ministër i Punëve të Brendshme, për të vazhduar në vitet 1916-1918 si drejtor i përgjithshëm i Financave, etj. Alizoti shkruan në kujtimet e tij për Takimin në Itali me Fan Nolin, për figurën e Esad Pashës, për qëndresën e Isa Boletinit, etj.
Pasardhësit e tij kanë dorëzuar plot katër blloqe ku Fejzi Alizoti kishte shkruar kujtimet, disa prej tyre të filluara që në vitin 1912, por ata shprehen se ky është vetëm botimi i parë, sepse synojnë të bëjnë të ditura edhe bisedat e punimeve të seancave plenare nga legjislatura e parë e Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa një tjetër botim do të përfshijë publicistikën e tij të botuar në gazetën “Demokratia” të Gjirokastrës mes viteve 1934-1935. Pjesa e kujtimeve që u ka shpëtuar flakës së shkatërrimit është ajo e viteve 1891-1921. Për fat të keq është shkatërruar pjesa e dorëshkrimeve që përshkruan periudhën mes viteve 1921-1944. Fejzi Alizoti arrestohet në nëntor të vitit 1944 dhe dënohet me vdekje në “gjyqin special” nën akuzën e kolaboracionistit dhe sabotatorit të luftës kundër pushtuesit. Pushkatohet më 13 prill 1945.
Prill 1913, Raporti i Komitetit të Stambollit për Ismail Qemalin dhe dëbimi im nga Turqia
Në një moment, duke qenë se kishte dalë çështja e princit në Shqipëri, e kur përflitej se mund të ishte një nga fëmijët e fundit të sulltanit, i propozova komitetit hartimin e raportit të veçantë e të fshehtë për Qeverinë e Vlorës, të cilin do ta dërgonim me një njeri të besuar. Këtë propozim e pranuan dhe për redaktimin e raportit u ngarkua zoti Polo Meksi. Mbasi u korrigjua dhe u nënshkrua nga të gjithë anëtarët ju dorëzua Fuat bej Dibrës për të gjetur personin besnik për të dërguar në Vlorë. Fuat beu duke patur besim te një dibran të paguar nga arka e komitetit me një shumë mjaft të konsiderueshme për çfarëdolloj sakrifice e nisi atë për në Itali. Ky raport, në vend që t’i binte në dot Ismail Qemal beut, ra në duart e Komitetit Xhonturk. (Këtë tradhti e mora vesh 8 vjet më vonë, pasi ramë nga Qeveria e Durrësit në vitin 1920. Këtë kohë vajta në Stamboll dhe u drejtova autoriteteve të merrja vesh arsyen e dëbimit tim në prill 1913. Gjeta shef të seksionit politik të Sigurisë Publike, Mustafa Natikun, një ish oficer me shërbim në Shqipëri. Ai me kërkesën time më rrëfeu çështjen si dhe kopjen e raportit të sipërthënë). Disa ditë pasi dërguam raportin në Vlorë, më thërret komandanti i pjacës së Stambollit i cili më bëri të ditur vendimin e Këshillit të Luftës për dëbimin tim dhe se duhej një orë e më parë të largohesha nga Turqia.
1913, nga Vjena në Vlorë
Në këtë kohë me ndërmjetësinë e avokat Lehovës marr një telegram nga Ismail Qemal beu nga Vlora. Ai më shkruante të nisesha me shpejtësi për të marrë pjesë në administratën e vendit. Për telegramin lajmërova konsullin turk atje. Duke e falënderuar për simpatinë dhe për interesimin e tij, unë mbi thirrjen e atdheut i nisa për në Vlorë. Derisa mbërrita në Vlorë dhe si rrjedhojë mora pjesë në administratën e qeverisë së përkohshme të Vlorës, qeveria turke i paguante familjes time në Stamboll rregullisht rrogën. U nisa për në Vlorë nëpërmjet Vjenës. Atje takova z. Rapoportin të cilin e njihja si anëtar të Komisionit të Kontrollit në kohën e Hilmi Pashës në Maqedoni. Të nesërmen u nisa për në Trieste dhe pas tre ditësh arrita në Vlorë. Në këtë qytet mbeta në shtëpinë e Ismail beut në Skelë.
E para punë që më ngarkoi Ismail beu ishte studimi i situatës së refugjatëve kosovarë dhe atyre të viseve të Gjirokastrës. Midis Esad Pashës, Mufit beut dhe Ismail beut mbretëronte një ftohtësi e cila për mua vinte nga egoizmi, ashtu dhe mosheqja e reputacionit të Ismail beut si formues i shtetit shqiptar. Situatën e keqësonte edhe Syrja bej Vlora nga provokacionet që bënte, për të shtuar moskënaqësinë e popullit. Shqipëri i thuhej kësaj cope që nga Llogaraja afër Sevasterit, në kufi të Tepelenës dhe Vlorës.
Afër ndodheshin fuqitë greke në Vjosë. Ushtria turke ndodhej akoma në viset e tjera të shkelura nga serbët dhe malazezët. Fuqitë e interesuara për Shqipërinë Austro-Hungaria dhe Italia duke përfituar nga gjendja bënin politikat e tyre. Për të shpëtuar nga intrigat, Isa Boletini, Sali Gjuka dhe Luigj Gurakuqi kishin vendosur që kur Esat Pasha (Toptani) të shëtiste në skelën me urë mbi det ta shtinin dhe ta mbysnin. Por për këtë duhej të merrnin miratimin e Ismail beut. Të tre këta më drejtohen mua për t’ia referuar dhe për t’i marrë miratimin. Unë Ismail beun dhe Esat Pashën i kisha kushëri. Mbroja gjithmonë pikëpamjen e Ismail beut, por nuk isha i mendimit për vrasje. Megjithatë mendimin e këtyre zotërinjve ia referova beut. Ai m’u përgjigj se në rast do të veprohej me vrasje të njeri-tjetrit për formimin e shtetit shqiptar do të merrte valixhet dhe do ikte…