Fejzullahu te Skenderbeu lojtari Ja e verteta e stervitjes

Fejzullahu te Skënderbeu, lojtari: Ja e vërteta e stërvitjes

Arbnor Fejzullahu mbetet një nga emrat që e ka turbulluar më shumë situatën te Partizani pas përfundimit të sezonit të shkuar.

Arbnor-Fejzullahu-fletTë kuqtë e konsiderojnë pjesë të tyre mbrojtësin, por ky i fundit kërkon largimin dhe shikohet shumë pranë Skënderbeut.

Partizani e ka fituar betejën me lojtarin në Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve në FSHF, që hodhi poshtë pretendimet e përfaqësuesit të Fejzullahut, që sipas lojtarit, nuk ka kontratë me "demat".

Në fund, DHZK vendosi që Arbnor Fejzullahu të mbetet pjesë e Partizanit edhe për sezonin e ri. Por duket se 23-vjeçari dhe klubi korçar kanë vendosur të sfidojnë hapur Partizanin, pasi dje janë publikuar foto, ku pretendohet që Fejzullahu po përgatitet me Skënderbeun në Austri.

Fotoja e publikuar dje është paraqitur fillimisht nga portali "partizani.net", që ka dhënë lajmin e stërvitjes së mbrojtësit të Partizanit me korçarët.

Fotoja nuk ka qenë e një cilësie të pastër dhe kjo gjë ka bërë që palët të kundërshtojnë vërtetësinë e lajmit duke pretenduar se Fejzullahu nuk po stërvitet me bardhekuqtë.

Skënderbeu ka thënë se lojtari në foto është Shend Kelmendi. Gjithsesi, burime të ndryshme bënë me dije se lojtari po përgatitet me Skënderbeun, ndonëse ka një vendim të DHZK që e detyron mbrojtësin të kthehet tek të kuqtë e kryeqytetit.

Reagimi i Fejzullahut - Klubi korçar e ka mohuar vërtetësinë e fotos, por një gjë të tillë e ka bërë edhe Arbnor Fejzullahu, i cili shkurtimisht për "Panorama Sport" ka sqaruar situatën e tij aktuale, si dhe ka treguar se fotoja nuk është e vërtetë.

"E kam parë foton që qarkullon në internet, por ia fusin kot se nuk jam te Skënderbeu. Unë jam në shtëpi, ku po pres të festoj edhe festën e Bajramit.

Edhe dy ditë jam këtu. Gjithashtu po studioj disa mundësi lëvizjeje jashtë vendit", kështu u shpreh fillimisht Fejzullahu. Për sa i përket së ardhmes së tij dhe acarimit të marrëdhënieve me Partizanin, mbrojtësi i krahut të djathtë nuk preferoi që të përgjigjej.

"Për sa i përket të ardhmes sime, le t'ia lëmë kohës", përfundoi Arbnor Fejzullahu për "Panorama Sport". Futbollisti preshevar është munduar gjatë kësaj periudhe që të qëndrojë sa më larg mediave duke mos e komentuar çështjen e tij.

ILIR CARA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama