Apeli i një pjese të mirë të psikologëve europianë duhet marrë seriozisht, sepse lidhet drejtpërsëdrejti me jetën e të vegjëlve tuaj: bëjini fëmijët të duan natyrën, ajrin e pastër, ushtrimet fizike, sepse përndryshe do të jenë në mbipeshë dhe jo të lumtur. Me pak fjalë duhet t’u rikthehemi lodrave të vjetra, që tashmë duket se po humbin nga ditë në ditë. Ngjitjet, zbritjet, lojërat me top, me litar, për t’u ndier të lirë dhe të lumtur. Bota e fëmijës sa vjen e po zvogëlohet vetëm brenda mureve të shtëpisë. Sipas të dhënave të ndryshme, rreth 97 për qind e tyre luajnë vetëm brenda mureve të shtëpisë, ndërsa fushat, parqet dhe kopshtet, zbresin në radhët e fundit të klasifikimit, ndoshta për shkak edhe të zvogëlimit të hapësirës së gjelbër dhe ndërtimit në vend të tyre të grataçielave shumëkatëshe. Bota e këtyre fëmijëve gjithmonë e më e errët e varur nga teknologjia, përshkruhet bukur në librin “Këmbëzbathur në lëndinë” të psikologes Albertina Ferraris-it, njëkohësisht edhe docente në Universitetin “La Sapienza”.
Një libër që na tregon se sa shumë fëmijët tanë kanë nevojë që të luajnë në ajër të pastër, sepse kjo i ndihmon të rriten dhe të zhvillojnë inteligjencën e tyre. Një “tezë” kundër rrymës në epokën e mamave “tigresha” dhe fëmijëve të zhytur në botën e librave, kurseve të gjuhëve të huaja apo matematikës, që vetëm mbrëmjen përpara kompjuterit kanë të lirë për t’u argëtuar. “Ideja e këtij libri më erdhi teksa dëgjoja disa prindër që thoshin se në këto kohë mënyra e vetme e argëtimit për fëmijët është interneti. Sigurisht që jo. Gjëja më e bukur e fëmijërisë janë lojërat, ato të vërtetat në ajër të pastër, me lëvizje e zbulime, ku fëmijët vrapojnë, bien, bëhen pis, qeshin dhe qajnë. Pikërisht kështu zhvillohet mendimi, pesë shqisat, fantazia. “Gjithsesi qytetet janë bërë shumë të rrezikshme dhe pikërisht kjo frikë është një nga arsyet që i shtyn prindërit të mos i lënë fëmijët jashtë shtëpisë”, tregon psikologia.
Por pasojat e gjithë kësaj sjelljeje janë të tmerrshme: fëmijët në mbipeshë, dembelë, të pakujdesshëm dhe ndonjëherë të palumtur. Janë ata që mendojnë botën me ngjyrat, me të cilat shohin reklamat në televizor. “Në shumë qytete të Europës veriore rrugët dhe qendrat janë shndërruar në parqe lojërash. Në Gjermani, çdo pasdite shumë rrugë mbyllen për t’i shndërruar ato në hapësira, ku fëmijët mund të luajnë me top dhe biçikleta”. Është një eksperiment i pamundur në vende të tjera, ku trafiku dhe makinat të zënë frymën. Gjithsesi një shembull i jetesës në ajër të pastër, ku mund të eksperimentosh edhe eksperiencën e lojës, janë në shumë vende të bazuara në principin e edukimit aktiv dhe modelit të krijuar në Francë në vitin 1937. “Gjatë ditëve të verës, për fëmijët dhe adoleshentët, në ambientet ku natyra është e rëndësishme, ne përpiqemi të zhvillojmë pikërisht lojën si mundësi për të njohur veten përmes lëvizjeve, teatrit dhe krijimeve të shumta”, shpjegojnë drejtuesit.