Femijet dhe sporti

Femijet dhe sporti
Këshilla e pediatërve: Sa më shpejt ta nisin, aq më mirë është. Çdo sport ka karakteristika të veçanta, që duhen marrë në konsideratë, sidomos kur bëhet fjalë për të zgjedhur për fëmijët e vegjël, në kopsht apo fillore, një moshë delikate për rritjen fizike dhe psikologjike të tyre.

Kur duhet nisur?

Not apo arte marciale? Futboll apo tenis? Çdo sport ka karakteristika të veçanta që duhen marrë në konsideratë, sidomos kur bëhet fjalë për të zgjedhur për fëmijët e vegjël, në kopsht apo fillore, një moshë delikate për rritjen fizike dhe psikologjike të tyre. “Por aktualisht, problemi i jetës sedentare dhe mbipeshës na bën që të mendojmë se duhet të merren me një lloj sporti, nuk ka rëndësi se çfarë. Mjafton të lëvizin”, thonë ekspertët.

Shifrat

Statistikat janë fare të qarta: vetëm një në dhjetë fëmijë merret me aktivitet sportiv në sasinë e përshtatshme; një në pesë

me sport vetëm një herë në javë; ndërsa katër fëmijë në dhjetë i kushtojnë televizionit dhe videolojërave tri orë ose më shumë në ditë. “Sa më shpejt ta nisin, aq më mirë është, sepse lëvizja pastaj bëhet një zakon i këndshëm. Që në moshën parashkollore fëmijët duhet të mësojnë të notojnë, për më tepër noti është një sport shumë i mirë dhe i përshtatshëm në vitet e para të jetës”, theksojnë ekspertët.

Zgjedhja

Mosha kur fëmija është ende në shkollë fillore është në përgjithësi e duhura për zgjedhjen e një aktiviteti specifik. Faktorët që duhen marrë parasysh janë të shumtë, por pediatrët këshillojnë që: “Faktori i parë që duhet marrë në konsideratë është komoditeti: e kotë të synosh basketbollin nëse fusha është qindra kilometra larg, më mirë një disiplinë tjetër ku mund të shkosh lehtësisht dhe vazhdimisht”. Për më tepër, ekspertët këshillojnë se duhet dëgjuar edhe fëmija për ndonjë pasion të mundshëm: sepse për ta vazhduar rregullisht një aktivitet sportiv, duhet të kesh dëshirë dhe të zbavitesh. Në fund, prindërit, të fiksuar pas ndonjë sporti, mund t’ia propozojnë atë fëmijëve, por ideale do të ishte të provonin aktivitete të ndryshme në dy-tre vitet e para të shkollës. Kjo do të shërbejë që fëmija të zbulojë atë që i pëlqen, duke nxjerrë në shesh talentin e tij.

Adoleshentët

Po më të rriturit, çfarë raporti kanë me sportin? Sipas të dhënave, të rinjtë mes moshës 11 dhe 14 vjeç, praktikojnë kryesisht sporte jashtë shkollës, ku jo gjithmonë ky lloj aktiviteti fizik është ai i duhuri. Në Europë, 37 për qind e adoleshentëve nuk e praktikojnë sportin, ose rreth dy orë në javë ndërsa 60 për qind e tyre kalojnë ulur më shumë se dhjetë orë çdo ditë. “Sot, kemi shumë lloj ushqimesh në dispozicion dhe nuk harxhojmë më energji për të lëvizur, falë ashensorëve, makinave dhe mjeteve të tjera të transportit. Kjo dikon negativisht”.

Aktiviteti fizik, i praktikuar në mënyrë jo të rregullt nga të rinjtë, ka shumë pak ndikim në këtë ekuilibër. Është e vështirë që dy orë lëvizje në javë mund të bëjnë diferencën. Duhet një aktivitet i rregullt fizik. Më mirë të shkosh dhe të kthehesh në këmbë ose me biçikletë gjithë ditët”. Sipas sondazheve, ata që qëndrojnë larg çdo lloj aktiviteti fizik janë të rinjtë që thonë se kanë pak kohë në dispozicion apo që e pranojnë se lëvizja nuk i pëlqen aspak. Pjesa më e madhe e adoleshentëve që bëjnë sport, e praktikojnë sepse ju duket argëtues.

Përfitimet

Lista e përfitimeve të lëvizjes gjatë adoleshencës është e gjatë: një studim australian, i bërë në një kampion prej 2300 vetash të moshës 13 vjeç ka treguar se të praktikosh sportin përmirëson aspektin psikologjik dhe cilësinë e jetës së të rinjve; një studim i publikuar në “Journal of Adolescent Health” ka treguar se mjaftojnë tri javë ushtrime fizike të rregullta (30 minuta vrap në mëngjes tri herë në javë) për të përmirësuar cilësinë e gjumit dhe performancën shkollore të 18-vjeçarëve. Ndërsa një tjetër studim amerikan ka treguar se aktiviteti i rregullt sportiv redukton agresivitetin tek adoleshentët.

“Ushtrimet e rregullta përmirësojnë aktivitetin neuromuskulor dhe kapacitetin aerobik, ndjenjën e mirëqenies dhe kapacitetin për të përballuar stresin. Për më tepër nuk duhen nënvlerësuar edhe pasojat sociale: të rinjtë që nuk merren me sport, kur përfshihen në një aktivitet fizik në grup, e ndiejnë veten në vështirësi, me rrezikun për ta ndjerë veten të mënjanuar. Kjo çon në krijimin e një rrethi vicioz (sedentarizëm dhe rritje në peshë), nga cila është e vështirë të dalësh.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama