Janë në më të shumtën e rasteve fëmijë të vetëm. Portreti i fëmijëve dhe adoleshentëve të fillimit të këtij mijëvjeçari na flet jo vetëm për mënyrën se si kanë ndryshuar fëmijët, por si ka ndryshuar edhe vetë shoqëria në njëfarë mënyre, mënyra e krijimit dhe mbajtjes së familjeve, e ushtrimit të rolit dhe përgjegjësive prindërore. Bëhet fjalë për një ndryshim të madh, që ka ndodhur brenda një kohe të shkurtër. Bëhet fjalë për një botë fëmijësh që i afrohet gjithnjë e më tepër botës së të rriturve, një botë me impenjime të mëdha brenda dhe sidomos jashtë shkollës, me kurse, festa dhe aktivitete, në të cilat duhet marrë pjesë me doemos, sepse përndryshe, siç ndodh edhe me të rriturit, mund të ndihesh një i përjashtuar. Në fakt, është një brez që ndryshe nga ata të mëparshmit, po rritet në një botë të re, në një botë ku masat mbrojtëse janë rritur në përpjesëtim të drejtë me rritjen e një lloj agresiviteti të ambientit.
Një psikanalist e quan këtë brez "brezi i parë i fëmijëve që nuk i kanë gjunjët e vrarë dhe pantallonat e grisura". Kjo sepse fëmijët nuk lihen më të lirë që të luajnë si dikur, por këtë kohë shpesh e zënë kurset, pas të cilave shumë prindër janë të dhënë në mënyrë gati anormale. Duke qenë se janë më të pakët në numër, për shkak të lindjeve të kufizuara, fëmijët janë shumë të rrallë dhe të çmuar dhe si pasojë kujdesi ndaj tyre është i përqendruar dhe i gjithëkohshëm. Të paktën për sa i përket botës perëndimore bëhet falë për fëmijë të vaksinuar, të pastër, të kujdesshëm, që do të thotë edhe shumë të hapur ndaj ilaçeve.
Nga frika e gripeve dhe sëmundjeve të tjera ngjitëse, këta fëmijë janë jo vetëm vaksinuar rregullisht, por edhe me të gjitha vaksinat e tjera sezonale që dalin, të cilave u është bërë një reklamim i madh. Ndërkohë ata pinë sasi të jashtëzakonshme antibiotikësh, që do të thotë se mikrobet janë bërë aq rezistencë, sa është e vështirë që t‘i mjekosh edhe nëse u bie një grip i thjeshtë. Por për nga natyra janë kryesisht një brez i gjatë, i bukur, me vetësiguri, të aftë të bëjnë xhudo, apo të kërcejnë, por "injorantë" nëse do t‘u kërkohej që të ngjiteshin në një pemë, apo të kacavareshin mbi një mur.
Dikush, këta fëmijë të mrekullueshëm, brenda dhe jashtë, i ka krahasuar me lulet e serave, lule të përsosura, në ngjyra, me forma, por fatkeqësisht pa aromën karakteristike e plot jetë të luleve të lëndinave. Ata i kanë ditët aq të mbushura me impenjime e mësime, sa duken si biznesmenë të vegjël dhe mbi të gjitha nuk e përjetojnë dot ndjesinë e mërzitjes së një pasditeje boshe. Mbi të gjitha janë të rrethuar shumë më tepër nga të rritur se sa nga fëmijë moshatarë, apo më të vegjël. Por këta fëmijë nga 0 deri në 10 vjeç të mijëvjeçarit të ri janë pasqyra e asaj çka do të jetë shoqëria jonë, në kohën kur ata do të jenë tashmë të rritur dhe zot të fatit të tyre dhe, sigurisht, edhe të planetit. Bëhet fjalë për një të ardhme të ndërlikuar dhe shumëdimensionale, në të cilën të gjitha sistemet tradicionale ose do të jenë në krizë, ose do të jenë zëvendësuar nga sisteme të tjerë, përveç njërit: marrëdhënies prind-fëmijë.
Kjo sepse është lidhja më e lashtë më e ngushtë, më instinktive dhe e ndërgjegjshme në të njëjtën kohë. Nuk ka rëndësi se cila do të jetë e ardhmja mes çiftit, çfarë zgjedhjesh do të bëjnë prindërit me veten apo partnerët e tyre. Ajo që nuk do të ndryshojë do të jetë marrëdhënia me fëmijët. Por specialistët theksojnë se është shumë e rëndësishme që ky brez të edukohet me ndjenjën e komunitetit dhe anës njerëzore të jetës, sepse nëse do t‘i mëshohet shumë vetëm formimit profesional dhe idesë e të diturit sa më shumë gjëra dhe e daljes gjithmonë i pari, atëherë shoqëria e re do të jetë me barriera dhe e fragmentuar. Individët që do të kenë në dorë drejtimin nesër, do të jenë shumë të ditur e profesionalë, por mendjengushtë dhe të futur në ngastra të ngushta gjykimi.
Sipas një studimi të fundit të ndërmarrë në disa vende të Europës Perëndimore del se si ka ndryshuar në thelb jeta e fëmijëve të këtij mijëvjeçari. Një pjesë gjithnjë e më e madhe fëmijësh i kanë në punë deri në darkë të dy prindërit, çka do të thotë që ata kalojnë kohën më të madhe me persona të huaj, me edukatoret e kopshtit, apo mësueset e shkollave, ose edhe me dado të ndryshme për të mos harruar gjyshërit. Pra jeta e këtij brezi nga 0 deri në 10 vjeç zhvillohet në pjesën më të madhe të kohës jashtë mureve të shtëpisë dhe në emër të fëmijëve, edhe prindërit shpesh kushtëzojnë miqësitë e tyre, duke u bërë për shembull shokë me prindërit e shokëve të fëmijëve të tyre.
Si pasojë, këtyre fëmijëve që në moshë të njomë u kërkohet që të bëhen subjekte sociale të një jete të kaluar në komunitet, në më të shumtën e herëve. Kjo lloj përvoje që nuk e kanë pasur në këto përmasa fëmijët e brezave të tjerë, stimulon tek ata kompetenca të jashtëzakonshme në fushën shoqërore, por edhe u jep atyre statusin dhe mendësinë e fëmijëve të vetëm që duhet të përballojnë shumë marrëdhënie njerëzore, pa pasur gjithmonë prindërit pranë për t‘i mbrojtur, apo për t‘u dalë zot. Prindërit e vënë re këtë pavarësi dhe adaptim social të fëmijëve të tyre dhe ndihen më të qetë kur i lënë vetëm në duart e të tjerëve. Por ndërsa në fëmijëri prindërve u vjen mirë nga kjo pavarësi, në adoleshencë ata frikësohen nga një shtim i dozës së të bërit të gjërave sipas mendjes së tyre.
Duke qenë se gjatë gjithë kohës fëmijët janë të rrethuar nga njerëz dhe aktivitet, ndodh shpesh që ata ta kenë të vështirë që në orët kur duhet të studiojnë të jenë të vetëm dhe si pasojë studiojnë me televizionin ndezur, apo me kompjuterin përpara, përmes të cilit kanë çelur disa dritare komunikimi me shokët në rrjet. Janë fëmijë që mbartin brenda vetes një kontradiktë të madhe: janë gjithnjë e më të shëndetshëm, por njëherazi gjithnjë e më të dobët dhe të brishtë. Janë mirë me shëndet, por jo aq të shkathët fizikisht në jetën e përditshme sa paraardhësit. Një tjetër gjë e ndryshme është se ata janë shumë më të prirë për të bërë punë shtëpie, si për të rregulluar krevatet, për të derdhur plehra, apo bërë ndonjë pazar të vogël dhe kjo pa dasitë e gjinive. Një djalë mund të lajë fare mirë pjatat dhe një vajzë mund të bëjë punë që kanë qenë kohë më parë ekskluzive për meshkujt.
Me pak fjalë ky është portreti i fëmijëve të mijëvjeçarit të ri, atyre që po kalojnë një fëmijëri kaq të ndryshme nga ajo e prindërve të tyre. Janë fëmijë të shumëdëshiruar, të shumëkërkuar, ndaj të cilëve tregohet një kujdes i madh, por që nga ana tjetër ngjajnë gjithnjë e më shumë me të rriturit dhe janë pjesë e botës së tyre. Nëse ky portret është i vërtetë, atëherë të jesh një fëmijë sot është një "profesion" shumë serioz. Ata hyjnë në jetë shumë më herët. Pjesa më e madhe e fëmijëve nuk e pret moshën 6 vjeç për të mësuar shkronjat e alfabetit, por në një mënyrë, apo në një tjetër i mësojnë ato që në moshën 4 ose 5 vjeç. Për më tepër, gjithashtu pjesa më e madhe e tyre shkon nëpër çerdhe, kopshte e institucione parashkollore duke u bërë pjesë e jetës sociale që hershëm.
Kjo periudhë dhe këto institucione parashkollore janë shndërruar, jo vetëm në burime dije dhe informacioni për fëmijët që në moshë të njomë, por ndër të tjera, edhe në vende ku krijohen marrëdhëniet e para miqësore. Kjo u vlen shumë për të krijuar frymën e kolektivitetit dhe të vetëbesimit, duke qenë se familjet e tyre janë gjithnjë e më të vogla dhe për shumë kohë, ose për gjithmonë ata janë fëmijë të vetëm. Një nga faktorët më pozitivë dhe lidhës së botës së të tashmes me atë të së shkuarës për fëmijët e mijëvjeçarit të ri është marrëdhënia, apo koha që kalojnë me gjyshërit. Ata u japin nipërve të tyre dashuri shumë të ngrohtë, të shoqëruar me shumë kohë në dispozicion, ndërsa fëmijët parapëlqejnë që t‘u mësojnë atyre të rejat e fundit, duke luajtur shpesh rolin e "mësuesit" si në rastet kur u mësojnë përdorimin e kompjuterëve, celularëve, apo fjalëve në gjuhë të huaja. Por ajo çka është me të vërtetë e bukur është bashkëjetesa e mrekullueshme që kanë këta breza me njëri-tjetrin, ndërsa prindërit janë të larguar për një kohë të gjatë gjithë ditën.
Brezi i fëmijëve të viteve të para të këtij mijëvjeçari do të përbëjë brezin e të rriturve të parë që kanë kaluar një fëmijëri ndryshe, që kanë tipare fizike të përmirësuara dhe shëndet më të fortë, por që do të kenë edhe dobësi të dukshme, ndër të cilat ajo më e rënda mund të jetë individualizmi i tepruar.