Por tani hyn në lojë edhe një faktor tjetër: marrëdhënia e keqe që mund të krijojnë me prindërit. Sipas një studimi të botuar në ‘Pediatrics’, revista e Akademisë Amerikane të Pediatrisë, fëmijët obezë, me shume mundësi janë influencuar që të vegjël nga mungesa e afrimitetit me prindërit, veçanërisht me nënën, duke i shfryrë mungesat e tyre tek kënaqësia e të ngrënit.
Studiuesit i mbështetën të dhënat tek rreth 1 mijë fëmijë, duke u përqendruar më tepër në marrëdhënien e tyre me nënën dhe me ushqimin që përdornin. Duke lidhur llojin e marrëdhënieve që secili prej tyre krijonte me nënën e tij, nga muajt e parë të jetës deri në vitin e pesëmbëdhjetë të moshës dhe peshës së arritur në adoleshencë, studiuesit kanë arritur në përfundimin se ata që kishin marrëdhënie më pak të forta me prindërit, kishin dy herë më shumë shans për t’u rritur si fëmijë obezë. Kështu pra, ndjeshmëria e dobët e nënës karshi fëmijës së saj ose lloji i raportit që do të ndërtojë ajo me fëmijën, do të ndikojë jo vetëm në psikikën e fëmijës, por edhe në kilet e tepërta të tij.
Sipas studiuesve, është e rëndësishme që të interpretohen dhe të kuptohen siç duhet nevojat emocionale të fëmijës, të plotësohen kërkesat e tij për afeksion dhe siguri, në mënyrë që të mos ngarkohet me stres, duke e bërë të paaftë për të moderuar më pas oreksin e tij dhe sasinë e ushqimit që konsumon, ndonjëherë edhe në mënyrë të pandërgjegjshme. Kjo, pasi studiuesit shpjegojnë se ka një mbivendosje ndërmjet zonave të trurit që rregullojnë përgjigjen e stresit dhe atyre që kontrollojnë urinë dhe gjumin dhe ata mund të ndikojnë njëri-tjetrin.
Prandaj, nxitja e një marrëdhënieje të mirë midis nënës dhe fëmijës është një tjetër synim në mënyrë që të arrihet të kontrollohet shëndeti i fëmijëve, përveç informimit të familjes me kulturën e duhur të të ushqyerit dhe një mënyre jetese të shëndetshme e të ekuilibruar.