Qumështi i nënës i jep fëmijës më shumë sesa një shëndet të mirë fizik. Studiuesit polakë kanë ndjekur për disa vjet me radhë zhvillimin e 468 fëmijëve. Atyre u është matur disa herë koeficienti i inteligjencës, i cili është krahasuar me numrin e muajve të ushqyerjes me gji. Testimet kanë nxjerrë se fëmijët që janë ushqyer me qumësht gjiri kanë aftësi njohëse më të zhvilluara dhe koeficient inteligjence në përpjesëtim të drejtë me muajt e ushqyerjes. Mesatarisht, koeficienti i inteligjencës për fëmijët që ishin ushqyer me gji për 3 muaj ishte 2.1 pikë më shumë sesa ai i moshatarëve të tyre që ishin ushqyer me qumësht artificial.
Kjo diferencë shkonte në 2.6 pikë për periudhën e ushqyerjes nga 4-6 muaj dhe 3.8 pikë nëse ushqyerja me gji kishte zgjatur më shumë se 6 muaj. Por ajo që studiuesit nuk kanë zbuluar dot, ka qenë “përbërësi magjik” i qumështit të gjirit që bën diferencën, duke ndihmuar në zhvillimin e inteligjencës së fëmijës. Në këtë pikë, studimi ka mbetur në kuadrin e hipotezave. Studiuesit mendojnë se nuk bëhet fjalë për një përbërës të vetëm që i mungon qumështit artificial. Ai mund të jetë një kompleksitet përbërësish, i cili bazohet në cilësinë e qumështit, por mbi të gjitha në bashkëveprimin dhe marrëdhënien e veçantë që krijohet mes nënës dhe fëmijës gjatë procesit të ushqyerjes me gji.