Zënka, rivaliteti, gara për vëmendjen që marrin nga nëna dhe babai, janë shkaqet kryesore që i bëjnë fëmijët të mos jenë të lumtur ose të vështirë jetën e shumë vëllezërve dhe motrave, tregon studimi. Një gjendje tensioni që mund të ndikojë në zhvillimin e fëmijëve, duke bërë që kur të rriten të kenë probleme me sjelljen dhe depresionin, por që ka pasoja negative edhe për prindërit, duke krijuar një gjendje stresi dhe duke kontribuar të vendosë në krizë harmoninë e çiftit. Teza është rezultat i një hetimi mbi jetën e 100 mijë personave, pjesë e 40 mijë familjeve, të bërë nga një agjenci qeveritare britanike dhe “Social research council”, për një raport që do të publikohet në ditët në vazhdim, por që u zbulua para kohe nga “Observer” i Londrës.
Të dhënat e lidhura me fëmijët janë fryt i pyetësorëve shumë të detajuar të plotësuar nga 2500 të rinj dhe të analizuar nga instituti për studimet e ekonomike dhe sociale të universitetit të “Essex”-it. Ja se cilat janë shifrat. 54 për qind e fëmijëve ankohen për forma të vazhdueshme të sjelljeve agresive fizike apo verbale nga ana e vëllezërve apo motrave. Thuajse 30 për qind pranojnë se vëllezërit apo motrat i thërrasin me emra të shëmtuar dhe shpesh nuk u thonë fjalë të bukura. 17.6 për qind ankohen, sepse vëllezërit dhe motrat u marrin lodrat dhe gjërat e tyre, që jo vetëm i përdorin, por edhe i shkatërrojnë. Tjetër faktor i moskënaqësisë është edhe gara për të pasur kujdesin e prindërve për hapësirën që duhet ndarë brenda shtëpisë me qëllim mbrojtjen e privatësisë.
Në përgjithësi, tregon kërkimi, niveli i lumturisë bie në varësi të numrit të vëllezërve apo motrave në familje. Studimi në fjalë dhe kërkime të tjera për të njëjtin argument, komenton Dieter Wolke, docent i psikologjisë së fëmijëve në “Warwick University”, ilustrojnë edhe aspektet pozitive të të pasurit një vëlla apo një motër si për shembull mbështetja reciproke që mund të jepet në momente të vështira. Por mosmarrëveshjet e vazhdueshme me vëllezërve, shton eksperti, rritin stresin për fëmijët, disa prej të cilëve heqin dorë nga ndërhyrja për të zgjidhur konfliktet mes tyre duke e lënë gjendjen e nderë”. Këtë konfirmon edhe Siobhan Freegard, themelues i “Netmums”, një prej sajteve më popullore për bisedat mes nënave: “Shumë prindër përfundojnë duke bërë arbitrin për të sjellë paqen në familje. Është një rol i lodhshëm. Me një fëmijë të vetëm këto gjëra nuk ndodhin”.
Në të kaluarën ishin fëmijët e vetëm që konsideroheshin si mbartës të një handikapi: më të turpshëm, më të heshtur dhe më të mbyllur në vetvete në krahasim me fëmijët e tjerë që kishin në shtëpi motra dhe vëllezër. Por kjo nuk është më e vërtetë tregon Freegard, duke cituar të dhënat e Universitetit të Essex-it. “Shumë fëmijë të vetëm sot janë të hapur, të sjellshëm, të shoqërueshëm, kanë besim në vetvete, më të shkathët për të bërë miqësi të reja në shkollë, në parqe apo me pushime. Duken vërtet fëmijë të lumtur”. Edhe një tjetër e dhënë të lë pa fjalë, fëmijët e pakicave etnike, të vetëm ose me vëllezër dhe motra, janë mesatarisht më të lumtur se fëmijët e familjeve britanike.
“Jam shumë i lumtur që kam qenë fëmijë i vetëm”, tregon Julian Smith, 25-vjeçar londinez që kujton se kur ishte i vogël u thoshte prindërve të mos bënin fëmijë të tjerë, sepse ishin mirë kështu. “Jam plotësisht dakord se fëmijët e vetëm janë më të lumtur. Personalisht, nuk e kam ndier nevojën e një vëllai apo të një motre edhe duke u rritur.
Kjo ka përforcuar edhe më tej natyrën time prej luftaraku në jetë. Të mitë ishin të mëdhenj në moshë kur më sollën në jetë dhe unë e kam humbur babanë kur isha 19 vjeç, dhe të humbasësh një prind kur je fëmijë i vetëm është e tmerrshme. Gjithmonë e kam ndier nevojën për të pasur miq përreth meje. Besoj më shumë te miqësia se te lidhjet e gjakut”, përfundon ai.
Për sa i përket faktit që del nga kërkimi se fëmijët e vetëm kanë më shumë sukses në jetë, Julian përgjigjet: “Kjo është e tepërt. Mendoj se kërkimi është bërë nga një djalë i vetëm. Të kesh ose jo sukses në jetë varet nga shumë faktorë, fati, rrethanat, gjendja sociale, karakteristikat personale. Nuk do të isha kaq kategorik”.