Femijet jane me pak te stresuar nese luajne ne natyre

Femijet jane me pak te stresuar nese luajne ne natyre
Nëse jeni më pak se 11 vjeç dhe nuk keni dalë kurrë në shi apo nuk keni hipur në pemë, është mirë që të filloni t’i eksploroni edhe këto gjëra. Këtë këshillë ua jep “National Trust”, që për t’i shkëputur fëmijët nga kompjuteri dhe televizori, ka hartuar një listë me 50 gjërat që duhen bërë deri në moshën 11 vjeç, për shembull, si të ecësh në ekuilibër mbi një trung peme apo të shijosh një mollë të sapokëputur. Pjesa më e madhe e fëmijëve të këtij brezi nuk i kanë provuar kurrë këto gjëra. Vetëm 10% e fëmijëve të sotëm luajnë jashtë, kundrejt 70% që luanin dikur.

Një në tre fëmijë nuk është ngjitur kurrë në një pemë. Këto statistika e kanë detyruar entin britanik t’i shpallë luftë asaj që pedagogu amerikan, Richard Louv e ka quajtur “çrregullime nga deficiti i natyrës”. “Fëmijët po humbasin shumë gëzime, mirëqenien fizike dhe psikologjike, duke mos luajtur në ajër të pastër e duke mos e eksploruar natyrën në të gjithë kaosin e saj”, – ka thënë Fiona Reynolds, drejtoresha e përgjithshme e bamirësisë britanike për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisit. Nëse gjunjët e vrarë dhe gërvishtjet e ndryshme ishin karakteristikë për të vegjlit e dikurshëm, sot janë vërtetë të pakët fëmijët që luajnë jashtë shtëpisë. Sipas një studimi të realizuar nga “Trust”, fajin e kanë më shumë prindërit që i mbrojnë sesa televizori dhe kompjuteri. “Përqindja e fëmijëve që bëjnë ç’të duan pa ndërhyrjet e të rriturve, është ulur 90% nga vitet ’70 e deri më sot. Shumë të rritur kujtojnë ende sot me mall emocionin e atyre momenteve. Gëzimi u duhet kthyer edhe fëmijëve të tyre”, – shton Reynolds.

Nuk është rastësi që për të shkruar listën, “National Trust” u kërkoi anëtarëve të saj të ndanin kujtimet e fëmijërisë që i kishin nxitur ata ta donin natyrën. Pesëdhjetë pikat nuk janë gjë tjetër veçse përzgjedhja e 400 sugjerimeve. Kjo listë tregon edhe një herë se si e kalonin kohën dikur fëmijët, duke organizuar gara kërmijsh, duke kapur flutura apo duke këputur fruta të freskëta nga pemët. Për t’i ndihmuar të vegjlit të arrijnë qëllimet e listës, duke filluar nga ndërtimi i një strehe, te gjuetia e fosileve, “National Trust” ka angazhuar disa të rinj të pagëzuar “Ranger Elite”. Qëllimi i gjithë kësaj nisme është që fëmijëve t’u rikthehet marrëdhënia me natyrën. Të ndihmohen që të zbulojnë emocionet dhe ndjenjat, të cilat “Playstation” ose “X-Box” nuk mund t’ua japin. “Fëmijët që luajnë në natyrë i njohin më shumë gjërat, ndihen dhe kuptohen më mirë, janë më bashkëpunues dhe më të shëndetshëm fizikisht”, – përfundon Stephen Moss, autore e raportit.
Intervista

Flet docentja e Psikologjisë së Zhvillimit

“Loja në ajër të pastër është terapi dhe ndihmon që të mos rritemi të stresuar”

Britania e Madhe, ashtu si vendet e tjera të Europës Veriore, prej kohësh kërkon të promovojë lojërat në natyrë. Ja ç’mendon një psikologe për fushatën e “National Trust” britanike.

Doktoreshë, pse është e rëndësishme që fëmijët të luajnë jashtë në natyrë?

Të zbulosh natyrën është një aktivitet më i ndërlikuar sesa të luash me “Playstation”. Loja në natyrë i vë në lëvizje të gjitha shqisat, na ndihmon të marrim vendime, të zgjidhim problemet, të fitojmë siguri në vete, të socializohemi, të rregullojmë emocionet, të kontrollojmë frikën dhe të përballojmë të papriturën. Loja në natyrë është edhe terapi. Duhet të bazohemi edhe te ajo që thotë Peter Grey: adoleshentët që nuk kanë luajtur kurrë në natyrë, bëhen të stresuar kur rriten.

Është faji i prindërve apo i videolojërave që fëmijët kalojnë më shumë kohë në shtëpi?

Të ishte për fëmijët, do të qëndronin gjithë ditën jashtë duke ndjekur dëshirat e tyre. Fëmijët i kërkojnë rreziqet për të zbuluar kufijtë e tyre. Prindërit janë më tepër mbrojtës, është e vërtetë, por frika e tyre është e justifikueshme pjesërisht, sepse hapësirat e vogla që ekzistojnë sot për të luajtur janë më pak të sigurta. Fajin e kanë administratat lokale, që nuk e kanë kuptuar se loja është një nevojë e vërtetë.

Detajet

Lista

Është përzgjedhja e 50 sugjerimeve nga 400 në total, të hartuara nga anëtarët e “National Trust”

Studimi

12 vjeç

Është mosha ideale për të krijuar një lidhje me natyrën

1 në 3 fëmijë
Nuk ka hipur kurrë në pemë
10% e fëmijëve mund të luajnë në natyrë
1 në 10 fëmijë nuk di të ngasë biçikletën
70% e fëmijëve luan me videolojëra

 
10 gjërat (nga 50) që duhet të bëni pa mbushur 12 vjeç

  • Të varesh në pemë
  • Të rrokullisesh në një kodër
  • Të bësh kamping në mes të natyrës
  • Të ndërtosh një strehë
  • Të hedhësh gurë në lumë
  • Të ecësh nën shi
  • Të lëshosh një balonë në fluturim
  • Të peshkosh me një rrjetë
  • Të hash një mollë të sapokëputur nga pema
  • Të luash me topa bore


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama