Femijet kapricoze si te sillemi me ta

Femijet kapriçoze, si te sillemi me ta
T’u lejosh gjithçka nuk është mënyra e duhur për t’u treguar atyre dashurinë, sepse këto toleranca mund t’i shndërrojnë fëmijët në kokëfortë dhe kapriçozë të pandreqshëm. T’i edukosh duke u plotësuar çdo dëshirë, mund të shkaktojë më shumë dëme se të mira.

Gjithmonë e më shumë dëgjojmë për fëmijë që bëjnë ligjin brenda familjes. Janë fëmijët e përkëdhelur që “jo”-së së prindërve i përgjigjen me të qara të tmerrshme, derisa mund të arrijnë atë që duan. Shumë prej nënave përballë këtij fakti e ndiejnë veten të papërgatitur dhe të mërzitura që nuk arrijnë dot t’i imponojnë autoritetin e tyre të vegjëlve. Për disa nga pyetjet kryesore që shqetësojnë prindërit që kanë fëmijëve të tillë, Aldo Naouri, psikoanalist dhe pediatër, sapo ka hedhur në treg librin “Tiranët e vegjël që rriten”, i shndërruar në best seller në Francë. 

Manuali i ri sjell këtë mesazh: t’u lejosh gjithçka, nuk është mënyra e duhur për t’u treguar atyre dashurinë, sepse këto toleranca mund t’i shndërrojnë ata në kokëfortë dhe kapriçozë të pandreqshëm. T’i edukosh fëmijët duke u plotësuar çdo dëshirë, mund t’u shkaktojë atyre më shumë dëme se të mira: fëmijët mund të rriten prepotentë kundrejt prindërve, dhe në të njëjtën kohë të brishtë dhe të paaftë për të përballuar problemet, duke reaguar në mënyrë të dhunshme ndaj problemeve. Ja disa këshilla se si mund të rrisni fëmijët tuaj dhe të jeni prindër të mirë pa hequr dorë nga roli i edukatorit.

Të jeni çift i mirë para se të bëheni prindër

Në fillim duhet të kujdeseni për jetën në çift, pastaj për fëmijën. Me ardhjen në jetë të një fëmije raporti në çift mund të bëhet më i brishtë, sepse gruaja, pasi bëhet nënë, priret të përqendrohet vetëm tek bebja. Nga ana tjetër burri, duke mos pasur një instinkt të lindur të të qenit baba, ndihet i lënë pas dore dhe i sheh instinktet dhe dëshirat e tij të shtypura. Prindërit e rinj duhet të kujdesen për njëri-tjetrin, sepse vetëm kështu babai nuk do të ndihet i izoluar, ndërsa gruaja nuk do të qëndrojë e vetme duke u kujdesur për të voglin. Një çift i bashkuar edhe në vështirësi i transmeton siguri fëmijës.

Shqetësimet e kota nuk vlejnë

Fëmijët janë shumë të fortë dhe në rast se sëmurën, ilaçet janë krejtësisht efikase. Një prind që shqetësohet shumë edhe për gjërat më të vogla, mund t’i transmetojë pasiguri dhe shqetësim fëmijës.

Mos u shqetësoni për të qarat e para

Kur fëmija nis të qajë, mos i shkoni menjëherë nga pas për ta qetësuar. Ndonjëherë bëhet fjalë vetëm për tërheqje vëmendjeje dhe jo për nevojë reale. Të qëndrosh larg të vegjëlve dhe të mos jesh gjithmonë prezent, i bën më shumë autonomë. Kujtohuni që shpesh prania juaj është motiv eksitimi për ata: duke i lënë vetëm do të qetësohen shpejt.

Tekat, pas moshës 1 vjeç

Mbas vitit të parë të jetës duhet pasur shumë kujdes që fëmijës mos t’i plotësohen të gjitha kapriçot, edhe pse nisin të qajnë pa pushim. Pjesës më të madhe të prindërve u duhet të merren me të tjera angazhime: punë, familje, shtëpi, miq...Shpesh për ta bërë më të thjeshtë jetën, priren të mos i thënë “jo” të vegjëlve, për të mos i parë duke qarë e për t’i parë të buzëqeshur. Por duke u plotësuar çdo kapriço, kjo nuk ndikon pozitivisht në rritjen e tyre. Pasi thonë jo, prindërit duhet të vazhdojnë të mbajnë qëndrimin e tyre, për të konfirmuar kështu edhe rolin si edukator i mirë. Është mirë që të mos jepen urdhra e të mos bëhen premtime nëse ato nuk mbahen. Prindërit duhet të jenë koherentë në gjithçka që thonë dhe bëjnë për t’i dhënë siguri fëmijëve.

Në rast divorci

Edhe kur prindërit ndahen, duhet të jenë gjithmonë të bashkuar në vendimet dhe iniciativat që marrin. Sot divorci është një fenomen shumë i shpeshtë, ndoshta sepse çiftet tregojnë se janë shumë të brishtë përballë vështirësive dhe hasin probleme në të qëndruarit të bashkuar. Fëmijët kanë frikë të lindur nga largësia dhe braktisja e prindërve. Divorci mund të shihet si realizimi i kësaj frike dhe të përjetohet në mënyrë shumë stresuese. Të jesh prezent për të mbështetur ish-bashkëshortin/bashkëshorten në vendimet e marra për sa i përket fëmijës, është hapi i parë për t’i ndihmuar të përballojnë këtë traumë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kur janë me prindër të ndarë, zakonisht fëmijët janë më tekanjozë pasi u është plotësuar çdo dëshirë. Për këtë arsye, meritojnë një kujdes më të madh.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama