Femijet me aftesi te kufizuara shkelqejne ne Lojerat Olimpike

Femijet me aftesi te kufizuara shkelqejne ne Lojerat Olimpike

Në datat 26-29 tetor, u zhvilluan pranë Universitetit të Sporteve, në Tiranë, Lojërat Olimpike Speciale. Në ditën e ndarjes së çmimeve, “Shekulli” foli me Artemida Çerçizin, Drejtoreshën e shkollës speciale, Durrës. Ajo na tregoi për mbarëvajtjen, risitë dhe emocionet që dhuroi ky aktivitet. Gjithashtu, drejtoresha foli edhe për mënyrën e shkollimit dhe aftësimit të fëmijëve në disiplina të ndryshme sportive.

A mund të na thoni diçka rreth këtij aktiviteti?

Olimpiku Special zhvillohet dy herë në vit, në maj dhe në tetor. Në këtë aktivitet marrin pjesë të gjitha shkollat speciale dhe qendrat e zhvillimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Nxënësit kanë mundësi të shpalosin aftësitë e tyre sportive, duke demonstruar ato që mësojnë në shkollat tona. Një pjesë e orëve mësimore në shkolla përfshin edukimin fizik.

 Stafi i mësuesve është shumë i përkushtuar dhe fëmijët tanë arrijnë të marrin medalje. Këta nxënës kanë marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike Ballkanike dhe Evropiane.

Shqipëria është përfaqësuar, në vitin 2011, në Olimpikun Special të Athinës, nga Selvie Murtati. Ajo ka fituar medalje argjendi në disiplinën e atletikës. Kjo është arritje e madhe për ne, po të krahasojmë kushtet e vendit tonë, me kushtet në të cilat stërviten fëmijët evropianë. Kjo tregon edhe njëherë, përkushtimin e fëmijëve tanë jo vetëm në fushën e dijes, por edhe në aktivitetet fizike. Unë dua të bëj një falënderim të veçantë për Z. Greva, për mbështetjen e madhe që ka dhënë në Lojërat Olimpike Speciale.

Prej sa kohësh zhvillohen në Shqipëri, Lojërat Olimpike Speciale?

Unë e kam gjetur këtë aktivitet në vitin 2009 dhe e kam ndjekur në të pesta vitet e organizmit të tij.

A kishte ky organizim diçka të veçantë, e cila në aktivitetet e kaluara nuk është hasur?

 Në qoftë se do ta përshkruaja këtë organizim me zërin e atyre fëmijëve, nuk e di se si do ta tregoja lumturinë e tyre. Vit pas viti, ka risí në organizim, gjë që na bën neve t’i presim dhe të përfaqësohemi me shumë kënaqësi. Në këto lojëra kanë marrë pjesë edhe vullnetarë nga Universiteti i Tiranës.

A mund të na tregoni diçka për mënyrën e organizimit të shkollave speciale?

 Shkollat speciale edukojnë fëmijë me prapambetje të lehta mendore dhe fëmijë autikë. Ka nga ata që komunikojnë, por ka edhe nga ata që nuk munden. Ne, me punën tonë mundohemi të bëjmë më të mirën dhe besoj se në periudhën edukimit në shkollat tona këta fëmijë kanë pasur përparime. Zakonisht, fëmijët e klasave të para vijnë me çrregullime të sjelljes, kanë droje dhe nuk pranojnë të ulen në banka. Mësuesit, në muajin e parë kujdesen për edukimin e sjelljes së tyre. Më pas, përpiqen të nxjerrin në pah aftësitë e gjithsecilit në fusha të ndryshme, në muzikë, në pikturë, në sport etj.

Sa e vështirë është puna me këta fëmijë? Si arrini t’i dalloni emocionet e tyre dhe si përzgjidhen nxënësit që konkurrojnë në Lojërat Olimpike Speciale?

 Unë kam pesë vite që merrem me edukimin e fëmijëve me prapambetje mendore. Fëmijët e shkollave normale nuk të falin kënaqësinë që të japin këta fëmijë. Nëse u dhuron pak dashuri ata të dhurojnë shumë. Buzëqeshja dhe përkëdhelja e një fëmije të shkollës speciale të fal kënaqësi pafund. Reagimi i tyre për vlerësimin që marrin është i jashtëzakonshëm. Në Lojërat e para Olimpike Speciale, e kemi pasur shumë të vështirë t’i merrnim fëmijët nga familjet e tyre. Sot,prindërit janë ndërgjegjësuar.

Ata kanë parë në media organizimin e festave dhe aktiviteteve dhe kërkojnë me ngulm që t’i angazhojnë sa më shumë. Numri i fëmijëve pjesëmarrës është shumë i kufizuar, por ne mundohemi të bëjmë përzgjedhje të kujdesshme. Fillimisht, marrim nxënësit që i afrohen moshës së daljes nga institucioni dhe më pas marrim fëmijët e vegjël të talentuar.

 Sa të aftë janë fëmijët për të shprehur konkurrencën e tyre ndaj fëmijëve të shkollave të tjera? Duke qenë pjesë e garës, si e shfaqin rivalitetin?

Ky aktivitet u dedikohet fëmijëve të shkollave speciale. Ne angazhojmë edhe fëmijë të shkollave normale në mënyrë që të krijojmë një formë organizative sa më të mirë. Pa dashur të dal nga tema, dua të them që marrëdhënia miqësore që këta fëmijë krijojnë me “rivalët” e tyre është për t’u marrë shembull nga çdokush. Ata krijojnë shumë shpejt miqësi dhe ky është një model i jashtëzakonshëm.

Të rritësh një fëmijë me sindromën “Down”

Veli Kokoshi është babai i Gretës, vajzës me sindromën “Down”. Veliu tregon për talentin e vajzës në fushën e artit dhe kërcimit. Mbështetja që ka gjetur në shkollën speciale i ka dhënë një ndihmë të madhe në rritjen dhe edukimin e saj. Ai flet me dashuri për bijën e vet, të cilën e angazhon në çdo aktivitet që organizohet për fëmijët me aftësi të kufizuara. “Vajza angazhohet në shoqërinë e fëmijëve dhe është shumë e afruar me ta. E kam çuar në një shkollë private deri në momentin kur i humbi dëshira për ta vijuar më tej, sepse nuk gjeti ngrohtësinë e duhur. Vajzës i pëlqen kërcimi dhe ka aftësi shumë të mira në përdorimin e kompjuterit”.

 Veliu bën të pamundurën për të plotësuar çdo dëshirë të vajzës, me gjithë vështirësinë që paraqet edukimi dhe rritja e saj. “Në shkollë ka qenë shumë e përkushtuar dhe ka pasur një sjellje shumë të mirë. Tani që e ka përfunduar, shpesh acarohet, por unë i kam mësuar sjelljet dhe dëshirat e saj. Të rritësh një fëmijë të tillë nuk është edhe aq e lehtë, por unë bëj të pamundurën që ajo të integrohet në familje dhe shoqëri”. Veliu tregon edhe për incidentet që ka hasur vajza me fëmijët e tjerë.

 “Ka pasur raste në ambientet e shkollës kur nga pakujdesia fëmijët janë përplasur me njëri-tjetrin. Janë incidente që ndodhin edhe me fëmijët normalë, por unë mendoj se shteti duhet t’i grupojë fëmijët sipas sindromës që ata kanë. Kjo mund të jetë e pamundur, megjithatë unë dua të shpreh vlerësimin për stafin e mrekullueshëm që bën të pamundurën për edukimin e këtyre fëmijëve. Gjithashtu, përfitoj nga rasti që të bëj edhe një apel për prindërit. Ata duhet t’i angazhojnë fëmijët e tyre në shkollat speciale dhe në qendrat e zhvillimit sepse do të arrijnë që të kuptojnë më mirë emocionet e fëmijëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama