Femijet shqiptare ende trafikohen?!

Femijet shqiptare ende trafikohen?!

Do të mjaftonte një e dhënë nga autoritetet britanike që të dilte në pah sërish problemi i madh i trafikimit të fëmijëve shqiptarë. CRCA, organizata që merret me problematikën e fëmijëve, jep të dhëna aproksimative, por shqetësimi që ngre është tejet i frikshëm: Mungojnë të dhënat e sakta për fëmijët e trafikuar në Shqipëri...

 

Vazhdoi për gati 3 vjet aventura e një vajze të vogël që u zhduk në Kukës. Familjarët akuzuan njëri-tjetrin. Zyrtarët ishin krejt konfuzë, ndërsa vajza sot e kësaj dite nuk gjendet. Por, tragjedia më madhe ndodhi me një të etiketuar si monstër (siç u paraqit nga media) që pasi kish gënjyer, më në fund pohoi se: kish vrarë edhe një fëmijë, veç abuzimit me të. Për ditë të tëra, organe të specializuara kontrolluan në mbeturinat qytetëse pa fat. Derisa, një ditë të bukur, hipoteza thoshte se vrasësi mund ta kish trafikuar fëmijën! Sot, e kësaj dite, as edhe për të s’dihet gjë. Të tilla raste konsiderohen me dhjetëra në vend. Me pak fjalë, situata me gjithë përmirësimet, lë shumë e shumë për të dëshiruar.


E, nëse do kish ndonjë strukturë në Shqipëri që do merrej realisht me trafikimin e fëmijëve atëherë të dhënat do ishin vërtetë të frikshme. Arsyet mund të merren lehtë me mënd: Ato vinë që nga varfëria, krimi, mungesa e regjistrimit të popullsisë rome, mënyrën e tyre të jetesës dhe deri te problemet e mëdha sociale që përcillen tek fëmijët shqiptarë.


Shqipëria e ka ratifikuar qysh më 1990 Konventën e OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve, por kjo thjesht e ka bërë më të dukshëm problemin shqiptar. Derisa në hartimin e Strategjisë Kombëtare të 2001 nga Qeveria e asaj kohe rezultoi se rreth 4000 fëmijë ishin të larguar në emigracion pa prindërit, prej të cilëve 3000 në Greqi dhe 1000 në Itali! Një shifër që do alarmonte në themel një shoqëri për një kontingjent të tërë, ku mund të abuzohej lehtë. Ishte pikërisht ky kontingjent, që do bëhej pjesë e rreziqeve të shumta, ku më i llahtarshmi ishte trafiku i organeve, keqtrajtimi për t’i detyruar të punonin e deri te abuzimi seksual. Si dy pika uji ishte sfondi i përbashkët: familje në vështirësi ekonomike skajore, familje të divorcuara por deri në çuditë që ndodhnin me familjet në fshat, ku fëmijët duhet të kujdeseshin për njëri-tjetrin jashtë vendit! Matricës i shtohej jeta e pakontrolluar e romëve. Ajo që relatohej në atë kohë nga strukturat e ndryshme bënte me dije se fëmijët e trafikuar: lypnin, punonin në kushte të vështira, bënin punë korrierësh të ndryshme me rrezik e deri te birësimet problematike. I gjithë ky kontingjent që sot përllogaritet sipas CRCA-së se mund të jetë deri në 10.000 veta kanë probleme që nga kequshqyerja, jetesa e vështirë, por edhe mungesa e edukimit dhe mangësi të tjera sociale të panumërta.
 
Arsyet e trafikimit


Ajo që është emëruesi i përbashkët i kësaj gjendje është situata aspak stabile politike-ekonomike e vendit, përhapja e gjerë e varfërisë në popull dhe mungesa totale e vlerave familjare, ku keqsjellja me fëmijët konsiderohet ende si një gjë fare normale. Në të dhënat e CRCA theksohet se dhjetëvjeçari i parë i demokracisë ishte dhe periudha më e vështirë, që lidhej me kushtet e vështira ekonomike-sociale, papunësinë, divorcet, kushtet ekonomike-shoqërore, forcimi i krimit e shpesh edhe ëndrra perëndimore. Të gjithë këtë strukturë e ushqente pandalur gjendja ekonomike e vendit, mungesa e ligjit, shkollat, sistemi i korruptuar i drejtësisë së vendit etj.


Në ditët tona situata duket e ndryshuar dhe format e trafikimit të viteve më parë kanë ndryshuar pasi Shqipëria ka bërë realisht hapa të mëdhenj progresivë, por specialistët mendojnë se ende është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, e cila do një angazhim të madh dhe të studiuar për të shmangur fenomenin.
...
Duket sikur vitet e fundit është fashitur, por herë pas herë të dhënat e ndryshme që referohen dhe më shumë akoma shembujt realë të pasqyruara nga media, tregojnë se fenomeni i trafikimit të fëmijëve është sofistikuar, por aspak i fashitur. Si vite më parë, mund të shikosh ende në rrugët kryesore të kryeqytetit grupe të tëra fëmijësh që lypin dhe merren me lloj-lloj shitjesh deri në orët e vona të mesnatës, të tjerë që shërbejnë në parkime provizore, apo ata që dërgohen enkas nga tutorë nëpër klube. Edhe pse nëpër strategji flitet për bashkëpunime, ende mungon një bashkërendim i mirë i të gjithë strukturave dikasteriale dhe një vullnet kundër këtij fenomeni, që e ushqen patjetër gjendja ekonomike ende shumë e dobët e vendit. Të gjitha këto bashkë e bëjnë fare të besueshëm atë lajmin e autoriteteve angleze, që i identifikonte shumë fëmijë shqiptarë të trafikuar në Angli.
 
 
"Dyshojmë për 10.000 fëmijë të trafikuar!"
Altin Hazizaj, drejtor i qendrës CRCA shprehet për problematikën e trafikimit të fëmijëve në vend
Institucioni juaj është një nga institucionet primare që e ka bërë ankimin për fëmijët e trafikuar. Si është pritur kjo nga instancat?


“CRCA ka një bashkëpunim rezultativ me të gjitha institucionet që punojnë për fëmijët dhe përgjithësisht ankesat e shqetësimet tona vlerësohen seriozisht nga to. Ajo ç’ka vëmë re ne me shqetësim përgjatë viteve është se institucionet sa here ka ndërrim të qeverive nisin e punojnë seriozisht për fëmijët dhe me kalimin e kohës këto energji humbasin ose nuk vazhdojnë më, duke iu ulur vlerën edhe atyre pak arritjeve që janë realizuar në kohë. Nga ana tjetër vihet re jo pak herë që drejtuesit e institucioneve që punojnë për fëmijët jo gjithnjë marrin mbështetjen e duhur nga Qeveria dhe Kuvendi, gjë që tregon se përpos fjalëve të bukura, fëmijët nuk janë në të vërtet prioritet”.
 
A keni ndonjë shifër sesa është në Shqipëri numri i fëmijëve të trafikuar?


“Çdo raport serioz që është shkruar deri më sot mbi çështjen e trafikimit të fëmijëve ngre shqetësimin se nuk ka shifra të sakta përsa i përket numrit të viktimave, pasi vetë fenomeni është i tillë që nuk të krijon mundësi që ti kesh fëmijët përpara syve dhe ti numërosh. Format e shfrytëzimit dhe skllavërisë së fëmijëve janë kaq të përhapura dhe të ndryshme sa vetëm përgjigjet e menduara, të koordinuara, të planifikuara dhe të buxhetuara mund të sjellin rezultatet e duhura. Nga ana tjetër vetë qytetarët duhet ti kërkojnë llogari deputetëve dhe çdo ministri e zyrtari publik mbi atë se çfarë janë ata duke bërë për të eleminuar këtë fenomen skandaloz që vret të ardhmen dhe të sotmen e fëmijëve. CRCA mendon se mbi 10 mijë fëmijë janë trafikuar dhe kontrabanduar në vendet e BE dhe ato fqinje për qëllime shfrytëzimi seksual, për punë apo duke ndjekur nga pas familjet e tyre për lypësi”.
 
A keni ndonjë strategji për identifikimin e fëmijëve jashtë vendit dhe lehtësimin e këtij fenomeni?
“Përgatitja e strategjive të tilla është detyrë e institucioneve publike. Ne si CRCA kemi sugjeruar një serë zgjidhjesh, duke filluar nga regjistrimi elektronik i çdo fëmije kur lind, verifikimin e lindje-vdekjeve të fëmijëve dhe atyre të larguar për të kuptuar sesa është diferenca midis fëmijëve të regjistruar në letër dhe atyre që ekzistojnë në të vërtete në Shqipëri. Kjo do na tregonte të gjithë magnitudën e problemit dhe sesi duhet t’i qasemi atij. Së treti, ne kemi kërkuar që pas kaq e kaq viteve përpjekje të ndërtojnë një sistem të vërtetë dhe funksional që e mbron çdo fëmijë nga çdo formë dhune, shfrytëzimi apo mungese të mirëqenies minimale. Një shtet që kërkon të bëhet pjesë e BE-së nuk mund t’i lerë fëmijët rrugëve apo në familje pa mbrojtje dhe mbështetje”.
 
 
"Mungojnë të dhënat  e sakta për romët"
Flet specialistja e CRCA, Mersila Ballo për situatën e romëve në vend dhe problematikën e tyre
 
A keni ndonjë shifër të fëmijëve romë të trafikuar dhe si është i angazhuar institucioni juaj për ta zvogëluar këtë fenomen tek ta?


“Nuk ka të dhëna statistikore apo të veçanta posaçërisht për trafikimin e komunitetit rom në Shqipëri. Sipas raportit të fundit të Departamentit të Shtetit Amerikan “Qeveria ka raportuar 42 viktima të reja të trafikimit. Në 2012 organizatat jo qeveritare raportojnë 50 viktima të reja. Një numër total prej 138 viktimash u është dhënë ndihmë nga institucione shtetërore dhe sheltera të organizatave jo-qeveritare ... 26 prej këtyre viktimave janë fëmijë”.   Këto të dhëna nuk specifikojnë moshën e të trafikuarve apo etninë së tyre, për këtë arsye nuk mund të themi sa prej tyre i përkasin komunitetit rom.


CRCA Shqipëri dhe ALO 116-Linja Kombëtare e Telefonit të Fëmijëve, një mekanizëm i jashtëzakonshëm në mbrojtjen dhe raportimin e formave të ndryshme të trafikimit të fëmijëve, janë të angazhuara për të zvogëluar këtë fenomen. ALO 116 ka për qëllim të ndihmojë fëmijët përmes këshillimit  me telefon dhe referimit në Institucionet qeveritare dhe joqeveritare që ofrojnë shërbime për fëmijët. 


CRCA Shqipëri është pjesë e Grupit Këshillimor të Shoqërisë Civile për Luftën kundër Trafikimit të Fëmijëve. Ky Grup Këshillimor do të shërbejë edhe si një instrument monitorimi dhe kontrolli i dyfishtë për veprimtarinë antitrafik të institucioneve shtetërore dhe jo-shtetërore. Gjithashtu, do të ketë si objekt të punës edhe orientimin e politikave dhe energjive të përbashkëta, sipas prioriteteve dhe nevojave reciproke”.
 
Disa veprime dhe akte ndaj/për romët (ve), a kanë rezultuar frytdhënëse sipas jush?


“Disa veprime që mund të sjellin impakt në luftën kundër trafikimit të fëmijëve rom janë:


-Nisma më e re e UNICEF në bashkëpunim me CRCA Shqipëri “Çdo fëmijë rom në kopsht” e cila synon integrimin e fëmijëve 3-6 vjeç në arsimin parashkollor. Sipas studimeve të fundit fëmijëria e hershme konsiderohet si faza më e rëndësishme zhvillimore e një njeriu, dhe një ndër strategjitë më efikasë për integrimin e komunitetit rom dhe shmangien e formave të ndryshme të shfrytëzimit dhe trafikimit.


-Hapja e qendrave ditore të cilat presin fëmijë në situate rruge dhe fëmijë në gjendje të vështirë ekonomike;


-Politika kombëtare dhe holistike në linjë me Dekadën e Përfshirjes Rome;


-Nisma e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit me mbështetjen e UNICEF Shqipëri “Shansi i dytë” si një politikë përfshirëse


-Nisma të ndryshme të organizatave jo-qeveritare, si Save the Children, ku mundëson një vakt ushqimor në qendrat e saj ditore për fëmijët e komunitetit rom”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama