Të rrisësh një fëmijë nuk është e lehtë, madje ndonjëherë, duke dashur ta edukojmë në mënyrën më të mirë, rrezikojmë të ndikojmë negativisht në personalitetin e tij. Sipas një studimi për zhvillimin e fëmijëve, të kryer nga gjashtë universitete amerikane, kjo vlen veçanërisht kur fëmija ndëshkohet fizikisht. Ndaj, kur u flisni të vegjëlve, përpiquni të zgjidhni fjalët e duhura, që njëkohësisht të jenë sa më bindëse. Prindërit duhet të kenë kujdes në ekuilibrimin e sjelljeve të tyre dhe në marrëdhëniet me fëmijët duhet të jenë të qëndrueshëm emocionalisht si dhe të kenë mirëkuptim dhe komunikim të hapur me ta. Nuk duhet të kërkojnë nga fëmijët që të jenë të përkryer, por të jenë me sjellje normale. Nuk duhet të ndëshkojnë çdo sjellje e veprim të fëmijës, sepse fëmijët e këtyre prindërve rriten si qenie të varura prej të tjerëve, pa iniciativë dhe të depersonalizuar.
Në një manual të ri: “Në familje komandoj unë!”, që mban firmën e psikologut francez Didier Pleux, shpjegohet situata e këtyre fëmijëve dhe ofrohen receta më të pranueshme se ato që janë sugjeruar deri më tani nga studiues të ndryshëm. Gjëja e parë që duhet të dini është se gjithçka fillon nga lindja e foshnjës e deri kur mbush tre vjeç: pas 36 muajve fatalë, gjithçka është e kotë. E dyta, nuk është e vërtetë që këta fëmijë, duke qenë shumë rebelë, nuk janë të lumtur. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Po t’i dorëzoheni kapriçove të tij, duke përmbushur çdo kërkesë që ka, duke i plotësuar çdo dëshirë apo duke shkatërruar çdo formë të jetës sociale të familjes, të jeni të bindur se po e çoni me duart tuaja drejt rrugës së gabuar. “Edukimi fillon në moshën 1- vjeçare dhe përfundon kur janë 3. Kjo periudhë e shkurtër duhet të merret në dorë nga prindërit. Pastaj, pjesën tjetër e ka në dorë shkolla, por vetëm nëse të vegjlit nuk janë të predispozuar për t’u bërë tiranë”, - thotë psikologu francez.
Disa shembuj janë dhënë edhe në manualin e ri të Pleux: për shembull, është normale që një fëmijë dëshiron të ngrihet nga tavolina, ndërkohë që nuk është normale për të vendosur ai se kur duhet të shkojë për të fjetur; është normale që të mos i pëlqejë një ushqim i ri, por nuk duhet të thotë “ta shpif!”; është normale që të mos ketë dëshirë të shtrojë tryezën, ndërkohë që nuk duhet t’i trajtojë prindërit si shërbyes. Të gjitha këto duhen parandaluar. Fëmijët tiranë njihen që në muajin e gjashtë, kur fillojnë të qajnë pa arsye, sepse e duan ose jo biberonin. Në vitet pasardhëse, sinjalet bëhen edhe më të qarta, ndërkohë që prindërit, të shqetësuar i drejtohen pediatërve: “Vajza jonë dy vjeçe sheh shumë filma vizatimorë. A duhet ta ndalojmë? Nuk dimë si t’ia bëjmë, sepse në të kundërt fillon dhe qan. Telekomandën e mban vetëm ajo në shtëpi”. Të ndikuara nga numri i reduktuar i lindjeve (shembulli kryesor është Kina), mamatë përpiqen t’i mbrojnë “mbretërit e vegjël” duke ndërtuar përreth tyre “placenta virtuale”. Akoma më keq pastaj janë baballarët, sidomos kur janë të ndarë, sepse bëjnë gara me mamatë duke u blerë pafund dhurata.
Sipas Pleux, kthimi pas nuk është i mundur, ndaj prindërit duhet të jenë shumë të kujdesshëm ndaj sinjaleve të para. Por nëse netët pa gjumë, darkat e shkatërruara, bashkëbisedimet e tmerrshme me moshatarët në shkollë, zënkat me shokët e shoqet nuk janë të mjaftueshme për t’ju treguar se ky fëmijë do të bëhet rebel, atëherë jeni shumë vonë për të gjetur zgjidhje. Tashmë e keqja është bërë.