Femra duhanpirese apo kohe moderne…

Femra duhanpirese apo kohe moderne…
Para viteve ’90 ishin të paragjykuara dhe rrallë ndonjë femër guxonte ta ndizte. Ndërsa sot gara mes tyre është se kujt i shkon më shumë cigarja dhe femrat duhanpirëse i gjen kudo. Madje numri i tyre po rritet frikshëm aq sa të gjitha studimet e nxjerrin këtë fenomen problematik. Ndoshta kërkojnë të shprehin lirinë individuale, kërkojnë të duken më moderne dhe pse jo të lehtësojnë edhe ndonjë stres që mund tu ketë lindur nga arsye të ndryshme. Në lidhje me femrat duhanpirëse flasin vetë femrat që janë konsumatore të rregullta të duhanit, specialistë të shëndetit publik, psikologë dhe mjekë. A kanë menduar ta lënë? Të gjitha të intervistuarat shprehen se arsyeja më e fortë dhe ndër të vetmet që ato të mund ta lënë cigaren është shtatzania, sepse femrat vetëm në kujdesin ndaj fëmijëve ndërgjegjësohen dhe kërkojnë të bëjnë më të mirën.

A mund të ma ndezësh pak? Është një kërkesë që i drejtohet një djaloshi jo më shumë se të 14-at nga një vajzë e cila duket se është moshatarja e tij. Duket imcake në fytyrë dhe me gishtat elegantë mban cigaren në dorë në pritje të tymosjes. Në një nga lokalet ish zonës së Bllokut tek e shoqëron me një birrë dhe me muzikë mban me delikatesë cigaren në dorë dhe fillon e rrëfen se si e ka nisur atë. Artenisa është 18 vjeç dhe cigaren e ka nisur që kur ishte 14 vjeçare. “Po ja ashtu me shoqërinë e nisa, tymosja nga një cigare deri sa e mësova. Tani jam me paketë siç e shikoni. Lutem foto mos më bëni se ata të shpisë ende nuk e dinë se unë jam duhanpirëse, ndërsa sa për të tjerët nuk më bëhet vonë”,- pohon adoleshentja.

Në fakt nuk është e vetmja pasi edhe femra më të vogla por edhe më të rritura se ajo cigaren e kanë pjesë të pandarë të ditës së tyre dhe këtë e tregojnë jo vetëm paketat mbi tavolinë, por dhe statistikat.

“Vendi ynë renditet në vendet me përqindje të lartë të duhanpirjes. 60% meshkujve e pinë, ndërsa 18% e femrave janë po ashtu konsumatore të rregullta, me një tendencë në rritje. Si e tillë duhanpirja është kërcënim i madh për shëndetin në Shqipëri”,- pohon Roland Shuperka, Kordinator kombëtar për kontrollin e duhanit dhe alkoolit. Sipas tij studimet e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se ndër femrat duhan pirëse, 39% referojnë se kanë më pak se 5 vjet që kanë nisur duhanin, dhe më tepër se gjysma e tyre e konsiderojnë veten duhan pirëse rastësore.

Më tej ai shpjegon se këto të dhëna të kombinuara me 25% të totalit të femrave të intervistuara që shprehen të pasigurta në lidhje me faktin në se mund të bëhen duhan-pirëse në një të ardhme ose e mendojnë të ardhmen si duhan-pirëse, flasin për një tendencë të qartë për rritjen e prevalencës se duhan-pirjes në femra dhe për tendencë ende të ulet për të lënë duhanin. Gjithashtu eksperti Shuperka shpjegon se të dhënat e studimit të fundit mbi duahnpirjen nga ISHP tregojnë se raporti i duhan pirjes në meshkuj qytet fshat nuk ka ndryshim, ky raport ndryshon në mënyrë të theksuar në femra dhe konkretisht, në qytet duhan-pirja në femra është në shifrat 25 %, kurse në zonën rurale 11 %. “Ajo çka është e veçantë është se, siç shihet, duhan-pirja në femrat e qytetit është rreth 2.2 herë më e lartë se në femrat me banim në fshat. Profesori i psikologjisë Edmond Dragoti këtë fenomen e shpjegon me disa arsye.

Sipas tij femrat konsumojnë më pak duhan në fshat sepse familja është me patriarkale në zonat rurale. Gjithashtu ndikon edhe mungesa e lokaleve, restoranteve, diskove, etj. ne zonat rurale. Arsye tjetër është mungesa e jetës së përbashkët sociale si edhe koha e zënë me punë e gruas në fshat si dhe koha e gjatë që shpenzohet në shoqërinë e antarëve të tjerë të familjes.

Duhani para dhe pas viteve ‘90

Para viteve ’90, duhani ishte një nga eksportet kryesore të Shqipërisë.  25,000 hektarë tokë kultivohej me duhan ne kooperativat dhe në fermat shtetërore. Pjesa më e madhe e produktit ishte destinuar për eksport si lëndë e parë, ndonëse, sipas burimeve jo-zyrtare, mund të ketë ekzistuar një kontrabandë e “markave te huaja” e drejtuar nga vetë shteti. Në këto vite, në ish-tregun e mbyllur shqiptar hynë marka cigaresh të panjohura. Hyrja e tyre u shoqërua me një promocion dhe reklame agresive, duke bërë të kalohej nga përdorimi i produktit vendas, deri atëherë të mbrojtur nga monopoli shtetëror, drejt markave të reja me cilësi të lartë dhe më tërheqëse.

Kjo u pasua nga kolapsi i prodhuesve dhe tregtarëve vendas të cilët ishin të papërgatitur për konkurrencën me shumëkombëshet e duhanit.  Sistemi i vjetër i ligjeve nuk mund të përballonte dhe të vepronte si rregullator në rrethanat e reja që u krijuan, sidomos në drejtim te importimit, tregëtimit, reklamimit, kontrabandës, etj.  Me rëndësi te veçante ishin kontrabanda e cila u favorizua nga pamundësia per te kontrolluar kufirin detar dhe tokësor, si dhe reklamimi i cili përbente një koncept krejtësisht të ri. Nga ana tjetër, ‘liberalizimi’ i shoqërisë së re çoi në rënien edhe të pjesës së mirë të legjislacionit të vjetër që kishte të bënte me ndalimin e duhan-pirjes në mjete transporti, institucione arsimore, etj.

Të gjithë këta faktorë patën ndikim në nivelin e duhan-pirjes. U shfaqen qartë dy tendenca, një rritje e shpejtë e prevalencës së duhan-pirjes me një stabilizim të mëvonshëm tek meshkujt si dhe një tendencë në rritje të vazhdueshme tek femrat dhe adoleshentët, tendence e cila nuk mund të ndalojë nëse nuk merren masa serioze të menjëhershme.

Cilat janë avantazhet për femrat kur lënë duhanin?

- Ato që e lëne duhanin para moshës 50-vjeçare kane dy here me pak mundësi te vdesin në 15 vitet e ardhshme krahasuar me ato që vazhdojnë ta pinë

- Rreziku për tu zhvilluar kanceri në qafën e uterusit ulet gjithashtu.

-Rreziku i sëmundjeve kardio-vaskulare (infarkt, atak cerebral) dhe infeksionet respiratorë (broshit, pneumoni) zvogëlohen gjithashtu.

- Duhanpirëset qe preken nga ulçera e stomakut qe lëne duhanin shërohen më shpejt.

- Ato qe lënë duhanin para shtatëzanisë lindin fëmijë me të njëjtën peshë si joduhanpirëset.

Estetistët: Femra mos pini duhan, do shëmtoheni

Zakonisht do të dukeni  më e vjetër nga mosha  e vërtete, rrudhat në fytyre paraqiten herët e fytyra merr ngjyrën me nuanca te tokës dhe atë te verdhe. Dhëmbët dhe thonjtë shpesh rrudhen dhe zverdhen. Shpesh bëheni nervoze dhe inatoseni e zemëroheni pa arsye. Era e cigares që nxirret nga goja ju bën jo tërheqëse. Mundësitë me te mëdha që t’ju  kthehet shëndeti dhe rinia juaj,  janë shume me te mëdha ne vitet e para te pirjes se duhanit, por shpesh këto mundësi humbasin. Me rritjen e stazhit te pirjes se duhanit, rritet edhe numri i cigareve të pira, kështu qe mundësia e ndërprerjes është me e vështire por e arritur. Të pirit e duhanit është i dëmshëm, jo vetëm për nenën e cila i jep gji  foshnjës, por njëqind herë është me i dëmshëm për foshnjën e saj.

Ornela 32-vjeçare, ekonomiste

Cigare pi vazhdimisht dhe me plot gojën mund të quhem duhanpirëse. Besoj se arsyeja e parë që pi cigare është që jam duhanpirëse, pra që jam mësuar të pi duhan, prej 7 vitesh. Madje mund të them se pa cigare nuk bëj dot, më duhet ta gjej kohën edhe në punë dhe të ndaj jashtë zyrës dhe ta ndez ndonjë cigare. Ju më pyesni a do e lija cigaren për të dashurin? Nuk e besoj… se ai e pi edhe vetë! Por nëse do mbetem shtatzanë sigurisht që do bëja të pamundurën për ta lënë sepse do i bëja keq fëmijës.

Erisa, gjimnaziste 15 vjeçare

Kam tymosur cigare në fakt që kur isha në klasën e tetë. Ndonjë për qejf me djemtë e klasës sepse unë kam qenë që e vogël vajzë e shkathët dhe e hedhur. Rrija gjithnjë me djemtë dhe rrallë me shoqet. Prindërit nuk e dinë se do bëhej nami por unë pi vetëm kur jam jashtë shtëpisë. Zdi ç’të them nëse do e lija cigaren për të dashurin ndërsa për të jem shtatzanë sërish nuk di çfarë të them se kjo gjë besoj do ndodh pas disa vitesh

Berta, 20 vjeçare studente e Drejtësisë

Në fakt cigaren e kam nisur pasi fillova fakultetin. Shoqet e dhomës në konvikt e pinin të gjitha dhe thashë ta provoj edhe vetë. Nuk mund të them se jam duhanpirëse e rregullt sepse nuk e kam të domosdoshme ta pi çdo ditë, por kur ulem në ndonjë lokal me shoqërinë e tymos edhe unë. Do ta lija cigaren po të ma kërkonte i dashuri, dhe patejtër nëse do të mbetesha shtatzanë.

Alisa, gjimnaziste 17 vjeçare

Cigare pinë gocat e vitit të parë e të mos pimë ne. Në përgjithësi gjimnazistet pinë cigare me shoqërinë por jo në shkollë hapur se nuk lejohet. Edhe unë si gjithë të tjerët me shoqërinë e kam filluar. Më pëlqen të tymos dhe nuk e pi thjesht për tendencë. Të njohurit e dinë që pi cigare ndërsa të shtëpisë nuk e dinë ende sepse do tu vinte shumë keq nëse do ta dinin.

Edmond Dagoti: Tashmë femrat ndihen ta pavarura ndaj tymosin

Para viteve ’90 femrat ishin më të paragjykuara dhe liria e individit ishte shume e kufizuar ndaj dhe koncepti i një femre të re që pinte duhen ishte pothuajse i papranueshëm. Kështu e nis shpjegimin e tij profesori i Psikologjisë, Edmond Dragoti i cili thekson se sot janë disa arsye që duhanpirja e femrave është kthyer në fenomen. Së pari femrat sipas tij ndihen më të pavarura dhe këtë e shprehin edhe nëpërmjet duahnpirjes. Këta pavarësi ato e kanë fituar edhe nga financat të cilit i kontrollojnë vet, së paku fitimet e tyre. Gjithashtu sot ato janë më të pasura ekonomikisht dhe munden ta përballojnë. “Për to “mëkati” shoqëror i të pirit cigare duket një gjë pothuajse e papërfillshme dhe sidomos në qytetet e mëdha nuk paragjykohet fare nga shoqëria. Ndërsa moshat e reja mendoj se e fillojnë si tendencë për tu dukur modernë dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në këtë gjë”, pohon Dragoti.
 
Reklamat e duhanit, tashmë në festa

Kompanitë e duhanit e kanë të ndaluar të reklamojnë hapur produktet e tyre por këtë të fundit kanë gjetur disa mënyra për të arritur tek klientët. Një nga drejtorët krijues të reklamave në kryeqytete pohon se çdo kompani është e interesuar për reklamim por kur ky reklamim është i ndalur me ligj situata bëhet pak më e vështirë. “Tashëm kanë filluar të organizohen festa nga këto kompani por pa logon e tyre. Mundohen të sajojnë disa logo që të personifikojnë një x kompani por jo hapur. Nëse më pyesni se çfarë reklamimi përdoret për cigaret e femrave unë them se nuk ka ndonjë të mirëfilltë por nëse shohim cigaret slims të shkon mendja se ato janë më shumë për femra”, pohon një drejtor krijues reklamash.

Duhani në shifra

11 % është duhan-pirja në zonat rurale tek femrat sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik

18 për qind e femrave janë duhan-pirëse në vendin tonë sipas studimeve të Institutit të Shëndetit Publik

25 për qind është duhan-pirja në qytete tek femrat sipas studimit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik

26 për qind e femrave duhan-pirëse janë zyrtare në vendin tonë sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik

28 për qind e femrave me arsim të lartë janë duhanpirëse sipas studimit të Institutit të Shëndetit Publik

39 për qind e femrave referojnë se kanë më pak se 5 vjet që kane nisur duhanin sipas studimit të ISHP-së

60% e meshkujve janë duhanpirës në vendin tonë sipas studimeve të Institutit të Shëndetit Publik

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama