Kur fillon një ndeshje futbolli, gratë e dinë mirë se nuk mund të mbështeten te bashkëshortët e tyre për punët e shtëpisë gjatë ditës dhe detyrat martesore gjatë natës. Vetëm ta imagjinoni se çfarë mendojnë dhe ndiejnë gratë gjatë kohës së evenimenteve të një rëndësie të madhe në botën e sportit, si për shembull Kampionati Evropian i futbollit. Në këto raste është më mirë për to që t‘i lenë partnerët e tyre vetëm dhe të lirë të shijojnë ndeshjen. Nga ana tjetër, një grua mund ta bëjë të lumtur një burrë nëse ulet dhe të dy vendosin të shohin ndeshjen së bashku. Por vetëm një përqindje shumë e vogël e grave pranojnë se gjithmonë u bëjnë shoqëri bashkëshortëve apo të dashurve të tyre për të parë ndeshje në televizion. Disa thonë se u pëlqejnë ndeshjet, sepse kështu mund të shohin meshkujt e rinj, simpatikë dhe me trup të bukur teksa vrapojnë me pantallona të shkurtra në fushë.
Vetëm disa femra tifoze pranojnë se i dinë edhe rregullat e lojës dhe preferojnë të marrin sa më shumë kënaqësi nga loja më popullore në botë. Në fakt, pjesa më e madhe e grave bëjnë skandale të mëdha familjare dhe nisin të zihen kur bashkëshortët e tyre ulen për të parë futboll. Femra të tilla janë të sigurta se futbolli është "e keqja" më e madhe në botë, i cili do zhdukur për të mirën e të gjithëve. Ato mendojnë se një grup burrash që shohin televizion dhe pinë birra, kryejnë një ritual djallëzor. Sigurisht, është më mirë që ato të kuptojnë se çdo mashkull ngelet gjithmonë pak fëmijë thellë në shpirt. Statistikat tregojnë se rreth 40000 njerëz kanë vdekur nga infarkti i miokardit në këto 20 vite, gjatë transmetimeve të ndeshjeve të futbollit. Për këtë arsye ndoshta është më mirë t‘i shohësh ata teksa bërtasin, shajnë dhe kanë dëshirë të vrasin gjyqtarin apo portierin e skuadrës kundërshtare. Një grua e zgjuar mund t‘i shfrytëzojë këto 90 minuta e të bëjë diçka për kënaqësinë e saj, të bëjë pazar apo të lexojë. Do të ishte budallallëk të shihte vetëm anët negative të futbollit.
Pjesa më e madhe e meshkujve janë indiferentë ndaj skive, tenisit apo gjimnastikës ritmike. Kjo, sepse një lojë futbolli është e ngjashme me një betejë lufte. Ndaj, edhe femra për t‘u hakmarrë, në televizorin e dhomës përballë, le t‘ia ngrejë zërin deri në fund filmit apo emisionit të saj të preferuar.
Çfarë bëjnë gratë kur burrat shohin futboll?
Është pikërisht pyetja e duhur. Çfarë bëjnë gratë teksa partnerët e tyre shohin ndeshjet e futbollit në televizor? Janë rreth 18 për qind ato që e kalojnë kohën e tyre për shoping apo me miqtë, ndërsa 12 për qind pëlqejnë të merren me punët e shtëpisë apo të kujdesen për fëmijët. Sipas një sondazhi online, zhvilluar nga "Parship" në Gjermani, vetëm një grua në tre të tilla e ndan me partnerin pasionin për futbollin, ndërsa 71 për qind e burrave nuk interesohen fare nëse bashkëshortet e tyre e pëlqejnë apo jo futbollin. Rreth 40 për qind e meshkujve tregonin se dëshironin me gjithë shpirt t‘u shpjegonin të dashurave të tyre gjithçka mbi lojën, me kusht që ato të uleshin pranë tyre për të ndjekur ndeshjen. Por, më e keqja vjen në rastin ku meshkujt nuk arrijnë të transmetojnë te bashkëshortet pasionin e tyre për futbollin, ndërsa ato nuk arrijnë të shohin më shumë se dhjetë minuta pasimet nga një futbollist te tjetri. Për këtë arsye, ekspertët u japin burrave një këshillë të vlefshme: të paktën një herë në javë të mos shohin asnjë ndeshje. Për armiket e futbollit, këshilla është se duhet të gjejnë diçka tjetër për të bërë.
"Bild", e përditshmja e njohur gjermane, nuk ka dyshim se ka plot zgjedhje alternative kur meshkujt ulen para televizorit pa u ngritur prej aty për 90 minuta. Sipas "Bild", femrat- të cilave u nisin dhimbjet e kokës nga ndeshjet -nuk duhet të harrojnë takimet me shokët, palestrën, gatimin e pjatave të tyre të preferuara, pazarin, plazhin dhe masazhet. Ndoshta fatura do t‘i bëjë më të ndërgjegjshëm meshkujt, se duhet t‘u kushtojnë pak më shumë vëmendje gjatë kësaj kohe. E në fakt, një hotel luksoz austriak ka lançuar edhe paketa pushimesh, "Mirëqenia e tifozëve". "Best Wellness Hotels Austria" propozon të kënaqë të gjithë çiftet që vendosin të vijnë për të parë ndeshjet. Dhoma me dy televizorë, ku mashkulli mund të shohë i qetë ndeshjen në një dhomë, ndërsa femra në tjetrën, por edhe pishina, sauna, zona relaksi, palestër dhe salla fitnesi të hapura gjatë orareve të ndeshjeve.
Gjermanet, më të çmendurat
Po ndërsa numri i atyre që nuk pëlqejnë të shohin fare futboll është i madh, i tillë është edhe numri i grave që i shohin plot pasion ndeshjet e futbollit, madje bëjnë edhe tifo për skuadra të caktuara. Kështu, nëse do të na duhej të përpilonim një klasifikim të kombësive në bazë të pasionit të grave për sportin në televizion, pozicioni më i lartë i podit mbahet nga gratë gjermane. Pra, në Gjermani plot 67 për qind e femrave kanë deklaruar se u pëlqejnë shumë ndeshjet e futbollit, ato lloj aktivitetesh sportive si Evropiani apo Botërori. Në vend të dytë janë suedezet, rreth 64 për qind dhe pastaj norvegjezet me 63 për qind. Finlandezet janë klasifikuar si femrat që pëlqejnë të shohin futboll vetëm sepse është një mënyrë e mirë për të parë meshkuj simpatikë dhe me trup të bukur, ndërsa francezet dhe anglezet bëjnë pjesë te gratë që kënaqen të shohin një ndeshje apo çfarëdolloj aktiviteti tjetër sportiv nën shoqërinë e partnerit të tyre.
Nga : Gazeta Shqip