A e dini se cila është risia e fundit? Femrat gjithnjë e më të mërzitura, ndërsa meshkujt të lumtur në maksimum. Ndryshimi mes burrit dhe gruas shfaqet edhe te humori. “‘Seksi i dobët’ i sheh gjithmonë gjërat të zeza, ndërsa meshkujt janë gjithnjë e më të qetë”, - tregon studimi i “General Society Survey”, një organizatë që ka studiuar gjendjen emocionale të amerikanëve nga vitet ’70. Duke filluar që nga viti 1972 e në vazhdim, pjesëtarët e organizatës kanë intervistuar si meshkujt ashtu dhe femrat për lumturinë e tyre. Pas intervistave është zbuluar se nga viti në vit gjendja emocionale e femrave përkeqësoj, ndërsa meshkujve u shtohej lumturia.
Betsey Stevenson dhe Justin Wolfers, dy sociologë të Wharton, shkolla prestigjioze e ekonomisë e Universitetit të Pensilvanisë, kanë analizuar studimin mbi “happiness gap” (hendekun e lumturisë) dhe kanë zbuluar se niveli i përgjithshëm i lumturisë së femrave është zvogëluar si në raport me ç’ishte 40 vite më parë, ashtu edhe në krahasim me lumturinë e meshkujve. Raporti mbi vuajtjen e femrave është pritur mirë nga dy personalitete amerikane me shumë influencë, Arianna Huffington nga “Huffington Post” dhe Maureen Dowd nga “New York Times”. Të dyja, simboli i gruas në karrierë dhe shumë të suksesshme, kanë ngritur flamurin e bardhë kushtuar rezultateve të studimit, duke vërtetuar kështu në bazë të eksperiencës së tyre, “se gjithçka thuhet në raport është e vërtetë”.
Ky pohim ka shkaktuar një sërë komentesh te lexuesit dhe lexueset. Femrat ishin në qiellin e shtatë në fillim të viteve ’70, “kur filluan të zinin poste të rëndësishme të shoqëri”, ka shkruar Maureen Dowd, duke theksuar se sfidat e reja të ofruara nga mundësitë e barabarta i kanë dhënë brezit të saj më shumë stres. Sipas Arianna Huffington, raporti nuk përfshin vetëm amerikanet. “Vuajtja është e njëjtë për të gjitha femrat në botë, pavarësisht 40 viteve që kanë kaluar duke siguruar më shumë mundësi, janë më të afta dhe më të përgatitura”. Për Huffington, që ka krijuar një mbretëri duke shfrytëzuar fuqitë e mediave të reja, është një rizgjim i hidhur: “përkeqësimi i gjendjes shpirtërore sfidon çdo logjikë të mundshme”.
Gjithsesi, kjo nuk është vetëm një çështje e krizës së feminizmit. Është edhe aspekti biologjik i hendekut të lumturisë. Sipas Marcus Buckhingam, një ish-studiues i ‘Gallup’-it, që ka publikuar një libër të ri: “Find Your Strongest Life”, femrat e fillojnë jetën më të kënaqura se meshkujt, por dalëngadalë, duke u plakur, trishtohen gjithnjë e më shumë. Më meshkujt gjërat funksionojnë ndryshe, sa më shumë plaken, aq më shumë u shtohet lumturia. Kjo është një e dhënë që Dowd e lidh me faktin se meshkujt plaken më tepër fizikisht sesa psikologjikisht (“në një shoqëri të dominuar nga ‘look’-u, 60-vjeçaret përpiqen të bëjnë gjithçka për t’u dukur 20 vjeçe”), si dhe nga zgjedhjet e ofruara nga femrat: “Duke qenë se jetët tona janë të mbushura me njerëz, nuk arrijmë t’i kushtojmë rëndësi çdo detaji. Kësaj i shtojmë edhe faktin që femrat janë nga ana fiziologjike më të ndërlikuara dhe më të brishta se meshkujt: jemi më të rrepta me veten, e marrim gjithçka seriozisht, me zemër”.
Por si mund ta kapërcejmë këtë situatë mbytëse? “Përmes një terapie të shkurtër. Frika nga kriza ekonomike, puna, këta janë faktorët që po i bëjnë njerëzit të jetojnë çdo ditë në stres mendor dhe fizik”, - thotë një psikologe, duke komentuar studimin e bërë mbi lumturinë, sipas të cilit nëntë në dhjetë persona janë të stresuar.
“Duke njohur nivelin e stresit te vetja dhe simptomat që ai shkakton, është shumë e rëndësishme të shpëtojmë shëndetin tonë psikofizik. Për të dalluar stresin, për të mësuar si ta kontrollojmë atë dhe për të ulur sasinë e tij, duhet të bëjmë një psikoterapi të përmbledhur, tre takime shumë të rëndësishme ku qëllimi është të mësosh si të kontrollosh stresin dhe ta eliminosh atë përmes të dëgjuarit”, - thotë psikologia. Një kurë e shkëlqyer është edhe të folurit, ndarja e mendimeve dhe eksperiencave me personat që e kanë jetuar këtë situatë në të kaluarën. Ju do të pyesni se nga mund t’ia filloni? Nuk ka rëndësi, mjafton vetëm të flisni. Vetëm kështu do të arrini të ndiheni më mirë.