Femrat ruse nuk i duan meshkujt e vendit te tyre

Femrat ruse nuk i duan meshkujt e vendit te tyre
Ruset nuk i duan meshkujt rusë. Lista e ankesave, të cilat femrat kanë për meshkujt në këtë vend është shumë e gjatë: ata pinë së tepërmi alkool, tradhtojnë pandërprerë dhe fyejnë publikisht gjatë gjithë kohës. Vetëm Moska ka 3 milionë femra që jetojnë vetëm, të moshës prej 25 deri në 50 vjeç, në qytetin që ka 11.1 milionë banorë.

Anna Shpakova është një biondinë e bukur ruse. Si valltare profesioniste dhe drejtore për art në Akademinë Leica në Moskë dhe konsiderohet si avangardë në qarqet e artit. Ajo është e pavarur dhe e suksesshme. Tani, ajo është mbi 30 vjeçare dhe në shikim të parë, duket se ka një jetë të përkryer.

Në anën tjetër, sikur edhe shumë femra tjera ruse, Shpakova ka humbur shpresën se do të gjejë një mashkull të përshtatshëm në mesin e bashkëkombësve të saj. “Nuk e kam takuar ende asnjë zotëri të vërtetë në mesin e meshkujve rusë”, rrëfen ajo.

Lista e ankesave, të cilat femrat ruse i kanë për meshkujt rusë është shumë e gjatë: ata konsumojnë së tepërmi alkool. Ata tradhtojnë pa ndërprerë dhe fyejnë publikisht gjatë gjithë kohës. Ata presin që dashnoret dhe bashkëshortet e tyre të pastrojnë për ta, të gatuajnë për ta dhe të duken si modele. Ankesat më serioze, ata shpesh janë të dhunshëm dhe ndihen të kërcënuar nga femrat e pavarura dhe me të ardhura të larta.

Gjasat për takim janë aq të zymta, sa që Shpakova dhe shumë femra tjera ruse të gjeneratës së saj tani më shumë e preferojnë vetminë. Vetëm Moska ka 3 milionë femra që jetojnë vetëm, të moshës prej 25 deri në 50 vjeç, në qytetin që ka 11.1 milionë banorë.

Në tërë Rusinë në përgjithësi ka 11 milionë femra më shumë së meshkuj, pjesërisht për shkak të shekujve të tërë të revolucioneve dhe të luftërave, të cilat kanë shterur popullatën mashkullore të vendit. Nëse kësaj i shtojmë se jeta mesatare e meshkujve në Rusi është relativisht e ulët, 59 vjeç, për dallim nga ajo e femrave, që arrin në 74 vjeç, atëherë mund të shihet se në Rusi ekziston një mungesë e baraspeshës demografike.

Megjithatë, numri i femrave dhe meshkujve që jetojnë vetëm në Rusi është gati i barabartë: 17.6 milionë femra, kundrejt 17.2 milionë meshkujve.

“Kjo do të thotë se femrat ruse thjesht nuk janë të interesuara që të martohen me meshkuj rusë”, thotë Irina Zhuravleva, nga dega për regjistrim e Zyrës për Statistika të Rusisë. Edhe vetë si femër që jeton në vetmi, Zhuravleva theksoi se kurrë nuk ka qenë e interesuar që të martohet me një mashkull të papërshtatshëm, për të vuajtur më pas pasojat e shkurorëzimit dhe të ndarjes së pasurisë.

Edhe përkundër numrit më të madh të femrave në Rusi, vetëm tre për qind e udhëheqësve ekzekutiv në këtë vend janë femra dhe vetëm 6 për qind të politikanëve janë femra.

Përderisa femrat ruse për një kohë të gjatë janë lavdëruar për fuqinë e tyre, nga ato ende pritet që t’i nënshtrohen meshkujve në vendet e punës.

Elita kryesuese ruse, e dominuar nga meshkujt, javën e kaluar është akuzuar publikisht për shovinizëm nga ana e Valentina Matrivenkos, politikanes më të njohur femër në Rusi, e cila parashikoi se Rusia do të ketë një presidente brenda hiç më pak se 15 viteve. “Bëhuni gati, ky moment po afrohet”, deklaroi ajo.

Një femër e re me ambicie të këtilla politike është Alyona Popova, 29 vjeç, e cila thotë se është e pandalshme. Kjo femër nga Jekaterinaburgu, e cila gjithashtu jeton vetëm, ka hapur dy kompani IT në Moskë. Vitin e kaluar, ajo kandidoi për parlament, në listën e një partie opozitare. Pasi që pësoi humbje, ajo ju bashkua protestave të opozitës në Moskë. Gjatë një proteste, rrëfen ajo, policia ja theu dorën.

“Jam ngopur nga fakti që meshkujt më trajtojnë thuajse jam sekretarja e marrë e ndokujt, e paaftë që të marr vendimet e mia. Nuk më brengos mundësia që të mbetëm femër që jetoj vetëm”, thotë Popova, duke thënë se ajo do të arrijë sukses në politikë.

Përderisa Popova është një femër, e cila punon për të ndryshuar sistemin nga brenda, femrat tjera të reja nuk kanë besim në sistemin politik dhe ligjor të vendit, i cili kryesohet nga meshkujt për meshkuj.

Duke pasur parasysh të gjitha këto gjëra, nuk befason fakti se Rusia zë vendin e dytë për nga numri i shkurorëzimeve në botë, pas Bjellorusisë, me 65 për qind të martesave të cilat përfundojnë me shkurorëzim. Dhe përderisa ende shumë femra në Rusi jetojnë me shpresën se do të gjejnë princin e tyre, ato gjithashtu po mësohen edhe me peshën e faktorëve demografik dhe kulturor që punojnë kundër tyre. Disa femra, si Shpakova, kanë vendosur të takohen vetëm me meshkuj, të cilët nuk janë rusë.

Të tjerat janë pajtuar me jetën në vetmi. “Pjesa më e madhe e meshkujve rusë nuk kanë as ide se si duhet të komunikojnë”, thotë Maria Shubina, 40 vjeç, hulumtuese në Fondacionin Boris Yeltsin në Moskë.

Paas shkëputjes së disa lidhjeve me meshkuj rusë, Shubina e kuptoi se duhet të ri-definojë idetë e saj për jetën e lumtur.

“Si adoleshente, gjithmonë kam menduar se do të martohem rreth moshës 20 vjeçare. Tani, kur po i mbush gati 40, jam e gatshme që të heq dorë nga përpjekjet për të gjetur dashurinë time të jetës”, nënvizon Shubina.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama