Femrat shofere pijne alkool

Femrat shofere pijnë alkool

Dikur ishin të pakta ato që i jepnin makinës dhe, ato që ishin, paragjykoheshin. Tani jo vetëm që femrat shofere janë shtuar si kërpudhat pas shiut, por guximi shkon edhe më tej.  Është shtuar numri i femrave që pinë alkool kur janë në timon. Madje, për më tepër, nga dita në ditë shtohen edhe femrat e guximshme që drejtojnë makinën me shpejtësi nëpër rrugë, duke shkelur herë pas here të gjitha tabelat e sinjalistikës. Ferdinand Tereziu, specialist i Policisë Rrugore, ndërsa i konfirmon këto fakte, në një prononcim për Sh2-shin shprehet se: "Më problematikë për sa i përket alkoolit janë meshkujt, por kohët e fundit nuk duhen lënë pas edhe femrat".

Sipas specialistit, në vëzhgimet dhe raportet që ata kanë për të gjithë Shqipërinë, shoferet femra janë më të kujdesshme dhe në raport me meshkujt, numri i aksidenteve i shkaktuar nga ato është disa herë më i pakët. Ajo që përbën shqetësim kohët e fundit për Policinë Rrugore, është "zhdërvjellësimi" i shofereve, të cilat sapo shohin që ia kanë marrë disi dorën timonit, nuk ngurojnë të kthejnë nga një gotë më tepër, edhe kur e dinë që do t'i japin makinës. Ky shqetësim vihet re më shumë në kryeqytet dhe tani në stinën e verës është evident edhe në qytetet bregdetare. Për sa u përket ditëve të "alkoolizuara", më shumë janë fundjavat dhe orët e vona të darkës, kur herë pas herë nuk mungojnë as ekzebicionet e kryera me automjetin e tyre.

Nga inspektimet e bëra dhe raportet e marra në rrugët e Tiranës, por jo vetëm, rezulton se 20 për qind e shofereve femra dalin me alkool dhe kjo është një shifër për t'u shqetësuar. Dikur mbaheshin më të kujdesshme dhe më pak problematike për sa i përket alkoolit, ndërsa tani diçka ka ndryshuar... se çfarë i ka bërë femrat që të konsumojnë alkool, për këtë gjë, specialistët nuk na kthejnë dot përgjigje, por dinë vetëm që shumica e atyre që kanë fryrë në tubin e alkoolit, kanë dalë pozitive dhe shpeshherë janë gjobitur nga ana e rrugorëve. Për sa u përket shkaqeve të aksidenteve, sipas Tereziut, konsumimi i pijeve alkoolike është një nga më problematikët, por ka edhe të tjera, si shpejtësia tej normave të lejuara, kundërvajtja, apo parkimi i gabuar dhe mungesa e njohjes së shenjave të qarkullimit rrugor.

Femrat me patentë!

Po të shkosh në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, çdo ditë të javës, nga e hëna në të premten, numri i kursanteve femra që japin provim arrin në shifrën e 60 përqindëshit. Kategoria e moshës nuk ka kriter. I gjen të gjitha mbi 18 vjeçe e sipër. Duket sikur i ka kapur një etje e madhe për të marrë një patentë e më vonë një makinë. Ka shumë nga ato që në moshën 50 vjeçe kanë kryer kursin e patentës dhe janë gati t'i japin makinës, siç ka edhe shumë nga to që e kanë kthyer të bërin e një kursi makine në "modë".

Shqipëria, mision i pamundur për uljen e aksidenteve...

Vendi ynë është futur në listën e zezë për sa u përket aksidenteve rrugore. Studimet tregojnë se Shqipëria ka 10 të vdekur për 15 mijë banorë, një numër që është 3.5 herë më i lartë se ai i vendeve të Evropës Lindore. Specialistët sqarojnë se numri i lartë i të vdekurve në Shqipëri si pasoje e aksidenteve, vjen për shkak të një infrastrukture rrugore të dobët dhe mosrespektim të rregullave të qarkullimit rrugor (ku hyn edhe konsumimi i alkoolit). Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik rekomandojnë marrjen e një sërë masash nga qeveria shqiptare, një detyrim ky për të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, të cilat brenda vitit 2012 duhet të reduktojnë në 50 % numrin e aksidenteve. Me sa po na dëgjojnë veshët dhe shohin sytë, është kusht i vështirë ky për t'u arritur nga shqiptarët.



Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama