Femrat shqiptare martohen me burra me te vjeter

Femrat shqiptare martohen me burra me te vjeter

INSTAT: Thellohet hendeku i diferencës së moshës mes dy partnerëve

Vajzat shqiptare martohen kryesisht me meshkuj më të mëdhenj se mosha e tyre. Ky hendek është zgjeruar sidomos pas viteve ’90. sipas statistikave të INSTAT, por edhe kërkimit të bërë nga “Open Data Albania”, mosha e martesës së shqiptarëve është rritur vitet e fundit, por ajo që vihet më tepër në dukje, si pjesë e çështjeve gjinore është diferenca e moshës mes burrit dhe gruas edhe gjatë viteve të fundit. Vjetarët statistikorë të viteve përpara 1990 nuk raportojnë të dhëna për moshën mesatare të martesës, por raportojnë vetëm të dhëna për martesat sipas grupmoshave. Të dhënat për periudhën 1990-2011 janë publikuar nga Instituti i Statistikave.

Në vitin 1955, meshkujt martoheshin mesatarisht në moshën 26.4 vjeç, ndërsa femrat martoheshin në moshën 20.8 vjeç. Në vitin 1990, mosha mesatare për meshkujt u rrit në 27.4 vjeç, ndërsa për femrat në 23 vjeç. Siç dallohet, mes viteve 1985 dhe 1990, mosha mesatare e martesës për meshkujt u rrit me 1 vit, ndërsa për femrat me 2.2 vite. Rrjedhimisht, diferenca mes moshës mesatare të meshkujve dhe femrave u ul nga 5.6 vite më 1955 në 4.4 vite më 1990.

Pas viteve 1990, dallohet se mosha mesatare e martesës ka vijuar të rritet si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, por për meshkujt është rritur shumë më shpejt sesa për femrat, ndërsa diferenca e moshës mes dy grupeve gjinore është thelluar. Të dhënat statistikore tregojnë se meshkujt në Shqipëri krahasuar me më herët kanë tendencën të martohen me vajza më të reja.

Në vitin 2011, meshkujt në Shqipëri u martuan në moshën mesatare 29.3 vjeç, ndërsa femrat në moshën 23.6 vjeç. Në krahasim me vitin 1990, meshkujt martohen 1.9 vjeç më të moshuar, ndërsa femrat martohen 0.6 vjeç më vonë. Përgjatë viteve të fundit, diferenca e moshës mesatare të martesës mes meshkujve dhe femrave është rritur në 5.7 deri në 6 vite, gjë që përbën edhe diferencën më të lartë në shtatëdhjetë vitet e fundit. Diferenca moshore e martesës meshkuj-femra është zgjeruar me 1.3 vjet.

Studiueset raportojnë se në vitin 1918, për të dhënat e disponueshme, mosha mesatare e martesës në zonat urbane qe 19-20 vjeç për gratë dhe 28-34 vjeç për burrat. Këto janë të dhëna të pjesshme dhe nuk mund të përgjithësohen për të gjithë popullsinë.

Diferenca në moshën mesatare të martesës mes meshkujve dhe femrave ekzistojnë në të gjitha vendet. Mosha mesatare e martesës për burrat përgjithësisht reflekton kulturën e sigurimit të mjeteve materiale të nevojshme për martesë nga ana e tyre, si dhe prepotencën e kontrollit mbi bashkëshorten. Rritja e moshës mesatare të martesave për vajzat përgjatë dekadave të fundit reflekton përgjithësisht rritjen e aksesit në arsim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama