Femrat si te monitorojme shendetin

Femrat, si te monitorojme shendetin
Kontrolli i parë gjinekologjik duhet të nisë me raportin e parë seksual, pastaj vijnë pap-testi, një herë në vit apo ekzaminimi i gjirit. Kontrolli i vazhdueshëm është shumë i rëndësishëm për gratë për të mbrojtur shëndetin.

Kontrollet e vazhdueshme te gjinekologu duhet të nisin pas raportit të parë seksual dhe janë të nevojshme të paktën një herë në vit. Pastaj pap-testi dhe ekzaminimi i gjirit duhet të bëhen pjesë e kulturës sonë mjekësore për të ruajtur shëndetin. Por sa e rëndësishme është vizita gjinekologjike për një femër? 
Shumë. Një grua duhet të jetë tepër e kujdesshme me trupin e saj. Është mirë që kontrolli të fillojë pasi një vajzë vendos të ketë marrëdhënie intime me një djalë. Pra pas raportit të parë seksual, në mënyrë që të parandalohet çdo lloj shqetësimi i mëvonshëm. Nëse një vajzë është 25 vjeçe dhe nuk ka kryer ende marrëdhënie seksuale, duhet të bëjë një kontroll të paktën një herë në vit. Kontrolli mund të jetë i përvitshëm, ose një herë në dy vjet, me një pap-test, vetëm nëse nuk keni probleme të veçanta të cilat kërkojnë monitorime të vazhdueshme. Veç të tjerash, vizita gjinekologjike tregon se një femër ka një edukim të mirë seksual dhe mund të diagnostikojë në kohë sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

 Pasi ju ka pyetur për arsyen e vërtetë të vizitës, pra nëse bëhet fjalë për një kontroll të thjeshtë rutinë ose më të imtësishëm për të zbuluar ndonjë patologji specifike, duhet të përqendrohet te katër format e anamnezës: familjare (tumoret, menopauza e parakohshme, çrregullime menstruale të pranishme në familje), patologjike (sëmundje që keni pasur në të kaluarën), fiziologjike (të shfaqura me ardhjen për herë të parë të menstruacioneve, ritmi, karakteristika të rrjedhjes së gjakut, aspekte të jetës seksuale dhe gjinekologjike) si dhe patologji të tjera (për sa u përket shqetësimeve që pacientja dëshiron të konsultohet). Gjithashtu është e rëndësishme të sqarohet nëse keni bërë analiza të tjera gjatë kohëve të fundit: data e pap-testit të fundit, data e analizave të fundit të gjakut ose të kontrolleve të tjera të rëndësishme. Pikërisht për këtë, është mirë që t’i mbani gjithmonë me vete të gjitha analizat.

Gjatë gjithë vizitave nuk duhet të harrojmë të marrim me vete një dosje në të cilën janë pasqyruar të gjitha sëmundjet familjare dhe personale, simptomat kryesore dhe zhvillimi i sëmundjes, në qoftë se ka një sëmundje në vazhdim, analizat, nëse i keni bërë, të renditura sipas llojit dhe datave, e të nënvijëzuara poshtë. Këtë dosje duhet ta keni me vete para se të shkoni te gjinekologu.
Një gjinekolog i mirë duhet ta fillojë nga lart vizitën. Kjo është një shenjë tjetër e përkujdesjes dhe respektit, sepse gjërat vijnë gradualisht, duke e larguar sikletin e madh që të shkakton një vizitë gjinekologjike. Ja se çfarë duhet të vizitojë doktori: tiroidet, sidomos nëse gjëndrat duken të zmadhuara edhe me sy të lirë, pastaj gjoksin dhe sqetullat për të parë nëse ka ndonjë gjëndër limfatike. Më tej barkun dhe zorrën e trashë, pasi kjo e fundit tregon shumë për gjendjen e tensionit të gruas. Vetëm pas këtij kontrolli të përgjithshëm, bëhet vizita gjinekologjike. Mjeku duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje pjesës së jashtme të organit gjenital, nëse është i ënjtur, i skuqur, distrofik, me kondiloma ose patologji të tjera.

Gjithashtu, gjinekologu duhet të kontrollojë me shumë kujdes edhe gjendjen e muskujve prevaginalë, nëse janë hipertonikë, që dhembin, shpesh shoqërohen me dhembje gjatë marrëdhënies ose hipotonikë, që janë të sforcuar vazhdimisht dhe për këtë arsye ka më pak ndjeshmëri vaginale gjatë marrëdhënies seksuale. Nëse gruaja ndien siklet dhe ka djegie gjatë marrëdhënies, duhet t’i drejtohet mjekut për të diagnostikuar "hartën e dhembjes", duke marrë parasysh të gjitha pikat ku ajo ndien dhembje (te pjesa e jashtme e organit gjenital, në mes ose në thellësi të vaginës). Në fund duhen kontrolluar qafa e mitrës dhe vezoret, për ndonjë fibromë. 
Po në rast shtatzënie, çfarë ndryshon? 
Disa analiza më shumë plotësojnë monitorimin, si për shembull kontrolli i zemrës së fetusit dhe pH (pehazhit). Gjithashtu, duhet parë shtimi në peshë për një muaj, duhen bërë analizat e gjakut çdo tre muaj dhe ekografitë obstetrike. Shumë gjinekologë bëjnë vetëm ekografi, gjë që nuk mund ta zëvendësojë kurrë vizitën gjinekologjike.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama